20 Shkurt, 2024 - 11:20 am
Pajtim Statovci, një emër i njohur në botën letrare për shkrimet e tij të thella dhe emocionuese, pas shkëlqimit që mori me romanin e tij të parë, “My Cat Yugoslavia”, duke fituar admirimin e kritikëve dhe lexuesve në të gjithë botën, tani po kthehet me një vepër të re, shkruan KultPlus.
Shkrimtari i shquar kosovar nga Finlanda, këtë vepër po e sjell pas pesë vitesh nga botimi i tij i fundit.
Autori ka zbuluar se romani i ri i titulluar “A COW GIVES BIRTH AT NIGHT” do të jetë në dispozicion për lexuesit më 5 shtator 2024.
Botimi i këtij libri do të bëhet nga otavankirjat, një shtëpi botuese e njohur për mbështetjen e autorëve të rinj. Pas datës 5 shtator 2024, lexuesit do të kenë mundësinë të zhyten në botën e re të Pajtim Statovcit dhe të shijojnë aventurën e tij letrare të re.
“Kam lajme! Pas pesë vitesh nga botimi im i fundit, jam i lumtur të ndaj me ju që romani im i ri, A COW GIVES BIRTH AT NIGHT do të botohet më 5 shtator 2024 nga otavankirjat.
Dizajni mahnitës i kopërtinës është realizuar nga mirellamakila & ahopiia”, ka shkruar Statovci.
Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990, ndërsa është larguar për në Finlandë me familjen e tij në moshën 2 vjeçare. Ai është kandidat për doktoraturë në Universitetin e Helsinkit. / KultPlus.com