Pas propozimit për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga UP, reagon Ag Apolloni: Hajgare me heronj

23 Maj, 2023 - 12:36 pm

Propozimi për largimin e emrit “Hasan Prishtina” nga Universiteti i Prishtinës ka ardhur si pasojë që vendosja e emrit u bë shumë vite pas themelimit të universitetit, dhe në arenën ndërkombëtare jo rrallë herë është ngatërruar si institucion i ri, shkruan KultPlus.

Poashtu, pasaktësi ka shkaktuar edhe fakti që një Universitet në Mitrovicë që është në gjuhen serbe pretendon emrin Universiteti i Prishtinës, që ka krijuar konfuzitet e telashe ndër tjera edhe në listimin e punimeve.

Një ide e tillë nuk është mirëpritur nga shumë profesorë e organizata studentore.

Për këtë së fundmi ka reaguar edhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Ag Apolloni i cili përmes një shkrimi të publikuar në rrjetet sociale është shprehur se kjo është hajgare me heronj dhe është turp t’i hiqet.

Tutje Apolloni është shprehur se nëse i hiqet emri universitetit, turpi bie sidomos mbi kryeministrin Kurti, i cili e ka deklaruar Hasan Prishtinën si model të tij atdhedashurie e politikëbërjeje.  Ndërsa sa për rektorin, ai është shprehur: s’di çka të them, veç çuditem që nuk merret me krizën që ka kapluar degët nacionale të UP-së, të cilat së shpejti mund të mbyllen, por kapet me mullijtë e erës.

Ky është reagimi i plotë i Apollonit:

Universitetit të Prishtinës duan t’ia heqin emrin e atdhetarit Hasan Prishtina. Dhe pse? Se një idiot dikund, me gjasë ai i Spanjës që bën toplista universitetesh, po e ngatërron Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” me Universitetin e Prishtinës në Mitrovicë. A nuk do të ishte më e udhës që atij të Mitrovicës t’i hiqej emri, të mos quhet i Prishtinës, përderisa është i Mitrovicës, kurse ky i Prishtinës të mos prekej?

Pas heqjes së emrit, patjetër do të hiqet edhe shtatorja e Hasan Prishtinës në oborr të rektoratit, se ajo më nuk ka kuptim aty. Kjo është hajgare me heronj.

Unë kam menduar se nuk duhet patjetër që çdo institucion të ketë emrin e një personi (sado që ky person është më meritor se krejt ne të tjerët për arsimimin e popullit të Kosovës), prandaj s’jam ekzaltuar kur universitetit i është vënë emri i këtij atdhetari. Por, meqë i është vënë, tash është turp t’i hiqet.

Disa si arsyetim për heqje e përdorin faktin që universiteti nuk e ka pasë këtë emër prej kur është themeluar. Po as aeroporti i Prishtinës nuk është quajtur “Adem Jashari” nga viti 1965, as sheshi para Teatrit Kombëtar nuk është quajtur “Skënderbeu” para luftës.

Rektori po ngutet. Të tjerët si ai, duke ndjekur shembullin e tij, nesër mund t’ia heqin emrin aeroportit dhe sheshit. Baju Hasan Prishtina! Baju Adem Jashari! Baju Skenderbe! Se s’po ju do Spanja, s’po ju do Serbia, s’po ju do Turqia!

Nëse i hiqet emri universitetit, turpi bie sidomos mbi kryeministrin Kurti, i cili e ka deklaruar Hasan Prishtinën si model të tij atdhedashurie e politikëbërjeje.

Sa për rektorin, s’di çka të them, veç çuditem që nuk merret me krizën që ka kapluar degët nacionale të UP-së, të cilat së shpejti mund të mbyllen, por kapet me mullijtë e erës.

Nëse realizohet synimi i rektorit Qerimi për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës, kryeministri Albin Kurti le të jetë kryeministër i kujtdo, vetëm imi – jo. / KultPlus.com

Të ngjajshme