Pashko Vasa, një nga figurat kryesore në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare

7 Mars, 2020 - 11:00 pm

Një zë dhe një zemër, një personalitet dhe një gurthemel, një vullnesë e hovshme atdhetarie dhe një ngulm i pashterrshëm kushtrimi që vazhdon të kumbojë atëditë e sot, vazhdon të gjëmojë në gjokse e hove zjarrmtare, si një flakadan i gjakuar në të epërmin amanet shqiptarie.

Pashko Vasa, ishte dhe mbeti, erdhi dhe u amëshua në zërin dhe zemrën e gjithë asaj dëshmueseje shqiptare, si një emër, me të cilin na lidh historia dhe atdhetaria, pushteti dhe kushtimi krijues, pena e tij shgjetare.

Më 29 qershor të vitit 1892, larg, shumë larg, atje në Beirut të Libanit, ndali jeta e Vaso Pashë Shkodranit. U shua asodite një prej veprimtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare; poet, shkrimtar dhe guvernator deri në të mbramë të frymës. Ai lindi në qytetin e Shkodrës më 17 shtator 1825. I ati quhej Mhill Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja, e motra do ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite, duke u zhvendosur në djepin ku lindi dhe përkundi veç korifej, në Shkodër, n’atë shtëpí ku sot është shtëpia-muzé e Pashko Vasës.

Pashko Vasa (1825, Shkodër-1892, Beirut, Lebanon) also known as Vaso Pasha,
Wasa Pasha or Vaso Pashë Shkodrani, as a Governor of Lebanon (1882-1892).
Pashko Vasa Shkodrani si guvernator i përgjithshëm i Libanit,(1882-1892).
Images Credit: Wikimedia Creative Commons

Rrugtimi i tij është i gjatë dhe i mbushur përplot me ngulme dhe sfida, të cilat morën prej tij dhe na dhanë ne, shqiptarëve dhe krejt shqiptarisë, një kolos, një krenari, një atdhetar, një penë dhe një zemër të prushur atdhetari.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për lirí. Ai mori pjesë gjallerisht në radhët e forcave forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorsís Qytetare. I frymëzuem nga atdhetarët e shquem italian, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për kët qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtë, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse t’atij qyteti që u rrethua nga austriakët. Nderkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për n’Ankona. Atje austriakët e kapen dhe e detyruan, si shqiptar me nenshtetësi turke, t’ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish ze vend në shoqënin e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur ma vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë n’aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorís Osmane. Perandoria merrte nepër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme që me lanë përshtypjen se shteti i përkiste gjithëve. Disa nga atdhetarët diten me i përdorë postet në dobí të çeshtjes shqiptare. Nga disa të dhena që nxirren prej përmbledhjes me vjersha italisht “Rose e spine”-“Trendafila e gjemba”, botue në Stamboll më 1873, mësojmë se Pashko Vasa ka qenë i martuar me nje shqiptare (rreth 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa së paku që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se P. Vasa ka shërbye disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkoder. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshire Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për nje kryengritje antiosmane në Shqiperine të Veriut, në Mirditë. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me shkronjat e shkollat shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të perpjekjeve për themelimin e nje shoqerie kulturore dhe të nje alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e nje shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, gjithënje në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen per krijimin e nje organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të rrojtur i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).

Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Pashko Vasa ishte dhe mbeti një ndër figurat më komplekse në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare. Ai ishte intelektuali, historiani, publicisti, romansieri, diplomati dhe atdhetari i shquar i cili tërë jetën e vet e vuri në shërbim të atdheut. Kombi ynë për herë do të mburrët për fatin e mirë që në gjirin e vet mbanë me xhelozi figurat markante si Vaso Pashë Shkodranin. Jeta dhe vepra e Pashkos, janë bërë pjesë e pandashme e historisë dhe e letërsisë së popullit shqiptar. /Albert Vataj /KultPlus.com

Të ngjajshme