25 Prill, 2018 - 8:22 pm
U bë gati për shtyp numri 6-7 i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, një numër special që i kushtohet poetit, prozatorit dhe dramaturgut Martin Camaj.
Me një vëllim prej mbi 400 faqesh, në të do të gjeni studime të natyrave të ndryshme, gjuhësore e letrare, të para nën optikën e një kategorie të gjerë studiuesish të fushave përkatëse.
Mbi të gjitha, për herë të parë botohet edhe një letërkëmbim ndërmjet Martin Camajt dhe Prof. dr. Anton Nikë Berishës. Janë plot 17 letra, të shkruara në kohë të ndryshme, nëpërmjet të cilave shpërfaqen disa të dhëna të qenësishme për vetë Martinin dhe veprën e tij, për konceptimin letrar poetik, për shkrimtarët tanë të ndryshëm, për vlerat e letërsisë sonë bashkëkohore, për botën tonë në përgjithësi.
Ndër të tjera, aty përligjet edhe dija e gjerë, informacioni i shumtë, nevoja për komunikim letrar poetik brendakombëtar dhe ndërkombëtar, shpirtgjerësia, fisnikëria dhe mirësjellja që zotëronte Martin Camaj.
Së shpejti, ky numër do të jetë në libraritë kryesore të Tiranës. / KultlPlus.com