Pasqyrat me thirrjet për lexim synojnë ndërgjegjësimin për librin

16 Nëntor, 2018 - 5:30 pm

Një pasqyrë e mjegulluar me mbishkrimin “Lexo për me pa”, një tjetër ku shihet reflektimi i personit që shikon në pasqyrën me mesazhin “A ishte kanë ti nëse kishe lexu?”, janë pjesë të instalacionit të shpërndarë në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe “Nënë Tereza” në kryeqytet. Qëllimi është promovimi i lexueshmërisë dhe ndërgjegjësimit social për të ndikimin që ka libri në formësimin e personalitetit të njeriut. Në këtë rast, pasqyra është përdorur si mjet për të ngritur pyetje filozofike rreth kësaj çështjeje.

Me këtë aktivitet të organizuar nga organizata ETEA – e themeluar me qëllim të edukimit publik nëpërmjet kultivimit të kulturës së leximit tek të rinjtë dhe përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë – njëherësh është shënuar edhe Dita Botërore e Filozofisë. Instalacioni është pjesë e projektit “Binliosapiens”, i cili mëton që të ngritë vetëdijen për rëndësinë e leximit. Në kuadër të këtij projekti hyjnë edhe aktivitete të tjera, të cilat tashmë janë duke u zhvilluar, siç është kampanja “BookAmbassadors”, “Teatri i Padukshëm” nëpër kafiteri të qytetit dhe sesioni me pyetje e përgjigje me shkrimtarë. Ky është një projekt që përkrahet nga Komuna e Prishtinës.

Kurti, koordinatorja e këtij projekti, ka bërë të ditur se me aktivitetet e tjera që tashmë kanë zënë vend, dhe ato që do të organizohen e ku përfshihet edhe kampanja online nëpër rrjete sociale, synojnë të arrihet te një audiencë më e gjerë.

Instalacioni me pasqyra e mesazhe i vendosur në shesh përveç se shënon Ditën Botërore të Filozofisë, ka edhe një qëllim më të gjerë. Dita Botërore e Filozofisë është shpallur nga UNESCO-ja për t’u shënuar të enjten e tretë të nëntorit, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Të ngjajshme