6 Nëntor, 2021 - 1:45 pm
Sokol Demaku, poet, shkrimtar dhe përkthyesi i njohur, bir i denj i Drenicës legjendare, një shqiptar i madh në mërgim, rrezident në qytetin e tekstilit Borås të Suedisë dhe përherë befasues, kësaj here na ka dhënë një gëzim të ri, duke përkthyer nga suedishtja në shqip veprën madhore historike: “I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu – Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”, të autorit Zannovich, Stephan, apo Stiepan, botuar në Stockholm të Suedisë nga Anders Zetterberg, 1788.
Botimi në shqip është realizuar në Shtypshkronjën “Lena Graphic”, Prishtinë, në të dy gjuhët: shqip dhe suedisht. Një histori e padëgjuar deri më sot, shkruar nga të huajt për Kryetrimin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Luftëtari i madh, që ngriti në piedestal vlerat e lirisë së popujve
Janë shkruar qindra libra për jetën dhe bëmat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, aq sa besoj që, edhe studiuesit e tij më të zellshëm nuk kanë arritur t`i lexojnë dot të gjitha. Kërkohet mbase grup studiuesish dhe historianësh, që duke i lexuar ato libra, të hedhin edhe më shumë dritë mbi jetën dhe bëmat e Heroit tonë Kombëtar, për të cilin, bota, që kur ai ishte në kulmin e madhështisë së tij e deri në ditët e sotme, ka folur e vazhdon të flasë me admirimin, pasi ai ngriti më shumë se kushdo tjetër në piedestal, vlerat e lirisë, shfaqi virtyte të rralla heroizmi, trimërie, dashurie dhe besnikërie për popullin e tij të vogël nga numri, por me përmasa të jashtëzakonshme për nga vlerat e shumfishta humane, për nga virytet e besës, mikpritjes, besnikërisë dhe dashurisë së pa krahasueshme për atdheun.
Ne dhe popujt e tjerë përparimtarë ndihemi gjithnjë vlerësues dhe krenarë me kryetrimin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me cilësitë e vyera dhe aftësitë ushtarake unike të tij. Emri dhe vepra madhështore skënderbejane, ka shekuj që qëndron e palëkundur dhe e madhërishme, jo vetëm në monumentet, bustet e shtatoret nëpër truallin shqiptar të copëtuar, por edhe në shumë e shumë vende të botës, në sheshe, rrugë, bulevarde, institucione dhe vepra historike, shkencore, kulturore e artistike. Mbi të gjitha, emri dhe vepra e tij është shkrirë në zemrën e popullit shqiptar, është trashëguar dhe përcjellë në breza, duke u identifikuar përherë me lirinë. Në veprën unike të heroit tonë kombëtar, popujt e Evropës dhe të botës kanë marrë mësimin e madh e të vyer se, sado i vogël qoftë një popull, kur ai është i bashkuar, kur është i motivuar dhe me një qëllim të madh të lirisë, s`ka forcë dhe fuqi që ta kthej nga rruga, s`ka fuqi që ta nënshtrojë dhe ta mbaj nën sundim. Këtë mësim të madh historik, kryetrimi ynë legjendar e provoi dhe e farkëtoi në betejat dhe luftërat e tij gjithnjë fitimtare me fuqinë më të madhe perandorake të kohës.
Është një libër i përkthyer me një shqipe të qartë e të pastër, që plotëson e zgjeron më tej kulturën tonë rreth personalitetit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Si fillim, duhet të themi se, vepra e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë, midis viteve 1508-1510, jo vetëm e bëri Barletin të famshëm, por ajo u bë edhe burim i një literature të gjerë, të shkruar në gjuhë të ndryshme: portugalisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht, serbisht, greqisht, japonisht… Për këtë vepër Barleti u mbështet tek dëshmitë e të tjerëve, dhe nga shumë studiues, Barleti u cilësua edhe burimi kryesor i veprave të tjera kushtuar Historisë së Skënderbeut. Nga ajo vepër, ata morën frymëzimin, por edhe fakte e dokumente, që ndriçonin figurën madhështore të kryetrimit shqiptar.
Duket se, edhe autori i veprës “Skënderbeu”, për të cilën po flasim, e ka këtë frymëzim e mbështetje historike nga vepra bazë e Barletit, por, ai e plotëson kuadrin e figurës së heroit tonë edhe me të dhëna të tjera të kohës, që vijnë nga dokumente dhe libra të tjerë të shkruar, ashtu dhe nga episode, rrëfime e histori të dëgjuara nga bashkëkohësit, kjo, sepse fama e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ka vazhduar me shekuj dhe me një përhapje të gjerë në të gjithë Evropën, madje edhe në kontinentin amerikan, ashtu dhe në Azi, Australi e në shumë e shumë vende të tjera. Ndërkaq, libri ka “fytyrën”, mendimin dhe individualitetin krijues të Zannovich Stephan.Nëpërmjet përkthimit, Sokol Demaku na e pëcjellë Gjergj Kastriotin ashtu siç e ka përshkruar autori, të madhërishëm, me vlera që i kishte vetëm Ai dhe që ua trashëgonte trimave të tij përmes fjalës së mençur dhe shembullit e veprimit, duke i frymëzuar e nxitur ata drejt qëllimit të madh të mbrojtjes së atdheut, të lirisë dhe të pavarësisë.
Ne ndihemi kureshtarë kur Zannovich Stephan shkruan për familjen Kastrioti, për Gjon Kastriotin dhe përballjen e tij me një nga sulltanët më të fuqishëm të kohës, Muratin e II, teksa ndjekim me emocion rrëfimin sesi ai la peng djemtë e tij te sulltani… “Gjergj Kastrioti, – shkruan autori: – nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç kur u ekstradua nga Perdandoria turke, ai u bë synet në bazë të ligjeve të Muhamedit… E, ndërsa ai zotëronte të gjitha cilësitë e mendjes dhe të trupit…, Murati tregoi një simpati të veçantë për të, duke i dhënë një edukim mjaft të mirë”.
Ndihemi krenarë kur lexojmë se ”Gjergji rritej e bëhej më i madh, edhe forca i rritej aq shumë, sa askush në vendet e lindjes nuk kishte një trup më të fortë, krahë më të mbushur dhe guxim më të patrembur, sa Ai. Atij iu vu në dizpozicion një mësues mjeshtër, i cili i mësoi Gjergjit turqisht, arabisht, greqisht, italisht, sllovenisht si dhe gjuhën latine…
Në shkollat më të mira turke ai mësoi të përdorte armët, të kalëronte, si dhe të bënte të gjitha ushtrimet e trupit, që janë të nevojshme për të pasur sukses në shërbimin ushtarak. Ai përfitoi njohuri për veten e tij aq mirë nga ata mësues të aftë, të cilëve iu ishte besuar edukimi i tij. Në të gjithë konkurset publike, ai fitoi të gjitha çmimet konkurruese, por gjithashtu, ai çdo ditë merrte çmime të reja dhe lëvdata nga Murati. Në moshën 18 vjeçare, Sulltan Murati II e emëroi Gjergj Kastriotin komandant të mbi 5.000 kalorësve dhe e dërgoi në Azi….
Me atdheun në mendje dhe në zemër
Dhe, kështu, nisin e marrin udhë e shfaqen përpara lexuesit aftësitë e mëdha luftarake, zgjuarësisia, trimëria dhe heroizmi i tij në sytë e Perandorisë së madhe Osmane dhe të vet Sulltan Muratit të II. Autori i “Skënderbeut” të shqipëruar nga Demaku, vë në dukje se, në betejat dhe fushatat që Skënderbeu udhëhiqte kundër kundërshtarëve dhe armiqve të Perandorisë Turke, ai në mënyrë të maskuar sillej butë dhe përpiqej të mos bënte krime në zonat e të krishterëve, ”ai kurseu gjakun e tyre aq sa mundi”.
Ndërsa Gjergji ekspozonte çdo ditë jetën e tij, Murati ishte informuar se Gjon Kastrioti, regjenti legal i Shqipërisë, kishte vdekur. Murati i pabesë, mosmirënjohës menjëherë sulmoi dhe mori shtetet e tij… Gjergji ishte shumë i pikëlluar….Por ai nuk lejoi që të vihej re…Sidoqoftë, ai po mendonte për mjete, si dhe për mënyrën për të rikthyer mbretërinë e paraardhësve të tij. Ai kërkonte një mundësi të favorshme: të linte oborrin mbretëror të Muratit, të merrte në zotërim Krujën, kryeqytetin e shteteve të tij. Rasti erdhi kur Murati II ngriti në këmbë një ushtri prej 80.000 burrash, të cilën e dërgoi në Hungari.” Ndërkaq, urdhëroi Caram beun dhe Kastriotin të shkonin përpara me 25 mijë burra. Huniadi do t`u kundërvihej me 10.000 burra. Kur hungarezët bënë një sulm të shpejt kundër turqve, Kastrioti, menjëherë u tërhoq prapa me trupat e tij dhe pastaj ktheu shpinën duke ikur…
Gjergji ishte nisur për në Shqipëri…Brenda tetë ditësh arriti në Dibrën e Epërme dhe hyri në Krujë, më 28 nëntor 1443.
Bir i denj i popullit shqiptar
Libri na rrëfen sesi Skënderbeu forcoi pushtetin, sesi iu drejtua popullit dhe princave shqiptarë, sesi thërriti Kuvendin e Lezhës, ku princat e zgjodhën Skënderbeun gjeneral për ushtritë e tyre, e pranuan gjithashtu atë edhe për Sovran të Shqipërisë.
Atëherë Shqipëria ishte e ndarë në principata, ku konkurrenca mes fiseve për të mbrojtur interesat e tyre ishte e dukshme. E pikërisht Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në atë kuvend të 2 marsit 1444, duke formuar “Lidhjen e princave shqiptarë”, ia arriti t`i mbante ata të bashkuar deri në fund të jetës së tij. Nisi kështu ajo udhë e gjatë fitoresh të njëpasnjëshme, që do të tregonin aftësitë legjendare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe taktikat e tij në luftime mbrojtëse dhe sulmuese, zemrën e tij të madhe, mençurinë dhe inteligjencën, besimin te bashkëkombësit e tij besnik deri në vdekje, besimin te qëllimi i lartë i misionit të tij çlirimtar dhe, pastaj, ato mësime të vlefshme që mori Evropa dhe bota prej veprimeve dhe atyre dhjetëra betejave të tij të guximshme. Ishte kjo famë, e cila bëri që mendjet më të shquara të kohërave të shprehen për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Kështu, në veprën e tij, Volteri shkruan se ”Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Kostandinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin atë në maj 1453”. Kurse studiuesi gjerman Fallmeyrarer, shkruan se Gjergj Kastrioti paraqet “Udhëheqësin më të përgatitur, më të suksesshëm dhe mjeshtrin më të madh të luftës”.
Ky libër, në përkthimin mjeshtëror të Sokol Demakut, na bënë krenarë ne shqiptarëve për Heroin tonë Kombëtar, na frymëzon dhe na nxit më shumë për dashurinë ndaj atdheut dhe besimin se, populli shqiptar ka një histori të pasur dhe të jashtëzakonshme, që bota duhet ta njoh më mirë. Për këtë duhet të jemi ne shqiptarët në radhë të parë prezantuesit e kësaj historie, jemi ne që duhet t`i tregojmë botës për heronjtë dhe për dëshmorët tanë, për qëllimet e tyre të larta, duke rrëfyer kështu të vërtetën dhe duke nderuar sakrificat dhe gjakun e tyre të derdhur për lirinë e vendit, por dhe për të mbrojtur Evropën nga egërsia e barbaria turke. Me veprën e tij heroike, Gjergj Kastrioti i dha më shumë shkëlqim historisë sonë, te figura dhe vepra e tij ne shqiptarët shohim portretin tonë, ndjejmë rrjedhjen e gjakut të të parëve tanë ilirë, tek ai janë edhe Bardhyli, Genti, Teuta, Glaukia…,janë heronjtë dhe dëshmorët që kanë vaditur me gjak këtë truall të dashur dhe të shenjtë.
Neveri popullore ndaj shpifësve ordinerë
Edhe në këtë libër të Zannovich, sikurse edhe në shumë vepra të tjera që janë shkruar për Kastriotin, shfaqet madhështia dhe fuqia e kryeheroit tonë në mbrojtje të Shqipërisë dhe të Evropës nga pushtuesit osmanë. Shkrimtari lartëson me fakte dhe dokumente rolin dhe shembullin unik dhe vital të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, por, njëherazi duket se, në mënyrë të tërthortë, fshikullon ata individë, që u duket vetja “origjinal” dhe vënë në dyshim emrin dhe veprën madhështore të Skënderbeut. Doemos që keni dëgjuar, të nderuar lexues, për vaporët e mëdhenj transoqeanikë, që i bien tejpërtej deteve dhe oqeaneve, që përballojnë dallgë të fuqishme dhe stuhi të lemerishme, duke triumfuar mbi to e duke çarë gjithnjë përpara? E pikërisht, në pjesën fundore të tyre, ngjiten disa tipe midhjesh të zeza, që lundrojnë së bashku me ata vaporë, si të ishin pjesë e tyre. Po, atë tjetrën e keni dëgjuar, më duket e thotë Sigmund Frojdi (1856-1939) se “miza në kokë të kalit, kujton se e tërheq ajo karrocën!”. Kështu, edhe ata njerëz të neveritshëm, të “krahasuar” me midhjet dhe me mizat, duke sulmuar figurën madhështore të Heroit tonë Kombëtar, u duket vetja se mund të jenë edhe ata të lavdishëm dhe madhështorë. Populli ka ndjerë gjithnjë neveri ndaj atyre, që shfaqen nga llumi i zi i kënetave t`ndyra e vjellin vrerë; ndaj atyre sahanlëpirësve, pehlivanëve, “hardhucave”, që nxjerrin kokat poshtë gurëve e pështyjnë, ndaj atyre “lepujve”, që bëhen trima dhe “kruhen” si luanë. Të gjithë kanë një synim të shpifur: të njollosin gjakun e pastër arbëror, t`ia nxjerrin popullit heroin nga zemra dhe të lëkundin besimin ndaj tij. Ata kritizerë, të huaj apo dhe ndonjë bukëshkalë shqiptar, bëjnë çmos ta nxjerrin Gjergj Kastriotin nga këngët e legjendat, nga librat e dokumentet e shkruara të historisë, duan t`i shuajnë gjurmët e tij në gurë e kështjella, duan ta rrëzojnë nga kali e ta shkelin me thundra. Duke tentuar gjithmonë ta paraqesin Heroin tonë të zakonshëm e të rëndomtë, ata tentojnë ta zbresin nga piedestali i lartë i lirisë!
Libri i Zannovich, që kemi në dorë, mund të themi se nënvizon thuajse në çdo faqe të tij se, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, bir i denj i kombit arbëror, është njehsuar me kështjellat dhe flamurin, nderohet si prijësi dhe udhëheqësi më popullorë i kohërave. Emri dhe vepra e tij ndritin në historinë shekullore shqiptare, evropiane dhe botërore, duke shërbyer gjithnjë si një “Yll polar”, për popujt që luftojnë për liri…
Vepra e Gjergj Kastriotit është e njesuar me popullin, me truallin, me kështjellat…
Milan Shuflai, albanologu kroat, që u sakrifikua për Shqipërinë, duke folur për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, mes të tjerash ka thënë: ”Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”
Vepra madhështore e Skënderbeut, tashmë dihet, ajo edhe sikur të zhduket çdo dokument nga arkivat e vendeve ballkanike e evropiane, është në zemrat e popullit, në mitet, legjendat, poemat dhe në rapsoditë e tij, në toponimet dhe rrëfimet që trashëgohen nga njëri brez në tjetrin; ajo është në malet, gurët e rëndë dhe kështjellat, grykat, kepat, kishat, luginat, burimet, fshatrat e krahinat me emrin e tij; ai është në ligje, në emra ditësh të shënuara dhe festa, që mbajnë emrin e tij… Koha kur ai veproi, në fjalorin zyrtar e popullor merr emrin “epoka e Skënderbeut”, kështu dhe armët e tij, mjetet e luftës, vendet ku shkelte dhe ku banonte, ku organizonte mbrojtjen dhe sulmet kundër pushtuesve. Ne sot kemi flamurin me emrin e tij, kemi sheshe, bulevarde, rrugë, tituj nderi, qindra vepra historike, letrare, skulpturore, piktorike, deri dhe vepra muzikore operistike që i janë kushtuar atij, nga artistë shqiptarë dhe të huaj. Kemi qindra toponime me emrin e tij, rrëfenja dhe legjenda pa fund me emrin e tij. Por kanë edhe vendet fqinjë, kanë edhe shtetet e Evropës, që e patën shembull apo u frymëzuan prej tij. Sikurse, për emrin, veprën dhe famën e Gjergj Kastriotit janë shprehur dhe kanë shkruar dhjetëra personalitete të mëdhenj… Vepra e Skënderbeut është kudo e, mbi të gjitha në kujtesën e popullit shqiptar dhe zemrën e tij të madhe…
Siç shprehet me të drejtë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare: ”Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i madh i Ballkanit, absolutisht më i madh i epokës së vet. Ai ishte i pari që përpunoi me mendje të hekurt dhe vizion madhështor, rrugën e Shqipërisë, nga do të ecte ajo, nga Lindja apo nga Perëndimi… Ai… i dha vendit të tij një orientim drejt Evropës, deri në fund, sa vdiq! Ai ishte testamenti i parë i orientimit të shqiptarëve…” Dhe, si për ta mbyllur këtë tekst, po përmend fjalët e Papa Kaliksti III, i cili shprehej: ”Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Evropën Kristjane!”
Luftëtar i madh, por dhe diplomat i madh
Nga ky libër i Zannovich përkthyer nga z. Demaku, del qartazi se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e tregoi veten jo vetëm si një kryeluftëtar të përmasave evropiane dhe botërore, por edhe si një diplomat i mençur, duke vendosur aleanca, marrëdhënie dhe veprime diplomatike në interes të vendit të vetë, gjithnjë duke qenë realist dhe i ndërsjelltë në mbajtjen dhe forcimin e këtyre aleancave, duke i dhënë drejtimin e qartë dhe të duhur vendit të tij, drejt perëndimit, drejt Evropës. Me “Beslidhjen e princave shqiptarë”, më 1444, ai krijoi një përvojë që do të shërbente në shekuj si një mesazh i madh për bashkimin e popullit shqiptar, por dhe për popujt që luftojnë për liri, me devizën: “Të bashkuar, s`mund ta na thyej askush”.
Interesante ishin aleancat dhe marrëdhëniet diplomatike që ai vendosi me shtetet evropiane, veçanërisht me fqinjët, por edhe më gjerë. Nuk duhet të harrojmë se, Evropa e asaj kohe ndryshonte shumë nga Evropa e sotme, kështu që edhe orientimi diplomatik ishte i ndërlikuar. Kjo, për faktin se në atë shekull, siç shprehen historianët dhe studiuesit, Evropa përbëhej nga qindra shtete, nga qindra principata dhe mbretëri, që ishin shpesh herë në luftë dhe konkurrencë e konflikte të rënda me njëra-tjetrën. Në ato kushte, shteti i vogël shqiptar, as që i hynte në sy fuqive evropiane, por, me kohë, pas fitoreve të bujshme të Skënderbeut kundër turqve, interesi evropian ndaj Shqipërisë dhe vetë Skënderbeut si një strateg i madh, sa vinte e rritej. Këtë e tregojnë marrëdhëniet e tij diplomatike me Vatikanin dhe letërkëmbimet e shumta, ndërkohë dhe vizitat dhe ndihmat e ndërsjellta. Ai fitoi besimin e Vatikanit dhe të të katër papëve të Selisë së Shenjtë, të cilët e mbështetën Skënderbeun dhe luftën që ai zhvilloi me Perandorinë Osmane. Kjo mbështetje ishte aq e veçantë sa, në vitin 1457 Papa Calixtus III e shpall Skënderbeun “Kapiten-Gjeneral të Selisë së Shenjtë, duke i dhënë atij edhe titullin “Atlet i Krishtit”…Madje ishte planifikuar që nga Papa Piu II, Gjergj Kastrioti të shpallej në mënyrë solemne mbret i Shqipërisë dhe udhëheqës i koalicionit të gjithë krishterë në mbrojtje të Evropës prej osmanëve…
Aleanca të forta dhe lidhje diplomatike ai mbajti me Vladislavin e Hungarisë dhe gjeneralin e famshëm Janosh Huniadi, me Venedikun, me Raguzën (Dubrovnikun), me Mbretërinë e Napolit dhe me Alfonsin e Ferdinantin. Nga këto marrëdhënie dhe aleanca, Gjergj Kastrioti, krahas mbështetjes morale, pati edhe ndihma të vazhdueshme me ushtarë, me teknikë luftarake, ndihma në të holla.. Por, po aq interesante janë edhe marrëdhëniet që ai krijoi me mbretërit e Milanos, Firencës, Sienës, Burgonjës, por edhe me mbretërit e Francës, Polonisë, Spanjës etj. Sikurse, shprehin mençuri dhe diplomaci letërkëmbimet e Skënderbeut, deri edhe me armiqtë dhe kundërshtarët e tij, si ato me sulltan Muratin II, me të birin e tij sulltan Mehmetin (Fatihu-Ngadhnjyesi), me mbretër e gjeneralë të fuqishëm të kohës etj. Me diplomacinë e tij, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu çeli edhe shtigje dhe krijoi fusha bashkëpunimi mes shteteve për të zhvilluar marrëdhënie tregtare, duke garantuar qarkullimin e lirë të tregtarëve dhe të mallrave në territoret shqiptare…Ai, si përherë, ishte i mprehtë, inteligjent dhe me aftësi parashikuese për veprimet që do të pasonin, sikurse shfrytëzonte çdo mundësi dobiprurëse, që i shërbente vendit e popullit të tij dhe qëllimit të lartë të lirisë.
Davidi dhe Goliati një legjendë.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu një realitet i gjallë shqiptar
Libri “Skënderbeu” i Zannovich, i përkthyer nga suedishtja në shqip nga Sokol Demaku, të entuziazmon, sidomos kur përshkruan betejat e pabarbarta në numër ushtarësh mes ushtrisë së Skënderbeut dhe armiqve të tij. Ndonëse shikonte se përballë kishte forca të shumëfishta në numër dhe të armatosura me mjetet më moderne të kohës, Gjergj Kastrioti nuk tërhiqej, nuk frikësohej, ai dinte se ç`bënte, sulmonte në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe duke qëndruar vet trimërisht në ballë të betejës, duke dalë përherë fitimtar. Kjo metodë luftarake e tij, që, me një numër të kufizuar ushtarësh, sulmonte një ushtri gjigande, sigurisht të gjithëve në botë u kujtonte legjendën e betejës mes Davidit dhe Goliatit, ku, ky i fundit, gjigand nga trupi dhe pamja, fodull, arogant dhe mendjemadh, mendonte se do ta copëtonte me një goditje të vetme Davidin trupvogël. Por, ndodhi krejt e kundërta. Ai u shtri sa gjatë-gjerë, vetëm nga një goditje mjeshtërore e Davidit… Kështu, betejat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, mund të themi se ishin “të ngjashme” me këtë legjendë, veçse këto ishin të vërteta, reale, të dokumentuara dhe me jehonë në të gjithë popujt e Ballkanit dhe të Evropës së asaj kohe. Parapëlqej të citoj këtu thënien e Aleks Budës, historian, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: ”Veprimtaria e Skënderbeut nuk është “një balon i fryrë”, siç është thënë, por një fakt historik. Këtu s`kemi të bëjmë me operacione banditësh nëpër male, por me një luftë gjigandeske, me përpjestime evropiane, që zgjati më tepër se një çerek shekulli dhe vuri përballë forcave vigane turke, popullin tonë të vogël”.
Sigurisht që, Gjergji kishte edhe një përparësi, kishte në ushtrinë e tij shqiptarët, arbërit, luftëtarë të dalluar dhe të rrallë për nga heroizmi, guximi dhe trimëria e tyre, por edhe nga aftësitë e mëdha luftarake. Ata preferonin një armatim të lehtë, krah dhe muskuj të fortë, kuaj të shpejtë dhe mjeshtëri në luftimet me shpatë, heshtë e shigjetë, por edhe trup me trup me forcat armike, ndërkohë që ndiqnin shembullin e prijësit të tyre të pathyeshëm e me pamje madhështore, që nuk iu druajt asnjë beteje, asnjë dueli, asnjë dyluftimi. I referohem përsëri Volterit, kur shkruan: “Shqiptarët janë ushtarët më të mirë të atyre anëve. Skënderbeu diti mirë të shfrytëzojë trimërinë e tyre dhe terrenin e ashpër malor të vendit të vet, prandaj me pak trupa ai ndali gjithmonë armata të shumta turke… Shqiptarët janë epirotët e lashtë, të cilët janë aq luftëtarë sa edhe stërgjyshërit e tyre…” Mund të themi se te Gjergj Kastrioti-Skënderbeu përmblidheshin cilësitë më të mira shqiptare, vlerësimet që bëjnë për shqiptarët personalitete të shquara të kohërave. Duke qenë se flasim për veprën “Skënderbeu”, që na vjen nga Suedia, më vijnë ndërmend thënia e albanologut të njohur suedez Johann Thunmann (1746 – 1778), i cili ndër të tjera shkruan: ”Qëllimi im nuk është që të shkruaj një histori të gjatë dhe të plotë. Përpjekjet e mia kanë qenë vetëm për të hedhur dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve, ashtu sikurse shfaqet një numër i madh faktesh dhe dokumentesh të renditura në mënyrë kronologjike të cilat çjerrin errësirën, zhdukin konfuzionin dhe hedhin poshtë ato spekulime të paskrupullta mbi këtë popull, duke u përpjekur që ta bëj të njohur këtë vend përgjatë gjithë historisë së tij si një komb, i cili është ndër banorët më të vjetër të Evropës dhe që kanë ditur të mbijetojnë, me gjithë fluksin e grekëve, romakëve, gotëve, sllavëve, frëngëve, italianëve dhe turqve…” Kurse anglezi i madh Bajroni (1788 – 1824), përfaqësuesi më në zë i romantizmit evropian e botëror, shprehet se “Shqiptarët janë raca njerëzore më e bukur që ekziston, trima më të fortë se kështjellat e tyre”.
Është interesante gjithashtu të theksojmë se, kur zhvilloheshin betejat me osmanët dhe fitoret e Skënderbeut vinin radhë njëra pas tjerës, kronikanët e kanë pasur zakon që të ulin numrin e të vrarëve në ushtrinë e Skënderbeut. Duket se, zvogëlimet apo zmadhimet fiktive të numrit të të vrarëve në luftime, jo gjithmonë të sakta, vijnë edhe nga vepra e Barletit, i cili edhe është kritikuar për këto “zvogëlime”, por, mbi të gjitha, faktet e fitoreve skënderbejane, pavarësisht numrit të të vrarëve, kanë qenë të dokumentuara dhe të pranuara edhe nga vetë kronikanët apo arkivat osmane. Ashtu si Davidi, në historinë epike të tre mijë vjetëve më parë dilte fitimtar mbi Goliatin, ashtu dhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me ushtri shumë herë më të vogla, arrinte të triumfonte mbi ushtritë gjigande të gjeneralëve osmanë të dërguar nga sulltanët e tyre, ashtu dhe mbi ushtritë që drejtoheshin nga vetë sulltanët, siç ishte rrethimi i parë i Krujës nga Murati II (1450) dhe dy rrethimet e tjera nga biri i tij Mehmeti (1466 dhe 1467). Siç shkruan Fan Noli (1882 – 1965): “Skënderbeu ka mbrojtur me sukses Krujën, kundër tre rrethimeve të Muratit II dhe Mehmetit të II, dy pushtuesve më të tmerrshëm të kohës, që kishin në dorë ushtritë më të forta të botës”. Kurse vet historianët e kohës e pranojnë se, vet Mehmeti II (1432-1481) ka thënë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun: “Kurrë s`ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë.”
Edhe në këtë vepër kushtuar Skënderbeut, që na vjen nga Suedia, mësojmë se Skënderbeu çdo veprim ushtarak, por dhe çdo veprim në përgjithësi, e bënte të menduar mirë dhe të bazuar në informacione të sakta, në fakte e deri në detaje. Ai, me besnikët dhe agjentët e tij të shpërndarë nëpër perandori dhe në zemër të sarajeve sulltanore, njihte gjithë planet ogurzeza, që thurreshin në kuvendet e sulltanit, njihte planet e gjeneralëve osmanë, lëvizjet dhe rrugën që ndiqte ushtria e stërmadhe shumëkombëshe osmane dhe repartet e saj shumarmëshe drejt Shqipërisë. Por, ai, duke qenë në të njëjta shkolla, nga më të mirat e perandorisë, me oficerët dhe gjeneralët osmanë, i njihte mirë ata, madje i kishte mundur qëkur ishin ende të rinj, në duele force dhe konkurse mençurie, ai ua dinte edhe trimëritë dhe aftësitë e fuqitë, por u njihte edhe huqet e dobësitë. Ndaj, duke i parë gjithnjë gjërat në kompleks, duke studiuar tipin dhe llojin e ushtrisë që po e sulmonte, duke nuhatur lëvizjet dhe taktikat e tyre, duke njohur armatimin që ata kishin, ai pikaste pikat e tyre më të dobëta dhe, në rastin e kohën më të përshtatëshme i sulmonte rrufeshëm dhe i shpartallonte, i detyronte të merrnin arratinë. Kështu e pësuan edhe gjeneralët më të mëdhenj osmanë, madje edhe në prani të sulltanëve të tyre, por, e pësuan edhe ata që njihnin mirë taktikat dhe strategjitë e Gjergj Kastriotit si: Ballaban Pasha, Hamza Kastrioti e Moisi Golemi.
Portretizimi i karakterit dhe i pamjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut
Libri ka skena të shkruara mjeshtërisht dhe në mënyrë tërheqëse për lexuesin. Për shembull, kur Mehmeti II, me sygjerim të Ballaban Pashës vendosi ta sulmonin Skënderbeun njëherazi me dy ushtri të ndryshme dhe nga dy drejtime. Skënderbeu, duke nuhatur qëllimin e armikut, veproi guximshëm, duke u rënë atëherë kur ata s`e prisnin dhe i shpartalloi të dyja ushtritë, duke i detyruar të merrnin aratinë.
Po aq interesante dhe e padëgjuar është edhe historia e dy obortarëve, që ndodheshin në oborrin e Skënderbeut, e që, duke qenë tradhtarë, informonin sulltanin për gjithçka ndodhte në kampin shqiptar. Atëherë, sapo e mori vesh këtë tradhti, Skënderbeu i thirri të dy spiunët dhe i pyeti:
-Çfarë dënimi meriton shërbëtori që tradhton zotërinë e tij?
-Duhet t`i pritet koka, – iu përgjigjën ata.
-Epo, kokat tuaja nuk janë të denja për atë nder. Unë di gjithçka. Unë ju fal. Ju jeni shumë të këqinj për t`i shërbyer një zotërie, i cili çdo ditë rrezikon kokën e tij për të ruajtur jetën tuaj. Shkoni te Mehmeti. Nga kjo ditë ai është Sovrani juaj. Ju mund t`i thoni atij: Se Zoti e ruan kokën e Kastriotit dhe se unë së shpejti dua të vijë dhe t`i marrë kokën atij, jo në një mënyrë të pabesë, si bën ai, por në mënyrë mbretërore dhe si një armik fisnik.”.
Libri ka një mbyllje origjinale, ku blerojnë këshilla dhe mendime të arta të Gjergj Kastriotit. Duket se, në këtë rast, autori Zannovich i ka vënë vetes detyrë të na e prezantoj Heroin tonë Kombëtar edhe si një dijetar, si një burrë shteti të mençur, që, siç ka qenë zakoni në kohët e vjetra, i jep të rinjve këshilla nga përvoja e tij. Edhe sikur vetëm ato këshilla të arta të kishte ky libër, do të ishte një vlerë e papërsëritshme, ndërkohë që libri është një pasurim i madh vlerash historike, shkencore, ushtarake e kulturore për bibliotekën dhe arkivin skënderbejan.
Mehmeti II, duke folur për Skënderbeun, u tha gjeneralëve të tij:
“-Unë do ta njoh gjithmonë Kastriotin në fytyrën e tij, por kurrë mbi supet e tij, sepse ai kurrë nuk më ka kthyer shpinën.”
I veçantë është veprimi i fundit i Gjergjit, i cili kur dëgjoi se një ushtri turke po sulmonte Shqipërinë, ai, kërkoi të vishte uniformën e tij luftarake, ngjeshi armët në brez, i hipi kalit të tij besnik dhe u vërsul si rrufe në betejë. Turqit, që besonin se ai ishte duke vdekur, kur dalluan përkrenaren e Kastriotit, duke u valëvitur, ia mbathën nga fusha e betejës për të shpëtuar kokën…
“Ai njeri i madh nuk ishte i tmerrshëm për askënd tjetër, përveçse për armiqtë e tij. Ai ishte një mik njerëzor, i këndshëm dhe i sigurtë për vartësit e tij. Ai ishte jashtëzakonisht bujar dhe i shpërbleu të gjithë ata që shkëlqyen në shërbimin e tij…I njihte emrat e pothuajse të të gjithë ushtarëve të tij…Gjithmonë i angazhuar në luftë, ai donte të lexonte. Komentet e Cezarit ishte libri i tij i preferuar. Ai dinte në mënyrë të përsosur gjuhën, zakonet dhe artet marciale të turqve. Ai gjithashtu fliste me lehtësi të madhe disa gjuhë evropiane…”
Na duket interesante në këtë vepër edhe portretizimi fizik që i bënë autori figurës së kryeheroit: “Gjergj Kastrioti kishte një ndërtim fizik trupi shumë të fortë. Njeriu mund të shihte kokën e tij të ngrihej mbi ushtarët e tij. Ai kishte një hundë shqiponje, lëkurë të bardhë të spërkatur me tone trëndafili, ballin e gjerë… Portreti që i ngjan më shumë, ngjan me statujën që kanë në Shqipëri, pastaj është ajo që kanë në Galerinë e Madhe në Toskana. Ai ka një mjekër të plotë, kryqin e Shën Gjonit, të cilin e mbarti me përkushtim dhe çizmet e verdha, që ishin zbukurimet e tij të zakonshme.
Në kohën e pushimit, ai pëlqente ta mbante kokën të zhveshur. Por, në fushëbetejë, ai ishte i kujdesshëm për të veshur një “shami” me shumë pendë struci, për t`u treguar para ushtarëve të tij, se atje ku është koka e tij, atje do të ishte armiku. Thuhet se kishte diçka të pazakontë dhe të veçantë në fuqinë e Kastriotit. Ai dukej se kishte një natyrë tjetër nga njerëzit e zakonshëm. Ai mund të jetonte ditë të tëra pa ngrënë ose pa pirë…”.
Lexuesi i librit “Skënderbeut”, i shkruar nga Zannovich, me siguri do të ndjejë krenari edhe kur të lexojë fjalitë e fundit përmbyllëse të këtij libri: “Çfarë lumturie, që nderon reputacionin e një njeriu të madh, që pas tre shekujsh dhe më shumë, shikon sedrën e banorit, turkut udhëtar, të krishterit ose hebreut dhe iu shqipton bekimin e të njohurit, të relikeve dhe mbetjeve të tij të famshme; ata ngrihen, suprizohen, mahniten, mrekullohen me mbetjet e varrit të tij dhe thonë: Këtu pushon Kastrioti, ai, SKËNDERBEU! Sa i shkathët ishte ai! Sa i drejtë ishte ai!…Çfarë modeli për mbretërit! Çfarë angazhimi për atë që është pasardhësi i tij dhe shkrimtari i historisë së tij!
Faleminderit Sokol Demaku për përkthimin dinjitoz që na ke sjellë në shqip, për këtë përkushtim dhe atdhetarizëm të spikatur e frymëzues!
…………………….
Shënim:
Nga kërkimet që ka bërë përkthyesi, z. Sokol Demaku, për të mësuar diçka më shumë rreth autorit të librit: “I madhi Castriot ME LLAGAP Skënderbeu Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”, deri më sot del: Zannovich, Stephan ka lindur në Budva, Shqipëria veneciane, më 18 shkurt 1751 dhe ka vdekur në Amsterdam, Republika Hollandeze, 25 maj 1786. E kanë quajtur edhe me emrin Hanibal, ishte një shkrimtar i “Letrave Turke”. Ai ka shkruar në italisht, frëngjisht, latinisht, gjermanisht dhe serbisht… Giacomo Casanova e përmend Stefano Zannovich, i cili “bëri një vizitë në Vjenë nën aliat e Princit Castriotto d’Albanie. Nën presionin e autoriteteve, ai u largua në fund të korrikut 1784 “për në Poloni dhe, më vonë për Hollandë (Provincat e Bashkuara). Zannovich ka bërë një punë të madhe dhe me përkushtim rreth Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit kur ishte në Holandë dhe në Gjermani, pasi nxori në dritë librin e tij kushuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Është interesant se si erdhi libri i Zannovich në Suedi, të përkthet nga Anders Zetterberg dhe të botohet në gjuhën suedeze, në vitin 1788, në Stockholm…
Nga Viron Kona / KultPlus.com