12 Gusht, 2020 - 7:25 pm
Nga: Xhorxhia Anxhara
Kol Rodhe (stërgjyshi) u lind në vitin 1883, në një familje të thjeshtë samarpunuesish në Korçë. Që në moshë të re u ndoq nga xhonturqit për idetë e pavarësisë. Në vitin 1902, xhonturqit e arrestojnë dhe e mbyllin në burgun e Himarës. Del dhe mbërrin në Odesë e shkon deri në Siberi ku mbledh ndihma për familjen e Papa Kristo Negovanit të therur nga shovinistët greke. Në vitin 1908 ndodhej ne ShBA, ku ngriti shoqërinë ‘Besa-Besë’ si kryetar i saj dhe punoi për ngritjen e degëve në të gjithë ShBA-në. Në shoqatën ‘Vatra’ ishte kryetar i Pleqësisë.
Ai ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit në meshën e parë në gjuhën shqipe që mbajti Fan Noli në Kishën Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston.
Në vitin 1910, kthehet në atdhe bashkë me një grup të shqiptarëve të Amerikës si vullnetarë të Komitetit Shqiptar ‘Liri a Vdekje’.
Së bashku me patriotë të shquar organizojnë punën dhe luftën për fitoren e pavarësisë pas pesë shekujsh robëri. Ka marrë pjesë në çlirimin e shumë krahinave të Shqipërisë nga Xhonturqit, duke u burgosur dhe plagosur. Në vitin 1914, emërohet shef i xhandarmërisë në Korçë. Shok armësh me Spiro Ballkamenin, Themistokli Gërmenjin, Sali Butkën etj..
Kol Rodhe zgjidhet deputet i Parlamentit të parë shqiptar në 21 prill 1921. Kol Rodhën populli i Korçës e zgjodhi disa herë deputet gjatë qeverisjes mbretërore ku ai u emërua në poste të rëndësishme si prefekt në Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe Fier. Pas përfundimit të luftës, Kol Rodhe, i moshuar, i lodhur nga luftërat për pavarësi dhe liri, nga burgjet, nga përpjekjet e përkushtimi për çështjen mbarëkombëtare shqiptare, arrestohet me motivacionin e marrjes pjese në ‘Grupin e Rezistencës’ dhe detyrohet që në seancën e pestë të pseudogjyqeve të popullit të japë llogari si ‘Armik i Popullit’. Kur kryetari i gjyqit e pyet, ai i përgjigjet burrërisht pa pranuar asnjë akuzë.
Kryetari: I pranon akuzat?
Kola: Asnjë.
Kryetari: S’ke pasur lidhje me tradhtarët?
Kola: Jo.
Prokurori: Asnjë faj s’ke bërë?
Kola: Asnjë. Prokurori:
Prokurori: Atëherë të paskan sjellë kot këtu (qesh). Gënjen Kol Rodhe. Ti thua që rinia nuk duhet të merret me politikë. Ti ke qenë Inspektor i Ministrisë së Brendshme… Nuk ke përkrahur lidhjet tona me Jugosllavinë. Kërkoje Autonominë e Kosovës. Po, o Ujk plak, po Kol Rodhe…Ti deshe Regjencën e Mehdi Frashërit, deshe ndërhyrje të jashtme, se gjendja qenka e errët…Deshe shpërndarjen e ushtrisë, mbrojtjen e atdheut… deshe qeveri koalicioni me shumë partira, deshe të prishësh unitetin politik e popullit shqiptar…
Ishte koha kur diktatori Enver Hoxha dekorohej me ‘Urdhrin e heroit të popujve të Jugosllavisë’ kurse patrioti Kol Rodhe, i mbështjellë me flamurin shqiptar arrestohet, burgoset, fyhet dhe dënohet me 30 vjet burg politik ku edhe ndërroi jetë nga torturat dhe uria në ferrin e Burrelit, në qelinë nr. 6, në vitin 1949.
Historia nuk harron, dosjet e krimit i gjen dhe në shtypin e shkruar nga retrospektiva e deri sot. Ai la pas familjen e tij, bashkëshorten Ollgën dhe pesë fëmijë: Sofikan, Dafinan, Bardhylin, Elenicën dhe Romeon të cilët u përndoqën në vitet e diktaturës, por mbetën njerëz që transmetonin vlera fisnike, qytetarie dhe atdhedashurie.
Sot jetojnë nipërit dhe mbesat e tij të cilët kaluan në kalvarin e persekutimeve, ka nëntë nipër dhe mbesa, 15 stërnipër dhe stërmbesa. Emrin e Koli Rodhes do e ndeshni kudo ku flitet për çështje shqiptare, ku luftohet për Liri, Komb e Mevetësi. Koli Rodhe ka qenë një patriot sikurse e citonte shkrimtari Andon Frashëri në veprën me të njëjtin titull. Ai ka qenë mëmëdhetari që jetoi në tri epoka: Rilindje, Pavarësi dhe Gjenocid komunist. Kol Rodhe do të mbetet i paharrueshëm në altarin e atdhetarizmit.
Fakt tjetër: poeti i pushkatuar i Librazhdid, Genc Leka, ka qenë dhëndri i Koli Rodhes, bashkëshorti i vajzës së tij, Elenica, e cila ka ndier mbi supet e saj kalvarin e persekutimit edhe të babait, edhe të bashkëshortit. Respekte për këta kolosë të mendimit të lirë! /Materiali është nga libri “Udhëve të historisë, të pathëna për shqiptarë te famshëm”, vëllimi 1, i autores Klara Çela (Mitrushi) /KultPlus.com