Peja, Prizreni dhe Mitrovica mbeten pa Universitete Publike

15 Korrik, 2019 - 4:42 pm

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Mbledhja e sotme ka qenë e monitoruar vetëm nga KALLXO.com.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që ta miratojë raportin e ekspertëve ndërkombëtar, në të cilin rekomandohet që Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, t’i tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Për Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, përsëri me gjashtë vota pro u votua raporti i ekspertëve, në të cilin gjithashtu rekomandohet që të tërhiqet akreditimi institucional për këtë vit akademik.

Ndaj vendimeve të KShC-së të tri Universitetet Publike të cilave iu tërhoq akreditimi kanë të drejtën e ankesës në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Edhe për Universitetin e Prizrenit me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së votoi raportin negativ të ekspertëve, në të cilin është rekomanduar që t’i tërhiqet akreditimi institucional. / Kallxo.com

Të ngjajshme