19 Janar, 2023 - 12:40 pm
Përmbledhja me poezi “Evokimet”, e autorit Fahredin Shehu këto ditë u botua nga PEN Qendra e Kosovës.
Poezitë në librin “Evokimet”, janë të ndara në cikle, bazuar në frekuencat e Solfeggios, të cilat ndikojnë në gjendjen psikosomatike të njeriut dhe secili kapitull, korrespondon me frekuencën e caktuar me qëllim që të gjej rezonancën në gjendjen shpirtërore të lexuesit.
Shehu është autor i më se njëzetë librave, i cili për më se tridhjetë vite, shkruan ese, romane, tregim të shkurtër dhe në veçanti shquhet për poezinë me tone filozofiko-mistike dhe lëron një poezi, e cila është shumë intime dhe e cila kërkon përsiatje të thellë si dhe njohuri shumëdimensionale.
Poezitë e tij janë përkthyer në rreth 30 gjuhë dhe i sollën çmime ndërkombëtare. Vlen te ceket se në vitin 2022, Lidhja e Shkrimtarëve Kinez, e shpërbleu me çmimin e parë, ku për dy orë program artistik, me operë klasike kineze, të Dinastisë Tang, është begatuar i tërë manifestimi kulturor, me muzikë dhe recitale me poezi edhe të laureatëve tjerë.
Poetja e njohur nga Izraeli, Gili Haimovich, ditën e pavarësisë së Kosovës 2022, Shehut ia uron me përkthim në Hebraisht, të poezisë, “Guaska bojëylber”, të botuar në Jerusalem. Po ashtu Shehu ishte pjesë e projektit të skulptorit të njohur Italian, Italo Lanfredini, i cili në shtëpinë e familjes Medici në Cremona, Itali, për një muaj janë ekspozuar poezitë të punuara në barkën prej drurit të shelgut. Dy botime tjera, të cilat vet Shehu i veçon janë: Antologjia për Janko Glezer, botuar ne Slloveni dhe nga Shoqata DEA, nën editimin dhe udhëheqjen nga Lili Koci, në Zagreb, antologjia në tre vëllime me titul “Nga DEA, me dashuri”. Kuptuam nga autori se poashtu është botuar edhe në revistën “Totem”, në Iran, gjë që e bën Shehun ndër poetët e rrallë kosovar, të përkthyer në Persisht. Në një të ardhme shumë të afërt, në Budapest do të botohet Antologjia në gjuhën hungareze, me rastin e 200 vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar hungarez, Sandor Petöfi. / KultPlus.com