PEN Qendra e Kosovës mbajti aktivitet në Ferizaj, Demiri-Frangu: Letërsia nuk është më elitare, është bërë si një hamburger për një konsum të shpejtë

30 Janar, 2024 - 10:58 am

Dje në Ferizaj, në Bibliotekën komunale “Sadik Tafarshiku”, PEN Qendra e Kosovës, në kuadër të projektit të saj “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”,  zhvilloi një takim me krijues dhe me dashamirë të fjalës së shkruar të këtij qyteti, përcjell KultPlus.

Në debatin e zhvilluar me këtë rast, të cilin e moderoi shkrimtari, studiuesi e profesori Ibrahim Berisha, u trajtuan dy tema:

“Përse shkruaj” nga poetja dhe profesoresha Dije Demiri-Frangu dhe “Si shkruhet drama”, të paraqitur nga studiuesi dhe shkrimtari Milazim Krasniqi.

Në fillim të debatit, moderuesi Berisha foli rreth gjenezës së shkrimit në botë duke theksuar se shkrimi është një zbulim i hershëm që gjithmonë ka qenë në funksion të zhvillimit njerëzor dhe të kulturës shpirtërore të tij.

“Edhe pse shpesh thuhet se shkruhet shumë letërsi, krijimet artistike me të gjitha zhanret letrare e edhe ato shkencore, zënë vetëm 10 për qind të letrave të shkruara. Pjesa tjetër është shkrim administrativo – burokratik dhe gjëra të tjera si këto”, tha Berisha duke shtuar se PEN Qendra e Kosovës do të përpiqet ta shtojë rrjetëzimin letrar e krijues kudo nëpër Kosovë me aktivitetet e veta.

Duke folur për temën ”Përse shkruaj”,  poetja Dije Demiri-Frangu ndër të tjera tha:

“Edhe pse mund të mos e di pse shkruaj, çdo poezi e ka motivin e vet. Gjithsesi shkruaj se di të gëzohem e të pikëllohem, dhe i shoh me sy të padukshëm gëzimin e pikëllimin. Shkruaj se jam njeri, mendoj, reflektoj, kujtoj, ndiej. Njeriu ka ngacmime nga jashtë dhe nga brendësia e tij dhe këto provokojnë intelektualizmin e krijuesit sepse jo më kot poezia-letërsia konsiderohet si përgjegjësi intelektuale dhe se ajo paraqet identitet kulturor”, tha Demiri-Frangu teksa theksoi se shkrimi e ndihmon të jetoj, të jetoj në mënyrën që ajo do.

“Dikur jam udhëhequr nga dëshira ta rrënoj mitin e paaftësisë femërore që të jetë poete. Qëllimet e shkrimit gjatë kohës ndërrojnë, tash kam edhe tjera arsye. Po gjithsesi shkruaj se poezia ka rol iluminist, estetik, informativ e argëtues. Shtëpia më e bukur, më e qetë është brenda krijimit, ndaj shkruaj që të ndihem aty komod. E keqja është se letërsia nuk është më elitare, është bërë si një hamburger për një konsum të shpejtë, dhe kjo letërsi po e rrezikon letërsinë e mirëfilltë, edhe postmodernizmi e teknologjia e kanë dëmtuar karakterin elitar të letërsisë, nuk është pronë e elitës, shkruhet shumë – dhe pa kritere”, përfundoi profesoresha Dije.

Ndërsa Milazim Krasniqi, profesor Universitar, poet, shkrimtar dhe dramaturg, foli për përvojën e tij rreth shkrimit të dramave, duke evokuar edhe kujtime nga fëmijëria, ku për herë të parë e kishte kuptuar rolin e aktorit dhe të dramaturgut. Ai tha se kureshtja për dramën i ishte ngulitur nga ajo kohë e fëmijërisë. Ndërsa në shkollën e mesme, në vitet 1970-1974, pasioni i tij kishte qenë kinemaja, që prapë është interesim i lidhur me dramaturgjinë. Si burim tjetër për të shkruar dramë përmendi dramaticitetin e këngës shqiptare. Kënga shqiptare ka shumë dramë brenda vetes, tha Krasniqi. Njërën prej tyre, këngën e Salih Sylës tha se e ka përdor si ide iniciale për dramën “Besëpremja.” Natyrisht, me modifikime të mëdha.

Lidhur me kornizën teorike ai solli në vëmendje idetë teorike të Platonit, mbi mimesisin,  pastaj teoricienë si Nikola Boalo, Jorge Livraga, Bertold Brehti.

Krasniqi u rekomandoi pjesëmarrësve të rinj në këtë tribunë që të lexojnë autorë të njohur si Halid Hysejn, Palo Koelo , Orhan Pamuk etj., që nxisin pasionin për lexim.

Pjesëmarrës në aktivitetin e të hënës të PEN Qendrës së Kosovës ishin nxënës të gjimnazit “Shaban Hashani” të Ferizajt të cilët me pyetje dhe me shpjegimet e veta për letërsinë dhe për kulturën e artin në përgjithësi, dëshmuan njohuritë e tyre në këto fusha. Ata kështu e pasuruan debatin letrar, ndërsa interesimet e tyre kishin të bënin edhe me trendet krijuese në viset shqiptare por edhe përgjithësisht në botë që nga zanafilla e shkrimit për çfarë shpjegimet i morën nga ligjëruesit e temave.

Projektin “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Aktiviteti i radhës i PEN Qendrës së Kosovës do të zhvillohet në Gjakovë, më 31 janar në orën 12:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme