23 Janar, 2024 - 10:32 am
PEN Qendra e Kosovës, krahas botimit të revistës letrare PEN Kosova dhe botimit të librave origjinalë, të përkthyer dhe veprave komplete, është duke realizuar edhe një varg aktivitetesh letrare-krijuese përmes projekteve në gjithë Kosovën.
Kësaj radhe PEN Qendra e Kosovës vjen me projektin më të ri kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.
Debati i parë rreth kësaj tematike zhvillohet nesër, e mërkurë, më 24 janar 2024 në KultPlus Caffe Galery në orën 12:00.
Në temën e parë do të flasin shkrimtarët Ibrahim Kadriu dhe Blerina Rogova Gaxha.
Përmes këtij projekti PEN Qendra e Kosovës synon të ndikojë në ngritjen e ndjeshmërisë dhe frymëzimin e gjeneratave të reja për krijimin letrar, rolin dhe rëndësinë që ka libri, për kulturën e leximit, por edhe për motivimin dhe përkrahjen e talenteve të reja për t’u marrë me krijimtari letrare: poezi, prozë, ese etj.
Projekti është përkrahur nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com