Pen Qendra e Kosovës nis javën kulturore ‘Prishtina e Artit dhe Kulturës’ me diskutime të frytshme mbi historinë e kryeqendrës

7 Nëntor, 2023 - 11:41 pm

Vjollca Duraku

Një diskutim i frytshëm, është realizuar mbrëmë në nisje të javës kulturore “Prishtina e Artit dhe Kulturës”, nga panelistët Jusuf Osmani, Florina Jerliu dhe Artan Krasniqi, mbi disa tema që lidhen me qytetin dhe historinë e kryeqendrës, shkruan KultPlus.

Në ambientet e KultPlus CaffeGallery, Pen Qendra e Kosovës filloi zhvillimin e kësaj jave kulturore nën moderimin e Ibrahim Berishës, i cili fillimisht i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, për të vazhduar më pas me arsyet e realizimit të kësaj ngjarjeje, duke thënë që Prishtina historikisht ka qenë një qendër e Arit dhe e Kulturës dhe si e tillë konsiderohet një lloj identiteti i kulturor i shqiptarëve.

“Ka shumë tema të cilat i përkasin kësaj fushe por bazuar në monografitë e deritashme, qasjet që janë bërë nuk kanë qenë përmbledhëse, dhe do të duhet sigurisht edhe shumë punë për të parë Prishtinën drejt në shumë aspekte, nisur nga aspekti historik, urban, arkitektonik, artistik, letrar, muzikor, teatror, komunikues, administrativ etj. Temat kryesisht fokusohen në këto aspekte të cilat ndoshta do të ndriçojnë, apo do të krijojnë një hap të ri, për të vazhduar për një ndriçim ende më të madh të vlerave, të kulturës dhe artit në Prishtinë”, ka thënë Berisha.

Ai më tutje shprehu shqetësimin e tij për mungesën e një Monografie të mirëfilltë të kryeqytetit dhe mizore i quajti informacionet mbi Prishtinën, në enciklopeditë e ish- Jugosllavisë si dhe përfaqësimin e kulturës dhe artit të Prishtinës në to.

“Është e habitshme se si sot në vitin 2023, një shtet si Kosova të mos ketë monografi për kryeqytetin. Kam hulumtuar të gjitha monografitë dhe enciklopeditë në ish-Jugosllavi për Prishtinën, dhe është mizore përfaqësimi i kulturës dhe artit në Prishtinë. Dominojnë 4-5 objekte, Graqanica, Tyrbja e Sulltan Muratit, hapësira e Betejës së Kosovës etj.”, ka thënë më tutje Berisha, për t’i lënë radhë panelistes Florina Jerliut me temën “Prishtina-Arkitektura e qytetit”.

Florina Jerliu për të pranishmit, të cilët dëgjonin me shumë kuriozitet dha një kronologji të ndërtimit të qytetit të Prishtinës në periudha të ndryshme historike, në varësi të të cilave edhe rrodhën konotacionet Prishtinë Osmane , Arkitekturë Islame, Arkitekturë Evropiane etj.

Në fakt Prishtina është një rrëfim i shkëlqyer në kuptimin e Diversitetit të Arkitekturës që ka, pa marrë parasysh nëse kemi të bëjmë me numra të vegjël të ndërtesave, të stileve të caktuara që kanë mbijetuar në vend. Për shembull, Prishtina përgjatë historisë ka krijuar disa atribute identitare që ishte dashur të na informojnë neve sot kur mendojmë për të planifikuar qytetin. P.sh Prishtina dikur ka qenë qytet i kopshteve. Udhëpërshkruesit flasin për oborre, kopshte të gjera, pemishte me bollëk, shtëpi të bukura, me arkitekturë  të qytetit dhe tipologji urbane që ndjek trendin e kohës dhe që është shtrirë në gjeografinë ballkanike, në atë kohë natyrisht të ndikuara nga kultura Osmane e shekullit XVI e këtej”, ka thënë ajo.

Panelistja Jerliu, më tej tregoi se Prishtina ka qenë qytet i dy lumenjëve dhe 50 shatërvanëve me një sistem të fisnikëruar të çesmeve, që me pretekstin e ndërtimit sistemi socialist, kishte vendosur të formonte arkitekturën e re të qytetit socialist, duke varrosur qytetin e lumenjëve në qytet të thatë.

Pushtimet e njëpasnjëshme dhe prezenca e sundimtarëve dhe mbretërve të ndryshëm në këtë rajon ka bërë që arkitektura dhe stili i jetës të ndryshoj, mirëpo gjithmonë në dëm të Prishtinës dhe qytetarëve të saj.

“Pas ikjes së Osmanëve, erdh mbretëria SKS e ish-Jugosllavisë, e cila e rikthen rëndësinë në periferi, shkon prapa. Qyteti riaktivizohet në periferi, themelon kishat dhe fillon krijimin e vendbanimeve të reja, të tipit Novosellë. Rëndësia e këtij qyteti vjen deri në pikën që Graçanica të bëhet kryeqytet, e Prishtina në atë kohë të ishte nën Graçanicë”, ka thënë Jerliu.

Ajo në fund tha se restaurimi i objekteve që llogariten pjesë e trashëgimisë së qytetetit nuk është efektiv, pa ndërtimin e narrativave të drejta mbi historinë e tyre, të cilat pushtuesit e ndryshëm edhe i kanë shtrembëruar.

Ndërsa, panelisti tjetër Jusuf Osmani, prezantoi temën Prishtina, qendër administrative kulturore”, i cili tha se ekzistojnë burime të pabesueshme administrative për Kosovën në shtetin e Turqisë, me të cilat mund të bëhej një Monografi shumë e pasur e Prishtinës.

“Për Prishtinën ka shumë burime. Aq shumë kemi gjetur burime në Turqi, sa është e pabesueshme sa burime ka. Tash është lehtë të hulumtosh në arkiva të Turqisë sepse janë të digjitalizuara. Ka shumë projekte, skica të vendbanimeve, qyteteve por edhe të minierave. Unë s’kam ditur që në Korishë ka pasur minierë të Kromit”, ka thënë ai.

Në bazë të atyre dokumenteve që janë rreth 10 mijë sosh, të dhuruara nga arkiva e Ankarasë, qyteti i Prishtinës ka tapitë e qyteteve të Kosovës nga vitet 1847-1910.

“Në 1477 sipas defterit osman Prishtina i kishte 9 lagje. Më vonë këto lagje rriten dhe sipas një dokumenti të vitit 1844 Prishtina i kishte këto lagje: Jararqeribashi, Pirinazi, Alaudin, Hasan Bej, Xhamia Sagir (Xhamia e Vogël) Hasan Emini, Hatunije, Jusuf Çelebi, Mehmet Beu Ramazanije, Jusuf Efend, Xhamia Kebir (Xhamia e Madhe), Romëve, Lagja e Jarar Qerashit, Lagja e Varoshit, Lagjja e Hasanbeut, të krishterët nëpër lagje të ndryshme, Hebrenjtë në Prishtinë dhe Romët e Krishterë”, ka thënë ai.

Ndërsa Artan Krasniqi me temën “Kultura zejtare e qytetit”, vuri në dukje shuarjen e zejeve ekzistuese në kryeqytet përgjatë viteve, sipas të cilit ndryshimi i rrethanave shoqërore, politike e kulturore të cilat e kanë bërë të panevojshëm produktin e zejtarit, rrjedhimisht e kanë bërë edhe shuarjen e zejes.

Me kalimin e kohës disa zeje janë shuar sepse nuk mund të funksionojnë më si p.sh përpunuesi i hashashit ose prodhuesi i armëve etj.  Makisma ta rrënojmë të vjetrën ta ndërtojmë të renë, ka bërë që shteti tash i shpallë luftë zejtarëve,në njëfarë mënyre do të thotë që mekanizmi është shumë më i fortë se sa nevoja për ato zeje. Është shteti ai që i shpallë luftë zejeve dhe zejtarëve, duke i quajtur si të prapambetura, si mbetje të një kohe tjetër, tash i jep valë industrisë së prodhimit industrial”, potencoi panelisti Krasniqi.

Ai, më tutje tha se edhe pse në Prishtinë ka një bashkëjetesë ku kryhen shumë shërbime, ekzistenca e zanateve është në krizë.

“Edhe pse ato mund të ruhen artificialisht, nëse nuk ka nevojë për zeje ato nuk do të ruhen, nëse mbërrijmë me e përmbysë narracionin nuk besoj që mund ta sforcojmë prodhimin e një njeriu që do të bënte  një zeje që nuk është në shërbim më. Vetëzhvillimi i Prishtinës ka bërë që zejet në Prishtinë mos të kenë një qendër si në Gjakovë, Prizren ose Pejë deri diku. Kjo është e shkapërderdhur dhe zejtarët nuk e kanë një status të veçantë, por janë të shpërndarë nëpër Prishtinë dhe rrjedhimisht nuk kanë një qendër që kish mundur të realizohej”  ka përfundurar Kraniqi për t’i lënë radhë edhe një diskutimi me pjesëmarrësit tjerë./KultPlus.com

Të ngjajshme