PEN Qendra e Kosovës së shpejti me projektin e ri kulturor

16 Janar, 2024 - 12:22 pm

PEN Qendra e Kosovës, krahas botimit të revistës letrare PEN Kosova dhe botimit të librave origjinalë, të përkthyer dhe veprave komplete, është duke realizuar edhe një varg aktivitetesh letrare-krijuese përmes projekteve në gjithë Kosovën.

Kësaj radhe PEN Qendra e Kosovës vjen me  projektin më të ri  kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.

Së fundmi, në projektin “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, që do të mbahet gjatë këtij muaji dhe në shkurt, PEN Qendra e Kosovës ka angazhuar shkrimtarë, profesorë, studiues të letërsisë, të cilët do të mbajnë ligjërata dhe trajnime të veçanta me nxënës dhe studentë në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë etj.

Përmes këtij projekti PEN Qendra e Kosovës synon të ndikojë në ngritjen e ndjeshmërisë dhe frymëzimin e gjeneratave të reja për krijimin letrar, rolin dhe rëndësinë që ka libri, për kulturën e leximit, por edhe për motivimin dhe përkrahjen e talenteve të reja për t’u marrë me krijimtari letrare: poezi, prozë, ese etj.

Gjithashtu, ky projekt do të përqendrohet në kultivimin e një ambienti të këndshëm promovues kulturor, në të cilin do të theksohen vlerat e letërsisë shqipe, si dhe të debatohet për përvojat krijuese të veçanta, të krijuesve letrarë.

Temat kryesore që do të trajtohen janë: kultura e komunikimit letrar, prezantimi i librit në mediet elektronike, si shkruhet eseja, si shkruhet poezia, si shkruhet drama, procesi i të shkruarit të romanit, veçoritë e përkthimit letrar, të shkruarit e fejtoneve dhe reportazheve letrare, procesi i leximit dhe procesi i vlerësimit kritik, përkthimi dhe prezantimi i letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme të botës, promovimi i veprës letrare etj.

Më këtë rast, nga shkrimtarët do të dhurohen edhe libra për të rinjtë e talentuar.

Në fazën e parë të këtij projekti, ligjëratat e tyre do t’i paraqesin anëtarët e PEN Qendrës së Kosovës: Ibrahim Kadriu, Avni Spahiu, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Binak Kelmendi, Dije Demiri-Frangu, Sali Bashota, Osman Gashi, Lulzim Tafa, Anton Berishaj, Gëzim Aliu, Naim Kryeziu, Naime Beqiraj, Blerina Rogova, Engjëll I. Berisha, Artan Krasniqi etj.

Projekti “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”, do të fillojë më 24 janar 2024 në KultPlus Caffe Galery dhe do të përfundojë më 27 shkurt 2024 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Projekti është përkrahur nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit./KultPlus.com

Të ngjajshme