PEN Qendra përkujton Rugovën, Kelmendi: Vepra e tij është vepër kombëtare

23 Tetor, 2020 - 8:30 pm

Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili për publikun erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Për të nderuar figurën e Rugovës, në panel ishin të ftuar Lindita Tahiri dhe Avni Spahiu nën udhëheqjen e Binak Kelmendit, të cilët me lavdatat më të larta shpalosën figurën letrare e politike të Rugovës, shkruan KultPlus.

Mbrëmja filloi me fjalimin e Binak Kelmendit, i cili duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, i njofti ata ndër të tjera se në këtë mbrëmje kanë tentuar të paraqesin veprën letrare e politike të Ibrahim Rugovës.

Kelmendi cilësonte se Ibrahim Rugovën, është letërsia ajo që e ka ndihmuar të merret me politikë. ‘Ai ka vepruar ashtu, sipas meje, që kur ishte në krye të gazetës ‘Bota e Re’, asaj rebeles dy javore të shkruar të rinisë (qysh e quaj unë) të Universitetit të Prishtinës, ku shkruante për plakun me mjekër të bardhë që e kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë’, theksoi ai

Kelmendi poashtu konsideronte se kthesa vendimtare drejt politikës te Rugova vërhet tek libri i tij ‘Refuzimi estetik’. Ku sipas tij, ky liëbr i Rugovës ka filluar të shkruhej pak para demostratave të vitit 81, ndërsa është botuar në vitin 87. Qëllimi dhe porosia e librit, siç theksonte ai, është e qartë -Refuzimi. Dhe, më i miri e më i përqafuari është ‘Refuzimi estetik’.

‘Aludimi i Refuzimit në këtë libër është i qartë, refuzimi i shtetit dhe i pushtetit pushtues së Serbisë që copë copë vazhdonte ta zhvishte Kosovën edhe nga ato pak atribute shtetërore që i kishin mbetur në ish-Jugosllavi’, potencoi tutje Kelmendi.

Kelmendi ndër të tjera tregoi për Rugovën, se si ky i fundit shpesh kishte pasur edhe ballafaqime verbale me disa kolegë, me shkrimtar serb të, konfrontime këto që siç tregonte Kelmendi, për pak sa nuk ishin shndërruar edhe në konfrontime fizike.

Dje ndërroi jetë gazetari dhe studiuesi i njohur i letërsisë Ramadan Musliu, për të cilin të gjithë të pranishmit mbajtën një minutë heshtje, duke nderuar kështu figurën dhe kontributin e të ndjerit.

Fjalën e mori më pas Lindita Tahiri, e cila e lartësonte veprën letrare të Rugovës, e cila cilësonte se Rugova përmes shkrimit synonte lirinë. Ajo ndër të tjerat tregonte se si vitet e 70-ta kur Ibrahm Rugova u mor me teori dhe kritikë letrare sollën ndryshime të mëdha në këto fusha, duke i ndërthurur studimet letrare me gjuhësinë, filozofinë, sociologjinë, psikologjinë, antropologjinë etj, drejt ndërdisiplinaritetit nganjëherë vështirë të pranueshëm për studimet klasike letrare që aso kohe dominonin në mjedisin tonë.

‘Edhe pse kur flitet për figurën e Rugovës, rëndom flitet për ndikimin e tij në mendimin politik të shqiptarëve, dua të theksoj se ai bëri një ndikim po aq të fuqishëm dhe një orientim vendimtar në zhvillimin e kritikës letrare shqipe’, theksoi Tahiri

‘Rugova e synoi lirinë përmes shkrimit. Si e bëri këtë? Duke u përfshirë përmes çështjeve kombëtare, që kanë qenë dukuri në kulturën tonë, ku shkrimtari tradicionalisht tek ne shfaqet si figurë me rëndësi publike, meqenëse ishte pikërisht liria artistike ajo që pritej t’i rezistoi cenzurës ideologjike dhe ta përmbushë përgjegjësine morale, kulturore e kombëtare, pra rezistenca estetike’, potencoi tutje Tahiri.

Tahiri poashtu konsideronte se koncepti i angazhimit te Rugova dhe koncepti i intelektualit shfaqet i riartikuluar duke mos u lënë i thjeshtsuar, pra është me rëndësi se këtë liri ai e artikulon në kohën e realizmit socialist, pasi sipas saj, kjo periudhë i kishte klishetizuar metodat e krijimit dhe i ka shabllonizuar pikëpamjet teorike.

Në fund krejt, fjalën e mori Avni Spahiu, prezantimi i të cilit ishte më personal. Ai shpalosi pikëpamjen subjektive, se si ishte Rugova në sytë e tij, se si ai e kishte përceptuar personalitetin e figurën e tij si intelektual në rend të parë por edhe si lider e të tjera.

‘Imazhi i përhershëm i ngulitur në mbamendjen time është ai i Rugovës jo në shtatin e politikanit, të liderit në krye të një lëvizjeje paqësore për pavarësi me përgjegjësi historike për kombin, sa në shtatin e një intelektuali humanist dhe mendimtari jo të zakonshëm që doli nga ky truall me rrënjët e shkëputura të kontinetit duke sjell ndërmend se rrënjët duhet përtritur dhe se vendi shqiptar dhe si një ndër popujt më të vjetër të Evropës duhet rikthyer aty ku përket’, shprehej Spahiu.

Spahiu konsideronte se Ibrahim Rugova është një emër që do të qëndrojë gjatë në mbamendjen kolektive, duke treguar kështu para publikut se sa e rëndësishme kishte qenë për Rugovën që t’i bënte me dije botës e me theks të veçantë Evropës se sa të rëndësishme e të vjetra ishin rrënjët e popullit shqiptar. Ai tregoi se si Rugova në çdo takim e bisedë me evropianët, Rugova vinte në pah lidhjet e lashta të shqiptarëve me qytetërimin evropian.

”Obsesioni i Rugovës me rrënjët evropiane përtheyj në takimin e tij në metropolet evorpiane, mbi fatin e praptë të Shqipërisë ideologjike dhe të pjesës së pushtuar të kombit në mungesë shumëshekullore të pranisë shqiptare aty ku pritej fati historik i tyre. Londra, Parisi, Berlini, Brukseli e Roma pa shqiptarët të shkëputur nga pjesa e së cilës i përkisnin, pa njerëz, pa miq e pa mirëkuptim. Kishte aq shumë për të bërë dhe duhej zënë shekuj e pushtuar hapësira, duhej krijuar miq dhe ripërtërirë miqësi dhe ne ishim vonë, tepër vonë e të paktë dhe akoma në betejë për mbijetim. Megjithatë Evropa duhej të hapte dyert për popullin më të vjetër të saj, duhej njohur vlerat dhe ta pranonte në gjirin e vetë, për më tepër të mos lejonte rrezikimin e tij në zhdukjen’, theksoi Spahiu.

As Spahiu, nuk kishte si të mos ndalej te veprimtaria letrare e Rugovës e cila zë një vend shumë të madh në jetën dhe veprën e ish presidentit tonë. Ai tregoi se si nuk e kishte krejtësisht të qartë atëherë, në vitet që po bëheshin gjithnjë e më sfiduese për fatin e shqiptarëve se ç’e shtyente këtë intelektual dhe kritik të letrave shqipe të dalë nga një mes i përvuajtur me gjakimin për liri dhe bagazhin e mbledhur nga edukimi në Francë, të këmbëngulte që të njihte sa më mirë krijuesit e artit dhe të letërsisë evropiane dhe insistimi i tij që të bëhej një përpjekje që të sillej tek lexuesi shqiptar një shije të veprës së papërkthyeshme të Joyce-t nga anglishtja në gjuhën shqipe.

‘Tek i pasionuari pas letrave shqipe, Rugova ishte një mishërim kërkimor edhe në tekstin e politikës aktuale, ai nuk ndalej së kërkuari fije dëshmishë në lidhje me Evropën, duke kritikuar shpesh vetë shqiptarët për mangësitë evidente’, deklaroi Spahiu.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe shtatë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, është nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Të ngjajshme