PEN Qendra përkujton Xhemail Mustafën, Berisha: Xhemën e vranë për ta vrarë lirinë e fituar

6 Nëntor, 2020 - 6:24 pm

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e gazetarit, publicistit e shkrimtarit të shquar, Xhemail Mustafa, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe, të ftuar në panel ishin Blerina Rogova Gaxha dhe Ibrahim Berisha, nën udhëheqjen e Avni Spahiut, të cilët me rrëfimet e fjalët e tyre shpalosën figurën e përjetshme të një shkrimtari e gazetari të madh si Xhemail Mustafa, shkruan KultPlus.

Për Ibrahim Berishën, i cili njihej personalisht me Mustafën, kjo mbrëmje ishte tejet e veçantë për të. Edhe pak ditë bëhen 20 vjet nga vrasja e këtij të fundit, dhe siç shprehej Berisha, ishte një vrasje që nuk u zbulua dhe aq më keq nuk pati asnjë përpjekje për t’u zbuluar.

Ai ndër të tjera, tregonte se si edhe Mustafa edhe Gërvalla ishin të dy miq që punaun në të njëjtën rubrikë, në atë të kulturës në gazetën ‘Rilindja’ dhe se të dy këta punuan për lirinë e shqiptarëve. E, sipas Berishës, të dy këta u vranë për të njëjtën arsye, Jusuf Gërvalla u vra që të pamundësohej fitorja e lirisë, ndërsa Xhemail Mustafa për të vrarë lirinë e fituar.

Urtësia e tij fisnike, dituria paqësore, modestia publike e ideali i tij i përhershem: Liria.

‘Kurdo që kalin kah Elida, mendon se e ke përpara, duke pirë expreso dhe, duke folur qetë e plotkuptimshëm. Gjithmonë me disponim dhe asnjëherë i vetëm. E kishte të vështirë të qëndronte vetëm, sepse të gjithë donin të uleshin e t’pinin kafe me të. Ai nuk kishte për askënd mori, kjo e rrallë, por e vërtetë. Për 25 vjet miqësi e kam dëgjuar të flasë vetëm për njerëz të mirë. Një ditë para vrasjes, në Elida, ku zakonisht pinim expreso, më foli për përgatitjen e librit të ri me kritikë letrare. Ishte i preokupuar me Besianin se do të vazhdonte shkollimin në një kolegj në Amereikë. Pastaj biseduam për Coelon e Sabaton’, rrëfente Berisha me një nostalgji që hetohej thellë në secilën fjalë të tij.


Në anën tjetër, Blerina Rogova Gaxha ishte fokusuar më shumë në veprimtarinë kritike të Mustafës, e cila konsideronte se në kohën kur mendimi shqiptar luhatej në kolovajzën e tranzicionit, Mustafa kërkon në botën e letrave aspekte të veçanta të veprave, që i përshtaten konceptit të tij për atë çfarë ai konsideron të rëndësishme në një vepër, në krijim të modelit të shkrimit e mendimit kritik-letrar orientuar në pikat kryesore dhe çështjet themelore që shtron vepra e zgjedhur.

‘Në vitet e 90-ta, kohën kur Mustafa ishte më aktiv, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, sikur në poezi e prozë ashtu edhe në mendimin kulturor e kritik letrar, kanë dalë emra që me punën e tyre kanë zhvilluar hapësira të reja të mendimit shqiptar për letrat. Mendimi letrar dhe kulturor shqip i këtyre viteve ka zënë të rishohë marrëdhënien e vet me ideologjinë, me diskurset kritike, kulturore e filozofike’, potencoi Rogova Gaxha.

E mbrëmjet e tilla, që i dedikohen figurave të shquara si ajo e Mustafës, nuk kanë si të mos bartin edhe emocion. Ajo që emocioni e përloti të gjithë ishte vajza e të shkrimtarit e cila mes lotësh falenderoi PEN Qendrën e Kosovës për këtë përkujtim e nderim që i është bërë babait të saj, për të cilin tregoi se kishte qenë shumë e rë kur ai kishte ndërruar jetë.

‘Falemnderit që po ndani kujtime për të, detajet që kemi pasë mundësi me i dite e nuk i kemi ditë sepse kam qenë në moshë relativisht të re. Sot kur miqtë e tij po shpalosn citate e shkrime të tij, është emocionuese por edhe po mburrem që e bëjnë figurën e babait tonë të njihet më në detaje. Ju falenderoj për iniciativën, jo vetëm për të por për të gjithë që duhet me u përmend, të gjithë ata që kanë bërë diçka për këtë vend’, u shpreh mes lotësh vajza e Mustafës, Beriane Mustafa.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe tre mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, është nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Të ngjajshme