5 Nëntor, 2020 - 10:31 am
Nga Prend Buzhala
(Brahim AVDYLI, MUZAT E VARGJEVE, poezi, Botimet MESHARI, Prishtinë 2020)
Poeti nëpër vargje e shqipton dramën e tij. Dramën e vargjeve dhe dramën e kohës. Është ajo përpjekje prometheike për ta mbajtur shpirtin e vargjeve si ndriçues e feniks kohësh, ripërtëritjesh nëpër kaq shumë dhimbje, ndjekje, fatkeqësi. “Jam vjeshtë e trishtë e pikëllimeve të vargjeve!…” ligjëron një protagonist lirik i kësaj poezie.
1. Mesazhet e mëdha të vuajtjes dhe dramës së jetës
Nëpërmes këndimit të tillë lirik, poeti pikësynon ta zgjojë intuitën, ta ofrojë mençurinë e jetuar, t’i pohojë frymëzimet e tij, t’i shquajë thëniet motivuese. Thuhet se poezia i ngjet rrëfimit të njeriut të sinqertë: të flasë për pamjet e përjetimet e vërteta në kohë fatkeqësish. Duke njohur humbjet, zhgënjimet e vuajtjet në jetë, nuk është e habitshme përse kjo poezi depërton kah thellësitë, kah kuptimet që e mbushullojnë gjallimin, kah shqetësimet e thella që shqiptojnë dashurinë ndaj njeriut, botës dhe qenieve më të dashura. Dhe, kur t’i biesh së lexuari vargjeve në fund, mund të pyesësh: a ka mbaruar ende kjo stuhi jete?
Po të mos kishte qenë
kjo stuhi e dalë bese
me vetëtima të kobeve
e stërkala të tmerrshme
nuk do të përplaseshim në det
me pamëshirën e dhembjes
Shkrimtari japonez Haruki Murakami, do të vlerësojë: “Por një gjë është e sigurt. Kur të dilni nga stuhia, nuk do të jeni i njëjti person që keni hyrë brenda. Kjo është ajo që ka të bëjë me këtë stuhi. “
le të degdisem
ku të duam
me dhembjen përdore,
Në fakt, folësi lirik i kësaj poezie takohet shpesh me këto humbje, drama jete e fatkeqësi qofshin ato individuale apo nacionale; përbirohet shpesh nëpër disfata:
I zhgënjyer
përplasem nëpër cepat e mjerimit
Por ai qëndron, nuk bie. Gjithnjë kërkon rrugëdaljen, sidomos në situatat kur shprishet identiteti ynë nacional. Brahim Avdyli është poet i këndimit të qenies sonë identitare.
ai merrej me të keqen
kur përpiqeshin ta shprishin
shqiptarinë,
Ky këndim shqip vrujon nëpër vargje përgjatë gjithë librit.
Këto përjetime e vuajtje janë edhe bekimi i qenies. Janë sprovime të shpirtit në kohë e nëpër kohë. Gabime gjenden edhe në parajsë. Së këndejmi, edhe në atmosferën e një jete të tillë, ai apelon:
hapeni zemrën tuaj
siç e thotë
qenia e gjallë
dhe lëshoni ngadalë
e bindshëm
dashurinë e shumëzuar!…
Jetën duhet ta duam, ashtu siç është. Ta ndjesh të bukurën edhe në trishtim. Kjo përbën sfidën e vërtetë për ta kuptuar bukurinë e jetës dhe për ta ndjerë atë.
Porse poeti i ka betejat e tij. Sprovat e sprovimet e shpirtit e të jetës. I ka vështirësitë që e forcojnë së brendshmi. Në këto ndeshje ai gjen çaste të errëta, por aty e zbulon dritën dhe rrugën drejt mirësisë dhe të vërtetës. Aty, te kët përballje me fatkeqësinë, gjendet fara përvojave dhe mësimit të rëndë të jetës. Mendimi shfaqet në shumë ngjyra (cikli “NGJYRAT E MENDIMIT”). Aty ku ka një lojë jete, aty ka edhe një dramë.
kthehem në rifillimin e dramave të pafatësisë që përsëritet
prej Trübbach-it, Kreuzlingen-it,
Zürich-ut apo Surses, e të tjera…
Poeti e heton hilen e njerëzve toksikë, njerëzve negativë, njerëzve të ligj që luajnë me tjetrin, kurse ilaçin e gjen të ikën prej tyre.
Kur ik nga njerëzit
më rrok vetmia
e nuk mbetet vend për këngë!
Dhe kur dëshiron të afrohet me njerëz besnikë, me të cilët do ta gjente zgjidhjen e problemeve, shfaqet paradoksi i rëndë i jetës:
Kur afrohem te njerëzit
më ikin të gjithë nga sytë
e më lënë
të lidhur me trishtimin e fjalëve!
Poeti e ndien këtë flakë kënge, këtë përvojë sfiduese për të ndërtuar raporte flake/ zemre/me qeniet njerëzore. Këtu, te kjo djegie “në mesin e qenieve” (asociacion i vetëflijimit) gjendet ajo forca për të bashkëbiseduar me vetminë, për të udhëtuar me vuajtjen, për të bërë miqësi me fatkeqësinë… për hir të dhuratës e blatës për qenien: siç është kënga e poetit:
A ka vend tjetër për Këngë
pos flakës së fjalëve-
të digjem
në mesin e qenieve
duke kënduar!
Vërtet, a është i vetmuar poeti në rrugëtimet e tij, në betejat e tij? A ka bashkëvëllezër fjale, fatkeqësie, miq betejash? Lord Bajroni do të thoshte se fatkeqësia është rruga e parë drejt së vërtetës. Kurse folësi lirik këtu ligjëron:
Më në fund
dhembja pëlcet
kuq si gjaku në mjedis të ndjenjave
le të bjerrë ngadalë
kupola e mendimeve
e të reshë me to
gjethe të thara jete!…
Duket sikur vetë këto rrethana fati e jete, siç janë vuajtja, dhembja, fatkeqësia, janë partnerë të poetit. Aty, në atë errësirë, aty ai e ka edhe shkëndijën e zjarrit hyjnor, shkëndijë që ndizet mu në vorbullën e çastit të rëndë të dhembjes, që flakëron në orën e rëndë të zhgënjimit.
Nganjëherë zgjimi i kësaj vetëdije është i hidhur. Sigurisht që lexuesi do ta ketë parasysh pamjen e heroit të jetës nëpër vepra arti që ndeshet me të ligën e me fatin e rëndë; janë njerëzit e mëdhenj që ndeshen kundër së keqes. Ata e kanë guximin që i jep energji e gjak ekzistencës dhe jetës. Poeti nuk dëshiron ta ndiejë lidhjen, por mposhtjen e së ligës. Kurse plaga merr tiparet e urtisë së jetës. Dhembja shndërrohet në djegie të qenies, në vetëflijim. Secila vuajtje, secili zhgënjim, secili trishtim a pikëllim, secili mjerim, është një mesazh i madh.
2. Poezia dhe vetmia
Kahdo që të shtegtojë, kudo që të jetojë, tek alpet shqiptare apo ato zvicerane, ai e sheh se bota është një skenë e madhe e sprovave njerëzore.
Njerëzit ende përqafohen me marrëzinë, kur mendojnë se shkatërrimi i jetës së tjetrit, qenka mirëqenie vetjake! Kjo skenë bote sikur e dërgon Njeriun e Mirë drejt çmendurisë, kurse heroin e jetës e gjunjëzon! Porse në brendinë e poetit ka një zë që rri gjithnjë zgjuar, i ndezur, për të ligjëruar, për ta shqiptuar atë që e mundon, për ta shfaqur dritën e shpirtit të tij. Protagonist i kësaj drame, antagonist i saj, spektator i saj dhe udhërrëfyes i saj, është vetë folësi lirik.
Poeti gjithnjë shtegton me vetminë:
e nuk i numëroj
sa të djeshme
kanë kaluar
me vetminë e këngëve të mia…
Kurse Henry Miller, shkrimtar amerikan, do të thoshte: “Një artist është gjithmonë i vetëm – nëse është një artist. Por ajo që i duhet artistit është vetmia.” Do të thoshim: vetmia krijuese. Vetmia, posi mendimi, shfaqet në shumë ngjyra, vetmi durimi a pikëllimi:
e shpërndahet
në qindra ngjyra
vetmia e durimit (…)
Atëherë
vetmia bëhet kurorë pikëllimi-
Poezia shfaqet si sinonim i përsosmërisë, pastërtisë së ndjenjës, sinqeritetit, virtytit, veprimit të drejtë. Krijimi poetik tërheq vijat e veta nëpër hartën e jetës, nëpër hartën e atdheut e nëpër labirintet e historisë. Dhe kudo shfaqet e bukura që lëviz nëpër kthesa, nëpër rrëpira jete e ekzistence; që shqiptohet si magji e çliruar nga bashkat e gënjeshtrës. Është ai çasti kur ndien nevojë t’i rimendosh gjërat, botën, faktet, realitetin; çasti për t’u ndjerë i frymëzuar për ta rimarrë vetveten. Për ta shijuar vetminë duke qenë vetvetja. Për t’i trajtuar gjërat i vetëm, po ashtu përbën një sfidë guximi. Të qëndrosh i vetëm, përbën edhe një sfidë guximi. Do të jesh i ndryshëm nga të tjerët. Jo pse poeti nuk e dëshiron qëndrimin me të tjerët, por pse ka njerëz që të bëjnë të ndjehesh i vetëm. Te poezia “Bregorja e vetmisë” poeti këndon:
çuditërisht kam mbetur në bregoren e vetmisë
zërin e këngët i ndjej
përtej shpirtit të vargjeve
e sillen vetëm
rreth një pishtari të Dritës!…
herën tjetër te vetmia i gjen kikat e mendimit për fatin e njerëzimit në trajektoret e fatit:
Ka marrë fund
apo nuk ka marrë fund
mbyllja në vetmi
nuk ka rëndësi,
ne
nuk i dimë
trajektoret e fatit,
janë ato paste esullimi ku poeti e shtron pyetjen se nga duhet të shkojë njerëzimi, kombi, atdheu; ku duhet t’i kërkojmë vlerat e thesaret tona të brendshme. Kush duhet të jemi? Është ai çasti i përjetimit të emocionit të thellë por edhe i thellësive të mendimit. Pa mbufatje po e themi se ky vëllim poetik është një ekzemplar i rrallë mendimi për këto trajektore fati (metaforë e poetit). Sado që ai reshtet pas vetmisë, megjithatë ai nuk e do situatën e tillë, sepse të kërkosh vazhdimisht veçimin na shoqëria, ti shndërrohesh në fantazmë, në hije të tmerrshme:
A jemi përherë
viktimat
e shfrimeve satanike
që kalojnë
nëpër vdekjen tonë,
apo hije të tmerrshme
nëpër errësirë,
3. Poezia dhe thellësia e përsiatjeve
Me vetminë ndërlidhet ngushtë kundrimi i thellë i përsiatjeve. Janë ato situata kur poeti ndjen e mendon thellë, mu si para pasqyrës së rruzullimit, duke shtruar pyetje e shpesh duke marrë përgjigje të pakëndshme. Janë ato gjendje, ku ai thellohet nëpër hapësirat e skajet e vetvetes e të botës. “Gjithsesi heronjtë e vërtetë nuk janë njerëzit që bëjnë gjëra; heronjtë e vërtetë janë njerëzit që vërejnë gjëra, duke i kushtuar vëmendje” (John Green). Brahim Avdyli është kundrues i vëmendshëm i vëzhgimit të rrugëve të shpirtit dhe rrugëve të të vërtetës. Në këso çastesh, shpirti poetik shpalos fletët e tij të frymëzimit,
prej njërës formë kalon
në tjetrën formë materia e jetës
e një flluskë e energjisë
është vetë shpirti!…
më saktësisht të muzës së tij që i ligjërojnë nga thellësi fshehtësie:
Në radhë të parë
ta japim një këshillë
mos e shiko botën asnjëherë për gjykim
Në këtë kundrim ai kërkon blatën e tij të brendshme që t’i realizohet si vlerë ekzistence e jete. Poezia është medium i tillë, ku folësi lirik ka një botë të pasur ndjesish, meditimesh, sintezash të përsiatjeve. Aq gjatë poeti e pret këtë blatë shpirti:
duke pritur vite të tëra
shpërblimin e merituar të përsiatjeve
Dhe çka i ndodh:
në vend të tyre vjen
ironia e mospajtimit.
Janë, këto, shtresime shpirti, të ardhura nga përvojat e jetës. Janë kërkime brenda jetës, dhe vetës. Janë gjendje çekulibruese, por poeti resht ta gjejë këtë drejtpeshim midis shpërblimit dhe ironisë së mospajtimit: aty ku jeta gjendet e fshehur. Nuk është thënë më kot se u dashka vuajtje e madhe për të depërtuar në brenditë e shpirtit, për ta hapur, mandej atë, në përmasat e madhështisë. Ngjet mu si kundrimi i një peme, së cilës nuk ia shohim rrënjët që e mbajnë të fortë atë.
4. Arti i fjalës
Vargjet vijnë si rrjedha burimesh nga brendia e frymëzimeve të muzës, derdhen nëpër delta drejt një deti që quhet këndim poetik. Poeti kundron këto rrjedha, i kundron njerëzit, por e thotë të vërtetën e tij.
Poeti e ndien jo vetëm së thelli artin e fjalës, por e ndien edhe peshën e tij:
peshoni fjalët tuaja
me peshoren e artit
Te poezia “Stacioni i poezive të mia” ai u thur himn vargjeve të tij, frymëzimeve të tij, i zhdrivillon poetikisht procedimet e tij të gjykimit, vlerësimit, gdhendjes së fjalës, mençurisë së saj, raporteve art-jetë, raportet e komunikimit artistik me rrafshet e domethënies. Edhe shumica e titujve të cikleve e sugjerojnë mendimin poetik mbi frymëzimin, muzën dhe vargjet. Së këndejmi, ky vëllim ka një strukturim serioz, ku secili varg, secila poezi de secili cikël, gjejnë vendin e tyre dhe ndërtojnë ngrehinën poetike. Ato formojnë një tërësi të vetme, harmonike dhe domethënëse. E përbërë nga ciklet: PARAFJALA, NGJYRAT E MENDIMIT, SIMBOLIKA E DHEMBJES, NË KONTEKSTIN E IRONISË, PARADOKSET E KOHËS SONË, NËN PLAFIN E TRISHTË, IKJE NGA DHEMBJET dhe MBI FJALA, ndërtojnë atë që quhet arkitekturë e veprës letrare, pra thurin strukturën e formuar dhe të plotë midis fjalës, vargut, poezisë, ciklit dhe gjithë librit. Mesazhi poetik jepet me koncizitet që buron nga vargjet e nga tërësia poetike. Kur poeti dëshiron të këndojnë tema serioze, atëherë vargu i tij është i shtrirë, me përmasa epike, me reliefë alpinë. Ndërsa lirizmi, një tjetër vlerë e këtij libri është si ai shpirti që tërhiqet kah regjione e hapësira të panjohura të thënies lirike, kah nyjat e padukshme të lidhnisë së këtij shpirti poetik:
Të mbeti peng një vullnet i përhershëm në shpirtin e vargjeve
deshe t`ua ngjallësh shpresën e madhe të diellit të vegimeve tua
(Vegimet e përmallshme të gëzimit)
Poeti ndahet me këtë peng vargjesh nga muza e tij e vargjeve.
Tetor 2020