Për Ditën e Librit, në Bibliotekën Kombëtare u mbajt një mbrëmje me plot aktivitete

24 Prill, 2019 - 12:30 pm

Mbrëmë për nder të Ditës Botërore të Librit, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt një   mbrëmje mbi poetikën dhe letërsinë. Gjatë mbrëmjes u zhvilluan aktivitete të ndryshme si diskutime, muzikë, poezi dhe lexime nga dashamirë të librit, shkruan KultPlus.

Nën atmosferën e ngrohtë  të tingujve të muzikës  filloi edhe hapja e mbrëmjes, ishte Arta Hoda nga organizata “Etea”, e cila nisi fjalimin duke i uruar mirëseardhje publikut që gjendej në sallë dhe duke treguar për ngrohtësinë që të jep libri, letërsia, edhe çdo gjë që vjen nga bota e librit.  

Mbrëmja vazhdoj më pas me një diskutim të hapur mbi “të drejtën e autorit” ku në panel ishin të ftuar drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku dhe drejtori i zyrës ligjore, Valon Kashtanjeva. Gajraku tregoj rreth mënyrës se si Biblioteka Kombëtare e Kosovës rregullon të drejtën e autori në kushtet që ka.

“Biblioteka Kombëtare e Kosovës është depoja e gjithë korpusit kulturor të shkruar, të shtypur duke përfshirë të gjitha formatet që mund të ruhen sot në këtë epokë . Po flasim për të drejtën e autorit në formatin kulturor lëndorë ku Biblioteka Kombëtare e Kosovës deponon brenda kësaj hapësire gjithë veprimtarin që përfshin dijen, letërsinë dhe artin që prodhohet në Kosovë, dhe rëndom tek ne vinë përdorues për të huazuar materiale dhe fati i këtij materiali që e prodhojnë autorë është në duart e lexuesve”, tha Gajraku gjatë diskutimit.

Lidhur me temë për të drejtën e autori fjalën e mori edhe drejtori i zyrës ligjore, Valon Kashtanjeva i cili tregoj se çfarë ka bërë Kosova në këtë drejtim dhe si po mbrohet e drejta e autorit nga institucionet.

“Kosova në këtë drejtim deri më tani ka punuar në aspektin e legjislacionit ku është krijuar baza ligjore e cila ofron mundësin e mbrojtjes së të gjitha veprave që mbrohen me të drejtën e autorit. Të gjitha fotokopjet që janë në Kosovë, të cilat kryejnë fotokopjime të kapitujve të librave për nevoja private jo të librit të plotë duhet t’i kompensohen autorit”, tha Kashtanjeva.

Ai nuk la pa përmendur edhe aspektin e plagjiaturës duke e parë si një nga problemet kryesore  të së drejtës së autorit e ku sipas tij dënohet edhe me ligj.

“Plagjiatura është problematik mjaftë e theksuar, të gjithë ata që krijon vepra origjinale e dinë kopjimi, marrja e pjesëve të teksteve të caktuara  është e ndaluar më ligj, është jo etike dhe përbën shkelje të drejtës së autori dhe dënohet me ligj”, shtoj më tej Kashtanjeva.

Pas diskutimin u luajtën disa pika muzikore në piano nga Shkurte Gashi, duke vazhduar më pas me pjesë e leximit të poezive , ku të ftuar ishin Agon Rexhepi, Donika Dabishevci dhe Florent Kurtalani. Pas poezive mbrëmja vazhdon më muzikë qytetare nga Andi Sadiku dhe Fatjona Matoshi, e krejt në fund mbrëmja u përmbyll më lexime të shkurtra nga Ndue Ukaj dhe Ulpiana Maloku. / KultPlus.com

Të ngjajshme