24 Tetor, 2018 - 11:15 pm
Nicole O’Dell
Unë e kuptoj. Kam qenë unë ajo gruaja në Ditën Ndërkombëtare të Nënës, pikërisht ajo gruaja që ka rënë dikur në dashuri me një bebe që nuk e ka takuar kurrë; ajo që ndihet nënë në çdo fibër të trupit, por që nuk ka fëmijë. Kam qenë unë ajo që për çdo ditë vija dorën mbi barkun bosh, duke pyetur veten nëse një ditë do të mund të barte një foshnjë. Një foshnjë që do të mund ta shikoja të rritej dhe të mësonte e të dashuronte çdo ditë të jetës. Kam qenë unë ajo nënë që digjesha të mbaja në krahë pjellën time jo vetëm për Ditën e Nënës, por për çdo ditë. Kam qenë unë njëra nga ato. Ndaj ta di dhimbjen. T’i njoh lotët që rrjedhin faqeve ashtu si vjedhurazi, kur askush nuk po të sheh. Ta njoh trishtimin, që hera-herës zëvendësohet nga zemërimi, pastaj nga dhimbja e thellë, pastaj… nis çdo gjë nga e para.
U ula në një cep të kuzhinës në shtëpinë e prindërve të mi, të njëjtin cep që zija kur jetoja ende me ta, vetëm se tani jam një dekadë më e madhe, e fryrë nga hormonet dhe me stomakun copë nga barnat e panumërta që isha e detyruar të pija. U përpoqa vërtet të mos e jepja veten, që të mos prishja humorin e të tjerëve. Tek e fundit, ishte Dita e Nënës, një ditë që shumica e celebron gëzueshëm.
Por unë nuk jam pjesë e kësaj shumice… ende jo.
Kishim bërë plane të ndiqnim një festival aty pranë, por moti nuk ishte në anën tonë. Ndërsa mendonim se me çfarë do ta mbushnim kohën, im shoq hyri në kuzhinë dhe më tha se do të shkonte të darkonte me të vetët, edhe pse e kishim kaluar tërë mëngjesin me ta. Kur e pyeta nëse duhej të shkonte patjetër, ma ktheu: “Është Dita e Nënës. Meqë nuk mund të shkojmë gjëkundi për shkak të shiut, atëherë po shkoj me time më”. Në atë moment, im shoh më theu zemrën. Ende sot jam e bindur se ai nuk e kupton se ajo fjali ishte si një grusht i rëndë në stomak.
Im shoq është i mrekullueshëm. Në momentet e vështira, ndërsa u nënshtrohesha terapive, mbështetja e tij ka qenë lehtësim, por ndonjëherë edhe më të mirët nuk kanë idenë më të vogël se ca fjalë vrasin. Sidomos një grua që nuk mund të mbartë fëmijë. Numërova hapat e tij ndërsa bëri për nga dera. Ndjeva derën që u mbyll pas kurrizit tim, në të njëjtën kohë që krahu i gjyshes më mblodhi shpatullat, ndërsa dëgjova pëshpërimën e saj: “Nuk duhej të të kishte lënë vetëm”. Kaq mjaftoi që lotët të gjenin rrugën e tyre, por për herë të parë nuk isha vetëm, nuk ndihesha vetëm.
Po e shkruaj këtë që të kuptoni se nuk jeni vetëm. Edhe burrat më të përgjegjshëm ndonjëherë do të hedhin një hap gabim; edhe miqtë më të ngushtë; edhe familjarët më të afërt nuk do t’i kuptojnë plotësisht makthet e tua, shqetësimet e tua nëse nuk i kanë provuar vetë më parë.
Dhimbje të tilla të bëjnë nënë më të mirë… kur të vijë momenti yt.
Unë nuk e di nëse ti që po e lexon këtë shkrim do të lindësh një fëmijë tëndin ose do të bëhesh nënë e një fëmije që nuk ka gjakun tënd. Por të premtoj se në një mënyrë apo tjetër, me fëmijë ose jo, zemra jote prej nëne do të nxjerrë kryet në ato gjërat e vogla në dukje, që vetëm një nënë mund t’i kuptojë.
Përktheu: E. Qose