17 Korrik, 2020 - 9:28 am
Nga Jusuf Buxhovi
Nuk duhet fajësuar Serbia për propagandën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës me anën e librave, që vazhdon ta bëjë prej afër dy shekujsh, duke u përpjekur që ta përvetësojë trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve me ç’rast Kosova paraqitet “djep i historisë dhe kulturës së saj”.
Kjo u pasqyrua më së miri me Pakon e Ahtisarit kur krishterimi mesjetar si një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore e shqiptarëve bashkë me monumentet e kultit iu dorëza kishës ortodokse serbe dhe me këtë edhe “tapitë shpirtërore” që ajo po mundohet t’i kthejë në “tapi historike”!
Natyrisht, se ky peshqesh antihistorik dhe antikombëtar që iu bë Serbisë, nuk do të ishte i mundur edhe pa heshtjen e i institucioneve tona akademike dhe shkencore, qoftë pse janë pajtuar me këtë, qoftë pse nuk kanë vepruar në planin shkencore që të nxirret në shesh e vërteta për Kosovën shqiptare nga antikiteti, mesjeta dhe deri te koha jonë në përputhje me të drejtën historike, etnike dhe jetësore që e ka në të gjitha fazat.
Përkundrazi, historiografia institucionale në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni vazhdon të ruajë diskursin e plotë të historiografisë hegjemoniste serbomadhe të shekullit të kaluar dhe ikonografinë e saj për “Kosovën djep mesjetar serb”!
Krahas kësaj, duhet fajësuar edhe politikën e Kosovës, sidomos qeverinë dhe diplomacinë e saj, e cila nuk ka treguar as më të voglin interesim që edhe ato vepra nga historiografia apo gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve nga viti 1877-1999 të autorëve të përkushtueshëm, të botuara viteve të fundit, disa prej tyre të përkthyera në anglisht kanë gjetur vend në universitetet amerikane dhe të vendeve të tjera, të gjejnë vend edhe në zyrat e institucioneve shtetërore ose nëpër ambasadat tona në botë. Përkundrazi, vendin e librave e kanë zënë çallmet patriotike dhe patetika folklorike! Pra, është koha që e vërteta të shiehet ashtu si është!… / KultPlus.com