20 Qershor, 2020 - 9:30 pm
Nga: Nasho Jorgaqi
Emri i A.P. Çehovit i përket asaj plejade të korifenjve që e ngritën artin dhe shkencën ruse në kulme të pa para, që hapën rrugë të reja në artin dhe shkencën e përbotshme. Çehovi është përfaqësuesi i fundit i letërsisë së madhe klasike ruse, ai mbyllë një epokë të ndritur letrare duke i dhënë botës vepra të pavdekshme.
A. Çehovi konsiderohet me të drejtë një nga shkrimtarët më të mëdhenj realist që ka njohur letërsia e shekullit të tij, një artist i rrallë i fjalës, një mjeshtër novator i tregimit dhe i dramës realiste.
Ai ka përshkruar me guxim në veprat e tij gjeniale, realitetin e tmerrshëm të Rusisë cariste dhe e ka demaskuar atë pa mëshirë. Çehovi sipas Gorkit, nëpërmjet fjalës së tij realiste; “Zgjonte ndërgjegjen dhe mendjen e lexuesit, ngjallte te ai dëshirën për ta përmbysur jetën e padrejtë”.
Realisti i madh gjatë tërë jetës, pati besim në forcën e popullit, në njeriun e mrekullueshëm rus, ai shpresonte në të ardhmen e atdheut të tij, dhe mendonte në fillim të shekullit të XX se “jeta dhe njerëzit po bëhen gjithnjë e më të mirë, më të zgjuar dhe më të ndershëm”.
A.Çehovi jetoi dhe krijoi në një kohë të errët dhe të rëndë për fatin e Rusisë. Është koha kur në Rusi sundon obskurantizmi, kur lëvizja revolucionare ruse kalon një periudhë tranzicioni, narodnizmi ka pësuar disfatë, ndërsa marksizmi akoma s’i ka forcuar mirë pozitat e tij. Lenini duke folur për vitet ’80, e pat krahasuar këtë epokë me atmosferën e burgut, por ana tjetër, ai pat vënë re se: Në Rusi nuk ka pasur kurrë ndonjë epokë për të cilën mund të thoshje si tashti se “i erdhi radha mendimit dhe arsyes”.
Pikërisht në këtë epokë mendimi revolucionar rus filloi të punojë më intensivisht, duke krijuar bazat e botëkuptimit social-demokrat. Po, ne revolucionarët nuk mund të mohojmë kurrë rolin revolucionar të periudhave reaksionare.
Çehovi, duke jetuar në një periudhë të tillë tranzicioni, qëndroi larg lëvizjes revolucionare dhe nuk mori pjesë në jetën politike.
Këtë qëndrim të shkrimtarit, studiuesit e tij, e shpjegojnë me faktin se Çehovi kish lindur dhe ish edukuar në një ambient shumë mikroborgjez, pa interesa politike dhe me arsyen se Çehovi nuk shihte më jetën shoqërore të Rusisë s’atëhershme ndonjë parti të tillë politike që t’ishte e zonja të sillte ndryshime. Ai s’kish besim as tek liberalët borgjezë, as edhe te narodnikët.
Në të vërtet botëkuptimi i tij ishte më i përparuar se e tyre. Por, duhet nënvizuar se apoliticizmi, e pengoi shkrimtarin për t’u thelluar në esencën revolucionare të epokës, për t’u lidhur me klasën punëtore ruse. Ai ëndërroi për një jetë më të mirë, të arsyeshme, të bazuar në punën e lirë të njeriut, veç si shumë shkrimtarë të kohës së tij, nuk i zbuloi rrugët dhe mjetet që do ta çonin popullin drejtë lirisë së vërtetë.
Anton Pavlloviç Çehovi lindi në 29 janar të vitit 1860 në Taganrog, një qytet buzë detit Azov, në familjen e një bakalli të vogël. Gjyshrit e tij, si nga babai dhe nga nëna ishin fshatarë bujkrobë. I jati qe njeri shumë i rreptë dhe fetar. Ai e detyronte Antonin e vogël të punonte në dyqan dhe të këndonte në kishë. “Ne ishim tamam si të internuar…Në fëmini, unë nuk kam pasur fëmini”- ka shkruar më vonë Çehovi për këtë kohë.
Mbasi mbaroi shkollën greke të qytetit, Antosha hyri në gjimnaz me sakrifica të mëdha.
Gjimnazi i Taganrogut si gjithë shkollat e atëhershme jepte një kulturë të kufizuar dhe kish mësues si Belikovi, heroi i novelës “Njeriu në Këllëf” që i trembeshin çdo gjëje të re përparimtare. Çehovi i ri, duke qenë i pakënaqur nga shkolla, fillon e jepet pas letërsisë dhe teatrit. Atë që s’ia jepte shkolla, ai e gjente nëpër librat dhe shfaqjet e teatrit të qytetit.
Kur Çehovi ishte 16 vjeç, i jati falimentoi në tregti dhe u detyruar të iki nga Taganrogu dhe të vendoset me familje në Moskë.
Antosha i ri, qëndroi në vendlindje, ai ngeli të mbaronte gjimnazin, por tashti filloi të punonte për të mbajtur vehten dhe familjen. “Varfëria më torturonte si dhimbja e dhëmballës”, me këto fjalë e karakterizon këtë periudhe të vështirë të jetës së tij.
Më 1879 Çehovi mbaron gjimnazin dhe vjen në Moskë, ku hyn në universitet, në fakultetin e Mjeksisë. Gjatë viteve universitare Çehovi fillon veprimtarinë e tij letrare duke botuar shkrimet e tij të para në revistat hummoristike. Shkrimet e kësaj kohe janë trillime të vogla, gazmore, anekdota, fejtone nëpërmjet të cilave Çehovi qesh e tallet me aspekte të ndryshme të jetës së atëhershme ruse.
Në të qeshurën e Çehovit ndodhet dhimbja ndaj njerëzve që kanë humbur dinjitetin njerëzor dhe urrejtjen karshi jetës meskine banale. p.sh. një tregim të vogël të kësaj kohe, përshkruan një episod të thjeshtë, por kuptimplotë, një nëpunës i kolegjit duke qenë i dehur, rrëzohet nga karroca dhe për këtë është i kënaqur sepse i ka dal emri në gazetë. Në periudhën e parë Çehovi për t’iu përgjigjur kërkesave të gazetave shkruan shumë. Vetëm, gjatë vitit 1885 boton 129 shkrime. Në vitet 1880-1890 boton katër libra me tregime, një nga të cilat nderohet me çmimin Pushkin.
Në 1886 mbaron Universitetin dhe del mjek. Profesioni asnjëherë nuk e pengoi Çehovin në punën letrare, përkundrazi e ndihmoi për të njohur njerëzit dhe jetën nga afër. Për këtë Çehovi ka thënë: “Mjekësia është gruaja ime legale, ndërsa letërsia e dashura e ime ilegale.” Në vitin e mbarimit të studimeve të larta, ai pati edhe një gëzim tjetër, Çehovi mori një letër lavdëruese nga shkrimtari i vjetër rus Grigorieviç ku ndërmjet të tjerash i thoshte: Ju kini një talent të mrekullueshëm. Duhet të çmoni dhe ta respektoni talentin që jepet aq rrallë. Pas kësaj letre, Çehovi fillon të sillet me seriozitet ndaj punës letrare, tematika e veprave të tij merr një kuptim me të thellë shoqëror dhe ai si autor mban një qëndrim kritik më të përcaktuar ndaj problemeve sociale dhe ngjarjeve. Tashti ai i braktis gazetat humoristike dhe i boton veprat e tij ne gazeta dhe revista letrare. Të kësaj kohe janë tregimet e njohura për “Nën/oficeri Prishibejev” dhe “Vdekja e nëpunësit”.
-Në vitin 1890 Çehovi bën një udhëtim të gjatë dhe shkon deri në Sakalinë. Këtu ai sheh jetën e mjerë të rusëve që ishin shpërngulur me forcë dhe të internuarve politikë. Përshtypjet e tij nga ky ishull i tmerrshëm, që ai e quan “skëterr”, Çehovi i shkruan në një letër të veçantë që e botoi posa u kthye.
Për disa kohë, Çehovi duke u përpjekur të gjejë një botkuptim të drejtë, përqafoi Tolstoizmin…., idenë e të moskundërshtuarit të së keqes me forcë dhe pastaj idenë tjetër të përhapur në kohën e tij se përparimi mund të arrihet ngadalë duke kryer punë të vogla. Por jeta e bën Çehovin që të shkëputet nga këto ide të gabuara dhe kjo shihet nga novelat “Pavjoni Nr.6”, “Jeta ime”, “Kaçubet e rrushit të tokës”, “Fshatarët” ku autori kërkon ndryshime në jetën ruse nëpërmjet një lufte t’ashpër, të guximshme dhe të shpejt. Në novelën “Pavjoni Nr.6″ dënohet pa mëshirë tolstoizmi: aty përshkruhet jeta e një spitali provincial ku sundon rrëmuja, arroganca. Në figurën e doktorit Ragin, demaskohet inteligjenca ruse, pasiviteti dhe dobësia e saj që s’është në gjendje të bëj asnjë ndryshim.
Njerëzit e përparuar të kohës e merrnin Pavjonin Nr.6 si Rusinë e viteve 90 – ku ishte vështirë edhe jeta edhe puna. Lenini pasi e lexoi tregimin i tha së motrës i tronditur: “Kur e mbarova mbrëmë këtë tregim, e ndjeva vehten jashtëzakonisht të trishtuar, nuk mund të rrija, dot në dhomë, u ngrita dhe dola jashtë. Kisha përshtypjen sikur edhe unë ndodhesha i mbyllur në Pavjonin Nr.6.”
Duke ndjekur traditat e Gogolit, Çehovi në një sërë tregimesh tall dhe godet pa mëshirë manifestimet e ngushtësisë mendore dhe varfërinë shpirtërore, jetën e mbyllur dhe të pas punëve boshe që nuk kanë asnjë vlerë shoqërore. I tillë ishte tregimi i famshëm “Njeriu në Këllëf” ku Çehovi nëpërmjet mësuesit Bjelikov, demaskon figurën tipike e intelektuale të kohës, i cili duke pasur frikë nga çdo gjë e re veçohet nga realiteti dhe mbyllet në vetvete, futet në këllëfin e tij, Bjelikovi është pjellë tipike e gjendjes së rëndë që ishte krijuar në Rusi në vitet fundit të shekullit të XIX kur shtypej çdo mendim lire dhe përparimtar. Bjelikovi përsërit shpesh shprehjen e tij të preferuar: “Vetëm të mos më ngjasë gjë mua”.
Një nga veprat mi të mira të Çehovit është tregimi “Joniç” dhe këtu heroi i veprës është një intelektual. Autori me një forcë të madhe përgjithësuese artistike tregon vdekjen shpirtërore të një intelektuali rus, në një ambient pa jetë, në një atmosferë mbytëse, siç ish Rusia e atëhershme. Çehovi, megjithëse qëndroi i shkëputur nga lëvizja revolucionare e kohës, prapëseprapë, me gjenialtetin e tij, ai i ndjen ndryshimet e afërta që do të ndodhnin në shoqërinë ruse dhe pasqyroi këtë, në një ose në një tjetër në veprat e tij fundit.
Për këtë Gorki më 1901, shkruante; çdo tregim i ri i Çehovit, i forcon gjithmonë më tepër një notë thellësisht të vlefshme dhe të nevojshme për ne, notën e gjallërisë dhe të dashurisë për jetën. Vepra më optimiste dhe më e qarta përsa i përket ideve ishte tregimi i tij i fundit ‘E fejuara” ku autori flet me besim për të ardhmen që e pret Rusinë. “E fejuara” është historia e një vajze aristokrate, e Nadjes, e cila nën influencën ë Sashës, e një të riu me mendime përparimtare, shkëputet nga ambienti i saj dhe nga i fejuari mikroborgjez dhe shkon drejt luftës. Sasha i thotë Nadjes: Gjëja kryesore është të përmbyset jeta dhe të gjitha të tjerat nuk kanë rëndësi. Kjo notë pozitive ndjehet edhe në novelën “Tre vjet” ku Shkencëtari i ri Jorlev thotë: “Në daç besoni, në daç mos besoni, po unë jam i bindur se po rritet një brez i mrekullueshëm. Çehovi është nga mjeshtrit më të mëdhenj të prozës. Ai i ka të rrallë shokët në letërsinë e përbotshme. Novelat më të mira janë kryevepra të kësaj gjinie. Tregimet e tij, të vogla duke iu nënshtruar gjenisë së tij krijuese u ngritën në lartësinë e tregimit epik. Novelat dhe tregimet e Çehovit dallohen për shumë anë origjinale. Autori duke venë në qendër të veprës një problem të kohës, e konkretizon këtë nëpërmjet detajeve psikologjike në personazhe të gjallë dhe realist. Çehovi, si mjeshtër i madh që ishte formuloi ligjet e tregimit.
Ai kërkonte që shkrimtarët të shkruajnë shkurt e thjeshtë. Çehovit i përkasin shprehjet: “Lakonizmi është motra e talentit “. Arti të shkruarit është arti i të shkruarit shkurti”. “Duhet të shkruajmë thjeshtë”. ‘Për mjeshtërinë e Çehovit, L.Tolstoi ka thënë: Çehovi si artist ka një formë origjinale. Ti e shikon burrin e botës të lyej me ngjyra pa ndonjë kuptim ashtu si i vjen dhe duket sikur këto ngjyra s’kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Por po u tërhoqe pakëz dhe i vështron së largu, atëherë prej së tërës merr një përshtypje të mrekullueshme: para teje shfaqet një tabllo e qartë, e pa përshkrueshme”. Në vitin 1897 Çehovi u përkeqësua shumë nga shëndeti dhe mjekët e këshilluan të shkojë jashtë në ndonjë vend me klimë të butë. Po ai nuk deshi të shkëputet nga atdheu. “Pa Rusinë ndjehem keq, megjithmend keq” – I shkruante një shoku në këtë kohë. Ai preferon të banojë në Krime dhe më 1898 vendoset në Jalta. Në këtë qytet bregdetar me një vilë të rrethuar nga gjelbërime të përhershme ai kalon vitet e fundit. Kësaj periudhe i përkasin disa nga veprat e tij më të pjekura. Në këtë kohë, ai shkruan këtu: Mërzitem këtu në Jaltë dhe ndjej se jeta po më kalon pranë dhe po më ikën. Për fat të mirë shoh dhe kuptoj se jeta dhe njerëzit po bëhen gjithmonë më të mirë, më të mençur, më të ndershëm.”
Shtëpia e Çehovit në këtë kohë vizitohet nga shumë përfaqësues të shquar të kulturës ruse. Aty vijnë shkrimtarë si V.Korolenko, kompozitori Çajkovski, piktori Levitan, këngëtari i famshëm Shaljapin dhe veçanërisht shkrimtari proletar M. Gorki. Gorki miqësohet shumë me Çehovin, ai e çmonte shumë talentin e shkrimtarit të ri. Në vitin 1902 kur Gorki nuk u pranua në Akademi, Çehovi shenjë proteste, refuzoi titullin e akademikut të nderit që ia kishin dhënë më 1900. Çehovit nuk i eci shëndeti as në Krime, sëmundja e gjoksit përparonte vazhdimisht. Pas këshillave të mjekëve, ai u detyrua ta lejë përgjithmonë Rusinë dhe në qershor të vitit 1904, sëbashku me të shoqen O.Kniper, (aktore e shquar e Teatrit Artistik të Moskës) shkon në Gjermani dhe vdes në Baden në 15 korrik 1904. Vdekja e Çehovit qe një humbje e madhe për letërsinë ruse dhe të përbotshme, ai vdiq në kulmin e lulëzimit të forcave të tij krijuese. Gorki, duke folur për këtë ka thënë: Kur vdiq Çehovi, Rusia humbi një nga bijtë e saj më të mirë….e deshi dhe vuajti për të…”
Që nga vdekja e Çehovit ka kaluar më shumë se një shekull. Koha vërtetoi se ai është një artist i madh, vlera dhe madhështia e të cilit nuk do të vdesin kurrë.
Revolucioni i Tetorit hodhi dritë dhe zbuloi para masave milijonshe figurën e Çehovit, krijoi mundësinë që trashëgimia e tij të Çmohet dhe shijohet nga populli. Lenini e ngrinte lartë disa herë Çehovin si shkrimtar me vlera të mëdha: ai e ka përmendur disa herë Çehovin në veprat e tij. Në atdheun e tij, Çehovi gëzon një dashuri dhe popullaritet të pa masë: veprat e tij janë përkthyer në të gjitha gjuhët e popujve ish sovjetikë, në tirazhe rekord, shtëpitë e tij janë kthyer në muze, janë ngritur statuja, me emrin e tij, janë pagëzuar vende dhe institucione të ndryshme.
Ai është një mësues i së bukurës dhe i së vërtetës.
Në Shqipëri Çehovi ka filluar të njihet që kur ishte gjallë me tregimet e përkthyera në gjuhën shqipe nga shkrimtari Milto Sotir-Gurra.
Çehovi njihet në historinë e letërsisë edhe si dramaturg novator. Ai filloi të merret me dramaturgji, kur teatri rus ishte në tatëpjetë. Çehovi, me dramat e tij, e afroi shumë skenën me jetën, ai e paraqiti jetën në skenë ashtu siç është. Qëllimi i dramave të Çehovit nuk është ta prek spektatorin me efekte të jashtme, por ta bëjë atë, të lidhet shpirtërisht me skenën.
Për këtë Çehovi thotë: “Në jetë nuk ndodh që çdo minutë njerëzit të vriten, të varen dhe të bëjnë deklarata dashurie dhe nuk ndodh që çdo minutë të thonë gjëra të mençme. Për këtë arsye dramat e Çehovit dallohen për përmbajtjen e thellë shoqërore, për zhvillimin e qetë e të thjeshtë të ngjarjeve” për paraqitjen realiste dhe zbulimin e psikologjisë së personazheve, për lirizmin e ëmbël që i përshkon.
Për të gjitha këto vlera janë përkthyer në gjuhën shqipe dramat e tij kryesore dhe një pjesë e tyre janë vënë në skenë nga regjisori i talentuar Andrea Malo, shoqëruar me një studim të Nasho Jorgaqit “ Dramaturgjia e Çehovit dhe dramat e tij lirike”.
Por lexuesi shqiptar është njohur me pjesën më të madhe të tregimeve të tij duke filluar nga koha kur Çehovi ishte gjallë nga shkrimtari patriot Milto Sotir-Gurra. Për të vijuar në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX dhe për t’u pasuruar me shumë tregime të tij të përkthyera në vitet ‘40 deri në ditët tona nga përkthyesit T. Zavalani, S. Caci, V.Kokona, J. Doksani, N.Jorgaqi, G. Halilaj, R.Vullkani etj.
Çehovi tanimë është bërë nga shkrimtarët më të dashur dhe më të lexuar nga lexuesi shqiptar, studiuesit dhe nga brezi i ri.
Këtë e dëshmon dhe ripërkthimi i disa veprave të tij me nivel cilësor më të lartë. /KultPlus.com