20 Qershor, 2020 - 8:30 pm
Tregim nga Ibrahim Berisha
Më erdhi radha edhe unë duhet të kallxoj përrallën time. Në orën dhjetë të paraditës së lodhshme nga vapa e korrikut, u vesha me rrobat më të mira dhe mbarova në mendjen time si do të dukej vendi ku unë do të kallxoja përrallën më të zakonshme. Është rasti im i fundit, mendova.
Isha në mes kur aty sy e vesh, ulur në karrigiet e bardha, me shishet plastike para, kurreshtarë më shikonin shtatë anëtarët anonim të komisionit. Prisnin të filloja.
Ky është më plaku, pëshëpriti gruaja pa më ndarë shikimin, që ishte anash burrit në mes. Ishte gara e përvjetshme për përrallën më të mirë. Rregullat e përcaktonin, një njeri mund të tregonte përrallën e tij vetëm një herë gjatë gjithë jetës. Më në fund, e munda refuzimin tim, dhe erdha i kurajuar nga bezdia e vetmisë.
Përrallë, por persnazhet duhet të jenë reale, shpjegoi faqekuqi. Ne jemi Komisioni i Traditës Gojore, sqaroi. Unë jam kryetari, ndërsa këta gjashtë afër meje, janë anëtarët e Komisionit. Je i qetë, më udhëzoi. Pastaj, bëri me dorë nga vajza me laptopin hp: Erza do ta mbajë procesverbalin dhe do të incizojë atë që ke për t’na thënë.
Unë mora frymë i përulur, e ata qëndruan të motivuar, për t’u dukur më zyrtarë dhe me autoritet të pashkelur.
Të erdhi radha, më në fund. Koha me fillu, tha anëtari me syze vezore, me kornizë të kaftë, ulur në karrigie plastike, mbrapa të cilit qëndronte muri i hirtë. Hapësira
mbrapa tullave, jo afër, së paku 50 metra larg, mbulohej nga një pemë e madhe, nuk e dalloja nëse ishte frashër apo arrë.
Nuk kemi kohë për të humbur, insistoi ai. Doni sqarime, u tregua zemërmirë.
Më zu paniku. Duart më dridheshin. Më ishte ngritur sheqeri se nuk mund t’i njomja me pështymë buzët.
Nuk duhet të kesh frikë, ndërhyri kryetari. Pse të keni frikë kur bëhet fjalë vetëm për një tregim. Të lutem, fillo!
Do ujë, më pyeti zoja.
Kam frikë, u përpoqa të arsyetohem. Secilën ditë ujku ha nga një dele.
Po, tha faqekuqi.
Nga shikimi, kuptova se këto fjalë nuk e kënaqën. Edhe?
Ujku për dhjetë ditë i ha dhjetë dele, vazhdova.
Pas njëqind ditëve bariu do të mbetet pa njëqind dele, foli e shtangur zoja që ktheu kokën kah vajza, e cila mbante procesverbalin. Hata, oh, pse, pyeti ajo.
Nuk thash më asnjë fjalë.
Komisionieret pasi pëshpëriten për disa sekondna krye me krye, në emër të tyre zoja më komtoi vendimin: Fatkeqësisht, koha për përrallën mbaroi.
Unë doja, doja…!
E fillove shumë keq, më kritikoi më flokëthinjuri, i cili gjithë kohën lunate me shishesh e ujit Kroi. Vazhdoi: Përrallat nisin me zë të butë: “Njëherë moti ish kanë një bari. Apo: një bari një kohë të largët kishte pasë njëmijë dele”.
E nisa keq përallën time, u arsyetova.
Por, koha jote mbaroi, më preu ai pa keqardhje.
Ka 78 vjet pres për të treguar përrallën time, provova t’i mëshiroj. E kam pritur gjatë këtë ditë!
Mos na lut, më tha faqekuqi. Koha jote përfundoi. Përralla jote nuk kishe fillim edhe s’ka si të ketë një fund.
Kam ëndërruar aq shumë këtë ditë, këmbëngula. Dua të tregoj epilogun.
Medet, foli me hutim të habitshëm zoja.
Kjo është një fatkeqësi e madhe. Nuk keni durim ta prisni epilogun. Vetëm unë e di çfarë ka ndodhur, fola.
Eilogu dihet, më tha faqekuqi.
I mpirë, nuk lëviza. Isha i thyer, i dërrmuar.
Pasi më nguli sytë, faqekuqi ra në mendime. Si thoni, vështroi të gjithë anëtarët e Komisionit. Mirë, tha.
Secilën ditë ujku përsëri vazhdoi të hajë nga një dele, fillova.
Po, tha kryetari i komisionit, Nga shikimi, kuptova se këto fjalë aspak nuk e kënaqën. Edhe?
Ujku për njëqind ditë i ka ngrënë njëqind dele, vazhdova.
Mos do të thuash, pas njëqind ditëve bariu do të mbetet pa asnjë dele, foli e shtangur zoja.
E vërtetë, pohova.
Edhe, pyeti i hutuar faqekuqi. Epilogu?
Unë isha bariu, thash i çliruar. /KultPlus.com