20 Maj, 2020 - 9:00 pm
Nga: Ndriçim Kulla
Raporti sundimtar-skllav në qenien e shkrimtarit që jeton nën diktaturë nuk është i njëjtë me raportin sundimtar-skllav në qenien e shkrimtarit që jeton në një vend të lirë. Shkrimtari që jeton nën diktaturë duhet të shtiret sikur i bindet një tirani që nuk është brenda tij, tiranit të vendit të tij. Shkrimtari që jeton në një vend të lirë nuk e ka këtë detyrim. “I vetmi tiran që unë pranoj në këtë botë është zëri i brendshëm”, ka thënë Mahatma Gandi. I tillë duket se është edhe tirani në qenien e shkrimtarit për të cilin flet Kadare. Pavarësisht se shkrimtari i madh mund të jetojë në një vend ku ka një tiran, i cili mendon se i binden të gjithë, duke përfshirë edhe shkrimtarin e madh, në fakt ky i fundit bën sikur i bindet tiranit të jashtëm, diktatorit në botën reale, por vetveten e tij të dyzuar e ndjen vetëm skllav të tiranit brenda qenies së tij. Por, ai është gjithmonë i përgjuar dhe i rrezikuar, sepse ky qëndrim përbën krim të rëndë shtetëror, jo vetëm faj letrar. Shkrimtari i madh që jeton nën diktaturë rrezikon të shkelë në fushë të minuar, kur zgjeron hapësirën gjeografike të veprës së tij letrare. Çdo qytet apo krahinë e shkelur jashtë kufijve të shtetit, në shtete e kontinente të tjera shihet me dyshim nga zyrat shtetërore që mbikëqyrin veprën e tij, si një akt tradhtie e mundshme ndaj regjimit. Si shumë po endet nëpër botë ky shkrimtar me imagjinatën e tij, nuk i mjaftojnë viset tona, qytetet, fshatrat me kooperativat bujqësore, minierat, pyjet ku masat punonjëse të ndërtojnë të ardhmen e lumtur nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver?
Në kapitullin e librit “Ftesë në studio”, ku Kadare flet për gjeografinë e veprës së shkrimtarëve të mëdhenj, na sjell shembuj të ndryshëm për perandoritë letrare, të krijuara nga shkrimtarët e mëdhenj. Për Balzakun, ai thotë: “Perandoria e Balzakut, ndonëse e ngritur mu në Paris, zonës më të shfrytëzuar në botë nga letërsia, vazhdon të jetë përherë mahnitëse. E ngushtë për nga kufijtë, një mbretëri në pamje të parë monotone, tamam mbretëri apartamentesh, sallonesh, zonjash në tryezën e tualetit të të cilave ka përherë nga një kambial, me karrocat që venë e vijnë nga ballot në zyrat e policisë, ose në pensione pikëllimtare, kjo është një mbretëri pa qiell e sidomos pa mister. Ajo i ngjan kështu një ngrehine pa bodrume. Por kur zhytesh pastaj në të, e kupton se edhe qielli, edhe ferri gjenden aty, të tretura në jetën e përditshme”.
<►>
Nuk mund të mos vihet re se bota e Balzakut është në një farë mënyrë e ngjashme me botën e qytetit të Gjirokastrës, që ka përshkruar Kadare te “Breznia e Hankonatëve”. Nga një anë të vjen mirë, por nga një anë të vjen keq që Kadare nuk u josh që të përzgjidhte botën e ngushtë të Gjirokastrës për ta bërë perandorinë e tij letrare. Kjo solli që letërsisë shqipe t’i mungojnë shumë kryevepra, por të tjera me siguri do t’i kishin munguar nëse shkrimtari do të kufizohej në botën e ngushtë të vendlindjes së tij. Për Servantesin Kadare thotë: “Universi i Servantesit ngjan i ngushtë, një lloj principate, ose më saktë krahine, me një copëz koloni në Afrikën Veriore dhe me pak det. Por kjo s’është veçse njëra pamje. Në trurin e çakërdisur të Don Kishotit dyzohet një botë tjetër dhe ne e braktisim herë pas here Mançën e thatë, për t’u lëshuar lirisht bashkë me mendjen e krisur të heroit në hapësirat e pafundme të çmendurisë”. Është e qartë që Kadare mendon se perandoritë e shkrimtarëve ndryshojnë nga perandoritë e tjera të ngritura mbi faqen e dheut dhe që mund të quhen të tilla vetëm nëse kanë një shtrirje të madhe në hapësirë. Historia na thotë se ai sundues që vepron në kufijtë vetëm të një qyteti, mund të krijojë e shumta një qytet-shtet, si ato të Greqisë së vjetër. Por në botën e letërsisë, siç thotë shpesh Kadare, ka ligje të tjera që sundojnë dhe këtu Balzaku është perandor edhe brenda kufijve të një qyteti. Po ashtu, edhe Servantesi brenda kufijve të një krahine. Kadare ka mendimin se në botën e letërsisë, ndarja e hapësirave gjeografike është bërë në mënyrë shumë më të butë se në botën e vërtetë, ku për to janë bërë shumë luftëra. Ai shkruan: “E kështu me radhë Gëte, Prusti, Suifti, Kafka, Tolstoi. Të gjithë rresht e kanë ndarë midis tyre pjesën më të madhe të globit tokësor, qetësisht, pa kurrfarë traktatesh dhe fisnikërisht, pa kacafytje e pa zhurmë”. Kjo që thotë Kadare është e vërtetë, por a ka ndodhur vërtet kështu nga mirësjellja?
Domethënë, a e kanë ndarë shkrimtarët e mëdhenj botën kaq urtë e butë, pa “dhunë”? Apo edhe ata si të gjithë konkuistadorët janë kacafytur egërsisht me njëri-tjetrin, shkrimtarë të gjallë e të vdekur të të gjitha kohërave, për të zënë territore?
Vetë Kadare e ve në dyshim që ky proces të jetë kryer në paqe, kur thotë pak më poshtë se: “Ndryshe nga pushtuesit, shkrimtarët mendohen shumë përpara se të zgjerojnë kufijtë. Ata i dinë mirë rreziqet, ndaj lidhur me këtë, çdo shkrimtar është në njëfarë mënyre një Napoleon në dimrin rus”. Vetëm kjo vërejtje që ka bërë Kadare si kalimthi është një ide që duhet të ndriçonte studiuesit për të shkruar shumë e shumë studime për gjeografinë e veprës letrare të shkrimtarëve të mëdhenj. Kadare nuk e shpjegon se çfarë frike kanë shkrimtarët për të marshuar në hapësira më të gjera gjeografike, por vetë fakti që ai e krahason këtë proces me fushatën e Napoleonit në Rusi do të thotë se bëhet fjalë për një luftë të egër kundër një armiku të dyfishtë, njeriut dhe natyrës. Se për fushatën e Napoleonit në Rusi është thënë se më tepër se armiku i gjallë, kundërshtari i tij Kutuzovi, e mundi gjenerali “Dimër”, domethënë dimri i tmerrshëm rus. Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se kjo luftë për të cilën flet Kadare zhvillohet sipas rregullave të letërsisë, të artit dhe nuk ka lidhje me dhunën e rëndomtë të luftërave që ka bërë njerëzimi. Megjithatë, Kadare insiston te krahasimi me luftën, duke thënë më poshtë: “Në qoftë se do ta përfytyronim universin letrar të një shkrimtari si një pushtim, poezia fare mirë mund të krahasohej me hedhje desantësh ose zbuluesish të parë. Është proza ajo, që ashtu si këmbësorët, e shtron një vend”.
Që të pushtohet një territor nga këndvështrimi letrar, duhet që ai të përshkruhet nga shkrimtari, duke nisur që nga njerëzit deri te peizazhet, qytetet, lumenjtë etj., duhet që atje, ashtu siç vendosen garnizonet ushtarake në një territor të pushtuar, të vendosen ngjarjet, personazhet dhe përshkrimet. Por, në botën e letërsisë klima është kapriçioze dhe shkrimtari që kuturis të hyjë thellë në hapësira të gjera, mund të ndeshë në “dimrin rus”, ashtu si Napoleoni. E thënë ndryshe, shpata e tij, që në këtë rast është pena, me të cilën ai ndihet aq i sigurt në disa vise, në të tjerat mund të mos jetë aq mrekullibërëse në dorën e tij, ose edhe më keq, mund të mos prodhojë asgjë me vlerë. Kadare ka një mendim interesant se shkrimtarët e vendeve dhe letërsive të vogla kuturisin në hapësira të gjera gjeografike më shumë se ata të vendeve të mëdha: “Mund të mendohet se shkrimtarët, vendet e të cilëve janë të vogla e kanë të vetvetishme ose të përligjur ndjenjën e kapërcimit të kufijve, me fjalë të tjera, ndjenjën e pushtimit. Ndonëse ngjan sikur ka njëfarë harmonie brenda këtij mendimi, thelbi i tij mbetet i pavërtetuar”.
Në fakt, mund të sillen shembuj të rëndësishëm, që janë në favor të tezës së Kadaresë dhe i pari ndër ta është Shekspiri. Anglia e kohës kur jetoi Shekspiri nuk shihej si një vend i madh (në atë kohë Skocia akoma nuk ishte bashkuar me Anglinë). Pothuajse gjatë gjithë jetës së Shekspirit, Anglia do të jetonte me rrezikun e pushtimit spanjoll. Dhe para se Anglia të krijonte perandorinë e saj, atë e krijoi shkrimtari më i madh i saj, si një perandori letrare. Shekspiri doli nga Anglia dhe shkoi në Danimarkë, Francë, Itali, Ballkan, Egjipt etj. Në kohën e Shekspirit, dy Amerikat nuk ishin populluar akoma me evropianë në atë masë, sa ai të vendoste ngjarjet e ndonjë drame të tij atje. Një tjetër shkrimtar i madh, këtë herë i një vendi të madh, siç ishte Volteri, jo vetëm që i ra kryq e tërthor Evropës, por pasi shkoi në Afrikë, Arabi, Turqi, Iran, hyri thellë në Rusi dhe si të mos mjaftonin këto, kapërceu edhe Oqeanin Atlantik për të shkuar në dy Amerikat. Volteri ishte me siguri i pari nga raca e shkrimtarëve që kuturisi të pushtonte botën, si të thuash, pra të ndërtonte një gjeografi globale. Nuk do të ishin të shumtë, ata që provuan ta bëjnë këtë gjë pas tij. Mes shkrimtarëve të mëdhenj, botëpushtuesit janë të paktë. Ashtu si në historinë e botës reale ku Cezari është i madh, por nuk është Aleksandër, që kuturis të pushtojë botën i vetëm, edhe në botën e letërsisë ka shumë shkrimtarë të mëdhenj që guxuan të bëjnë shumë gjëra, por iu shmangën sfidës së pushtimit të botës. Në botën reale, një prijës i madh që të mund të kuturiste të pushtonte botën, duhet t’i përkiste një vendi të madh, të rëndësishëm.
Në botën e letërsisë kjo gjë nuk është e domosdoshme. Lexuesi, kur është duke lexuar librat e një shkrimtari të madh, ndër idetë e tjera që krijon, është edhe ajo për të cilën Kadare thotë: “E ndonëse gjer më sot nuk janë botuar harta me zotërimet e tyre, ato janë në ndërgjegjen e të gjithëve. Është e vërtetë edhe se çdo njeri që lexon veprën e një shkrimtari të madh, hap pas hapi vizaton në mendjen e tij hartën gjeografike të shtrirjes së ngjarjeve të veprës së këtij shkrimtari dhe të përshkrimeve të tij. Por, lexuesit nuk mund të mos pyesin se përse mungojnë harta të tilla? Me të vërtetë nuk u ka shkuar ndërmend kritikëve letrarë të botës që të bëjnë të tilla, kur edhe ata si lexuesit nuk mund të mos kenë menduar për to spontanisht? Sigurisht që jo. Por, kritikët e mençur kanë menduar që t’i shmangin këto harta, se lexuesve mund t’u duket më pak i madh një shkrimtar me famë botërore, kur të shohin se sa pak shtrirje ka në hartë vepra e tij. Kadare shkruan për veten: “Për vite me radhë nuk e kam menduar asnjëherë gjeografinë brenda së cilës vërtitesha. Kjo ndoshta vinte nga fillimet poetike dhe dihet se një nga gjërat e para që mjegullon poezia është saktësia e hartës gjeografike”.
A ka qenë me të vërtetë kështu? Apo pas poetit të ri, që akoma endej në hapësira të mjegulluara, fshihej një shkrimtar i ardhshëm botëpushtues, një sfidë kjo, nga e cila ishin druajtur shumë shkrimtarë të mëdhenj në të shkuarën? Koha do të tregonte se ishte kjo e dyta.
Megjithatë, lexuesi i cili njihet me përshkrimet gjeografike të Kadaresë, nëpërmjet librave të tij, pa e ditur se cilët nga vendet që përshkruan shkrimtari i ka shkelur me këmbë dhe i ka shëtitur gjerë e gjatë para se t’i përshkruajë, në qoftë se ky lexues është njohës i këtyre viseve, e ka të vështirë ta dallojë se shkrimtari nuk i ka shkelur të gjitha viset që përshkruan në librat e tij. Këtë gjë kam pasur rastin që ta kuptoj vetë gjatë bisedës së rastësishme që pata me një kritik letrar amerikano-latin për Kadarenë, gjatë udhëtimit tim të parë në Panairin e Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, në 1999-ën. Amerikano-latini i cili ishte njohës i mirë i veprës së Kadaresë, më tha se Kadareja ishte njeri me fat që diktatori komunist Enver Hoxha krijoi marrëdhënie të mira me Turqinë, se kështu shkrimtari mundi të vizitonte shpesh dhe ta njihte mirë Turqinë, vendin ku gjendej ish-kryeqyteti perandorak otoman, i cili shfaqet aq shumë në librat e Kadaresë. Pa këtë mundësi që pati Kadareja për të njohur ish-perandorinë otomane në qendrën e saj, me siguri që Kadare nuk do të ishte në gjendje t’i shkruante ato vepra të tij të mrekullueshme për perandorinë otomane, përfundoi amerikano-latini.
Ai u habit shumë kur unë i thashë se Kadare, para vitit 1990, pra në kohën kur shkroi atë pjesë të veprës për të cilën fliste tjetri, nuk e kishte vizituar Turqinë, përveçse njëherë për pak ditë. Është e sigurt, i thashë unë se Kadare ka qëndruar për shumë më tepër ditë në Kinë dhe në Vietnam se në Turqi. Amerikano-latini u habit shumë dhe më tha se nëse ishte vërtet kështu, atëherë ky ishte një rast krejt i veçantë në letërsinë botërore që meritonte studime të veçanta nga ekspertët. Unë e miratova idenë e tij dhe shtova se shpresoja që të kishte studime të tilla, pse jo edhe nga studiuesit turq. Por megjithatë, deri më sot nuk ka pasur studime të tilla as nga studiuesit shqiptarë, e jo më nga ata turq.
Në fakt, të njëjtën ndjenjë si amerikano-latini pata edhe unë kur pas vitit 1990 bëra një vizitë për herë të parë në Stamboll, ish-kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Natyrisht që Stambolli i sotëm ndryshon shumë nga ai i periudhës osmane, megjithëse duhet thënë se shumë e shumë gjëra janë ruajtur që nga ajo kohë. Unë kisha me vete një guidë të Stambollit osman, ku tregohej se si kishte qenë qyteti në atë kohë me fotografi dhe me harta urbanistike. Nëpërmjet asaj që shikoja në qytet si dhe me ndihmën e guidës së hollësishme, u zhyta në të shkuarën dhe befas bëra një zbulim të çuditshëm. Kadare ka thënë një gjë, e cila duket qartë edhe nga leximi, se kur përshkruan kryeqytetin osman te “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” ka dashur të përshkruajë qendrën e kryeqytetit të shtetit komunist shqiptar, Tiranën, në itinerarin nga shtëpia e tij, te selia e Komitetit Qendror të PPSH. Kadare shkruan: “Rrugës për në shtëpinë botuese, u ktheva te hotel ‘Tirana’ për të pirë një kafe. Shpirtin e kisha të qetë, por me një qetësi të frikshme, të ngrirë si kristal. Nga qelqnaja e kafesë së hotelit dukej krejt sheshi ‘Skënderbe’. Ngrehinat e ministrive. Banka e Shtetit. Minareja e xhamisë dhe Kulla e Orës, gjysmë në mjegull. Gati pa dashur, si rastësisht, duart e mia nisën të shfletonin dorëshkrimin. Lërë, i thosha vetes, mos e trazo këtë vdekje të kristaltë… Por duart nuk më bindeshin. Dhe atëherë e kuptova se ai shfletim s’qe aspak i rastit. Sytë e mi u ndalën diku nga faqja e dyqindtë a treqindtë, aty ku niste ‘Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave’. E lexova ngadalë faqen e parë. Ndonëse kryeqyteti që përmendej në të duhet të ishte i perandorisë otomane, dukej fare qartë se ai qytet i përbindshëm, bashkë me Pallatin e tmerrshëm të Ëndrrave, nuk ishte veçse Tirana. Ja ministritë, ja Banka e Shtetit. Ja më në fund xhamia dhe Kulla e Orës në mjegull. Dhe më tutje ndërtesa masive e Komitetit Qendror… Dhe atje ishin mekanizmat, dosjet, skenarët e komploteve, gjithë delirët e kësaj bote plot ankth, ku fati më kishte dënuar të jetoja.
Unë në Stamboll bëra zbulimin e kundërt, se Kadare kishte përshkruar saktë edhe kryeqytetin osman në thelbin e tij totalitar. Sigurisht që atje nuk ishte Tabir Saraji i vërtetë, por disa pallatet e institucioneve perandorake të kohës otomane kishin hijen e Tabir Sarajit dhe imazhi i tij ishte i shpërndarë nga pak te të gjitha ato. Se në fund të fundit, Tabir Saraji në vizionin e Kadaresë është sinteza e shtetit totalitar osman. Përshtypja ime gjatë vizitës në Stamboll se po bëja të njëjtin rrugëtim si ai që përshkruan Kadare se po bënte Ebu Qerimi, ditën e parë që po shkonte në Tabir Saraj ishte shumë e fortë: Rruga gjer në Tabir Saraj ishte më e gjatë se ç’e kishte menduar dhe veç kësaj, në këtë sqotë mund të rrëshqitje mbi kalldrëm. Po kalonte përpara Bankës Qendrore. Më tutje dukeshin karroca të shumta të mbuluara me brymë përpara një ngrehine tjetër masive, që kushedi ç’ministrie ishte… Ra një orë diku nga e majta, me një tingull të bronztë, si në punë të vet, larg në mjegull… Larg iu duk se dalloi njërin krah të Tabir Sarajit. Kur u afrua dhe pak, e kuptoi se nuk kishte gabuar. Ishte vërtet ai, me kupolat e zbehta, të lyera me një ngjyrë, që dikur duhej të kishte qenë e kaltër, ose, së paku, ngjyrë gurkali, dhe që tani mezi dallohej nga sqota. Kjo ishte një nga pjesët anësore të tij, kurse hyrja duhej të ishte nga rruga tjetër. Ebu Qerimi i erdhi rrotull një sheshi gjysmë të shkretë, ku ngrihej një xhami me minare çuditërisht të hollë. Hyrja ishte vërtet nga rruga tjetër.
Kështu m’u duk se gjendesha paralelisht edhe në qytetin e përshkruar nga Kadareja te “Pashallëqet e mëdha” (“Kamarja e turpit”), “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (“Pallati i ëndrrave”), “Komisioni i festës”, “Qorrferma ni” etj. Në linja të përgjithshme mund të thuhet se kishte një ngjashmëri të çuditshme mes kryeqytetit osman real dhe atij të përshkruar nga Kadare. Ndoshta shkrimtari me gjenialitetin e tij kishte kapur thelbin e ngjashëm që gjendet në çdo kryeqytet totalitar. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me romanin e parë të Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, një pjesë e ngjarjeve të të cilit zhvillohen në Itali, një vend ky i cili shkrimtari në kohën që e shkroi romanin nuk e kishte vizituar ende. Një vend ku shkrimtari nuk ka qenë kurrë gjatë jetës së tij, Arabia Saudite, ka hyrë në gjeografinë e veprës së tij me një përshkrim shumë të ndjerë të Saharasë, që vlen aq sa një libër i tërë mbi një udhëtim në këtë shkretëtirë gjigande. Kadare shkruan për këtë në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje”: “Ishte një natë e errët, fund tetori. Aeroplani ynë kishte dy-tri orë që ishte ngritur nga aeroporti i Karaçit dhe i duheshin akoma dy-tri orë për t’u ulur në aeroportin më të afërt, atë të Kajros. Dhjetë kilometra poshtë nesh, e ftohtë, e vdekur, nën një hënë si prej kauçuku, shtrihej shkretëtira arabike. S’kishte gjë më të pikëlluar se ajo zbrazëti rëre, sipër së cilës pasqyrimi i hënës zhvendosej ngadalë si një sy pa jetë”.
Prej këtij udhëtimi ka lindur edhe një poezi e mrekullueshme, me titullin “Sahara”, për të cilën duket e pamundur që të jetë shkruar nga një njeri, i cili nuk e ka shkelur kurrë me këmbë këtë shkretëtirë:
Perandori e madhe e tharë,
Dikur pjellore, plot blerim.
Po ç’ dhimbje ke provuar vallë,
Kur parandjeve shterpësinë?
Kur zvogëlohej trupi i kafshëve
Dhe shtat i drurëve mbi dhe.
T’ u thanë në qiell vetëtimat
Si bobokuqet në shëndre.
Njëri pas tjetrit vdisnin shirat.
Dhe iknin retë me karvane.
Si ura që pas ikjes shemben,
Me rrapëllimë ylberet ranë.
Dhe gjithçka iku.
Të braktisën lumenj e zogj e flokë bore.
E vetme mbete më në fund
Në menopauzën madhështore
Marrë nga libri i autorit “Atlasi i Shkruar i Kadaresë” /KultPlus.com