16 Janar, 2021 - 10:16 pm
Liridon Mulaj
Një natë, teksa ecnim rrugëve të zbrazura të qytetit, më pate pyetur : Sa më do!
Dhe unë mbaj mend që të pata thënë:
“E dashur, prej vitesh tashmë vuaj nga një simptomë e çuditshme, e tmerrshme dhe neveritëse po ashtu. Në mëngjes herët kur sapo jam zgjuar dhe në errësirën e dhomës rri e ngul sytë në asgjë, mendoj për ditën e mëparshme. Kam ndjesinë se gjithçka në ditët e mija të shkuara e kam bërë gabim. Gjithçka që i përket së shkuarës ka trajtën e një lëndë të qullët që merr forma të ndryshme. Nëse e godet merr formën e pëllëmbës e nëse e shkel , do mbeten gjurmët e këpucës dhe nis e urrej veten. Mengjesi më merr frymën dhe më bën të mendoj se gjithçka kam bërë nga e shkuara e deri në atë çast ka qënë e poshtër, e pasens dhe e pakuptimtë. Veten e imagjinoj të zhveshur para armiqve dhe më ngjan sikur gishtat e tyre janë drejtuar drejt meje dhe më tallin. Mëngjeset e mija jane mynxyrë, më kallin datën dhe mëndja gjithnjë, shkon e gjen skutat më të thella të nënvetëdijes sime perverse. Kjo nuk është aspak motivuese. Dhe përballë kësaj katrahureje që më bën të urrej veten, ka vetëm një njeri , një fytyrë, një qënie e ardhur ashtu papritur në jetën time, si dëshmi se Zoti më do apo si dhuratë. Mbase si kompensim te gjithë asaj kohe të jetuar në tunel që më bën të kapem pas saj, si pas një force të madhe dhe të papërshkrueshme. Dhe vetja më ngjan me një Jezu Krisht të ringjallur , si dikush që s’ka asnjë të përbashkët me atë të shkuar të zymtë. Në këtë çast unë nis e vërej rrezen e diellit që ka depertuar nga dritarja dhe jeta nis e merr formë në mua nëpërmjet kësaj qënie e cila je ti. Ja pra e dashur, nëse do ta dish, të dua sa ajo rrezja e vockël e dritës që bie mbi dysheme çdo mëngjes, ajo rrezja që më ndjell drejt jetës, drejt teje..” / KultPlus.com