18 Shtator, 2023 - 10:58 pm
Sot, në një konferenë për media, Alda Bardhyli, Sibel Halimi dhe Arlinda Dudaj kanë ndarë informacione mbi kritetet për zgjedhjen e Poetit Laureat 2023-2025, shkruan KultPlus.
Parimet kryesore që përzgjedhin Poetin e dytë Laureat shqiptar janë vlerat e poezisë së mirë dhe pastërtia e figurës.
Duke pasur parasysh rrezikun që po kanoset nga intelegjenca artificiale, letërsia mendohet të jetë shpëtimi i vetëm.
“Po jetojmë në një kohë kur inteligjenca artificiale po e zëvendëson njeriun, duke e shndërruar mbase edhe vet këtë të fundit në një makineri që njeh veç iluzionin virtual, larg realitetit, shpirtërores.
Në këtë rend të ri shoqëror e kulturor, letërsia është shpëtimi i vetëm. “Poeti Laureat” do të shërbejë jo veç si promotor i poezisë si zhanër letrar por edhe si urë lidhëse e letërsisë me gjeneratat e reja”, ka thënë Alda Bardhyli.
Ndërsa Sibel Halimi nën cilësinë e Kryetares së Jurisë së “Poetit Laureat”, tha se ishte kënaqësi që sot njoftuan adhuruesit e poezisë për parimet bazë, që do të ndiqen gjatë procesit për ndarjen e këtij titulli, më të rëndësishmit në fushën e poezisë “Poeti Laureat”.
“Kënaqësi që sot në konferencën për media, në Tiranë në cilësinë e Kryetares së Jurisë së “Poetit Laureat”, bashkë me Drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe anëtaren e jurisë Arlinda Dudaj njoftuam adhuruesit e poezisë për parimet bazë që do të ndiqen gjatë procesit për ndarjen e këtij titulli më të rëndësishmit në fushën e poezisë “Poeti Laureat””, ka shkruar Halimi.
Komisioni për titullin “Poeti Laureat” i kryesuar nga poetja Sibel Halimi dhe anëtarë të tjerë; Poeti i parë Laureat Rudolf Marku, botuesja Arlinda Dudaj, gazetarja e kulturës Arta Marku dhe shkrimtari Ylljet Aliçkaj përzgjodhi sot 10 kandidatët për titullin “Poet Laureat” për dy vjeçarin 2023-2025.
Kandidatët:
Luljeta Lleshanaku
Ervin Hatibi
Natasha Lako
Flutura Açka
Sadik Bejko
Rita Petro
Arian Leka
Preç Zogaj
Ilirian Zhupa
Entela Tabaku
“Poeti Laureat” 2, do të shpallet në një ceremoni të posaçme në fillim të muajit Tetor./KultPlus.com