15 Tetor, 2019 - 12:45 pm
Konkursi i tretë për tregimin e shkurtë „Biber“ në të cilin morën pjesë autorët/et që shkruajnë në gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, boshnjake, kroate e malazeze ka përfunduar, përcjell Portalb.
Juria të cilin e përbën Rumena Buzharovska, Lejla Kalamujiq dhe Shkelzen Maliqi mori vendim për tregimet të cilat do të marrin shpërblime si dhe ato të cilat do të jenë të botuara në një përmbledhje.
Me vendim të jurisë u shpërblyen këto tregime:
· Çmimi i tretë: Mačetom ćeš me, mačetom ću te (Po më qëllove me shpatë, me shpatë do të të qëlloj), Tamara Kovaçeviq nga Lublana
· Çmimi i dytë: Lito (Vera), Ante Storiq nga Shibeniku
· Çmimi i parë: Glava (Koka) Monika Herceg nga Petrinja
Përveç këtyre tregimeve, në përmbledhje do të botohen edhe tregimet e këtyre autorëve dhe autoreve: Bojana Babiq, Luiza Bouharaoua, Dimitrije Bukviq, Gabrijel Deliq, Afrim Demiri, Milana Gajoviq, Tihana Gambirazha, Abid Jariq, Besa Kalaja, Mario Merxhan, Aida Sheçiq Nezireviq, Ernad Osmiq, Slagjana Nina Perkoviq, Nikola Petroviq, Isidora Petroviq, Aneta Petruševska, Dragana Rangjeloviq, Bojan Todoroviq, Stefan Slavkoviq, Gordana Stojanoska, Imer Topanica dhe Manja Veliçkovska.
Konkursi „Biber“ ka qenë i hapur nga janari deri në qershor të këtij viti. Gjithsej në konkurs kanë ardhur 464 tregime.
Temë e konkursit ishin të gjitha tregimet që lidhen me pajtimin në kontekstin e trashëgimisë së luftërave dhe dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, ato tregime të cilat mund t’i ndihmojnë mirëkuptimit më të madh mes njerëzve, zvogëlimit të urrejtjes dhe zhbërjes së paragjykimeve, pastaj tregimet kundër luftës, tregimet të cilat merren me ballafaqimin me të kaluarën, me zhbërjen e imazheve për armikun, me dhembshurinë për tjetrin, tregimet e guximshme të cilat guxojnë të ecin me këpucët e “armikut”, tregimet të cilat i lëvizin kufijtë dhe na hapin shtigje të ndërtojmë të ardhme më të qartë, më të sigurt e më të lirë për të gjithë./KultPlus.com