13 Qershor, 2022 - 6:30 pm
Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar Panairi i Librit “Prishtina 2022”, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni statusin e plotë:
Të dashur lexues,
Të nderuar bashkëpunëtorë, të nderuara media,
Edicionit të shumëpritur të Panairit të Librit, të 22-tit me radhë, i erdhi fundi shumë shpejt. Koha e gjatë që mezi pritëm ta kishim panairin na bëri ta duam aq shumë, ta presim aq shumë, saqë duket sikur ende pa filluar mirë përfundoi. Sa mirë që u rikthye, sa mirë që u ripamë, sa mirë që libri u bë kryefjalë kudo ku flitet shqip për këto gjashtë ditë, por sa keq që u krye kaq shpejt.
Më 2 qershor 2020 planifikohej Panairi i 22-të i Prishtinës. Meqë pandemia, 2 vjet nuk u mbajt. Më 2022 u rikthye ajo që na u mor më 2020. Dhe tanimë, falë rrethanave të jashtme, çdo edicion i panairit do të jetë i njëjtë në numër me vitet e shekullit XXI. Simbolikë pas simbolike…
Më 7 qershor 2022 u hap Panairi i 22-të i Librit “Prishtina 2022”, me ç’rast folën organizatori dhe kryetari i SHBK-së, Edon Zeneli, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, shkrimtari i ftuar nderi i Panairit Claude Arnaud bashkë me shkrimtaren, publicisten dhe gazetaren Klara Buda, shkrimtarja dhe drejtorja e QKL-së, Alda Bardhyli, dhe shkrimtari nga Kosova Agim Vinca.
Në panair qenë të pranishëm mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e më gjerë. U prezantuan mbi 20.000 botime të viteve të fundit e mbi 3.000 botime të reja të botuara nga panairi i kaluar te ky i sivjetmi. U promovuan mbi 30 vepra e autorë, u shënuan përvjetorë të rëndësishëm dhe qenë të pranishëm personalitete kryesore të jetës publike në Kosovë e Shqipëri. Qenë të pranishëm qindra shkrimtarë/e dhe njerëz të fushës. Të gjitha mediat vendore e regjionale e përcollën panairin e librit dhe kjo i dha jehonë të jashtëzakonshme punës së palodhshme të njerëzve të urtë e dijeshumë.
Të dashur lexues,
JU FALEMINDERIT që na dhatë pafund urime, mbështetje, dorështrëngime e përqafime! Faleminderit që ishit pjesë e festës së librit me ne!
Mirë u takofshim vitin tjetër, më 6 qershor 2023, në Panairin e 23-të të Librit “Prishtina 2023”.
Ju faleminderit!