10 Qershor, 2018 - 8:00 pm
Pjesëmarrësit e Panairit të Librit “Prishtina 2018” shprehen të kënaqur me interesimin e lexuesve për librin, teksa shprehen të zhgënjyer me ambientin ku është vendosur panairi.
Kjo pasi që sipas tyre, as ky jubile nuk i përmbushi kushtet e nevojshme për një panair të mirëfilltë të librit.
Përfaqësues të shtëpive botuese dhe dashamirë të librit bëjnë apel për krijimin e një ambienti që ofron kushte më të përshtatshme për prezantimin dhe promovimin e librit.
Drejtori i shtëpisë botuese “PEMA”, Edon Zeneli, tha se këtë vit është vërejtur që Shoqata e Botuesve të Kosovës ka investuar në aspektin estetik, por problem kryesor është se nuk ka një sallë të denjë panairesh dhe ekspozitash.
“Konsideroj se Prishtina është i vetmi kryeqytet evropian që nuk ka një sallë panairesh dhe këtu njerëzit ankohen, qoftë për klimën brenda, qoftë për ambientin që tashmë është shumë i vjetër dhe nuk është investuar fare në të, dhe kjo përbënë një lloj rëndese edhe për botuesit, por domosdo edhe për lexuesit. Do të thotë kritika jonë nuk drejtohet kah SHQK , por drejt institucioneve që ta marrin këtë punë me prioritet, që ta ndërtojnë një vend afër qendrës së Prishtinës, e cila do të shërbente në organizimin e ngjarjeve të tilla”, tha ai.
Gjatë ditëve të panairit, Zeneli tha se ka pasur interesim të madh të qytetarëve për librin, por edhe shitje më e mirë e librit.
“Ka pasur vizitor të shumtë, ka shitje jashtëzakonisht të mirë, ka interesim më të madh se viteve të kaluara dhe ne si botues jemi jo vetëm të kënaqur, por të stërkënaqur dhe viteve tjera do të mundohemi të paraqitemi edhe me më shumë tituj të rinj. Edhe pse shtëpia jonë botuese kishte diku rreth 10 tituj ekskluzivisht të rinj këtë panair, dhe mbi 20 që kanë qenë nga panairi i kaluar”, tha ai.
Ai shtoi se ndjehet mirë pasi që dy librat e shtëpisë botuese “Pema”, “Kthimi” i Albatros Rexhajt dhe “Inteligjenca emocionale” i Daniel Goleman ishin dy librat që i prinë listës së librave më të shitur të panairit të sivjetmë. Ndërsa Albana Velianj, përgjegjëse e botimeve shkencore dhe bibliotekës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ka bërë dallimin mes ambientit ku mbahet panairi i librit në Prishtinë dhe atij në Tiranë.
Velianj tha se përkundër asaj se në këtë jubile, pati rritje të të interesuarve për librin, ambienti lë për të dëshiruar. “Sivjet mund të themi se interesi i lexuesve ka qenë më i madh se vitin e kaluar. Sidomos, specifikisht lexuesit e rinj, studentët e interesuar për librat, sepse Akademia e Shkencave sjellë libra të karakterit shkencor të fushave të ndryshme. Besojmë se Panairi i librit në Prishtinë ka qenë dinjitoz në këto 20 vite, edhe pse sivjet ndoshta la pak për të dëshiruar për gjithë hapësirën e cila ishte e përqendruar bota e librit. Panairi i librit në Tiranë mund të themi se krijon hapësira më të mëdha për të përfaqësuar denjësisht të gjithë botuesit shqiptarë. Gjithsesi, panairi i Prishtinës mbetet shumë simbolik për nga prezenca e të gjitha shtëpive botuese që janë pjesëmarrëse dhe ka shumë rëndësi për hapësirën shqipfolëse”, tha ajo.
Për lexuesen Burbuqe Gashi, e cila kishte ardhur nga Klina për të blerë libra, e mira e këtij panairi është se aty gjen literaturën që e kërkon. Ajo tha se falë interesimit për librin, ndër vite ka arritur të organizojë në shtëpinë e saj një bibliotekë të vogël. “Viteve të kaluara ndoshta nuk ka qenë kaq i organizuar, por tash po. Po shoh se ka të interesuar për librin, për lexim. Shkallëve të pallatit kah u ngjita, pash se kishin blerë shumë. Dhe jam e kënaqur se është shumë mirë kur lexon një popull. Do të thotë nuk është mendja e fjetur”, u shpreh ajo.
Shoqata e Botuesve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka bërë publik edhe 5 librat më të shitur nga autorë shqiptarë dhe ndërkombëtar. Listës së librave më të shitur nga autorë shqiptarë i prinë “Kthimi” i autorit Albatros Rexhaj, pasuar nga “Lopa e makiatos” e Veton Surroit. Ndërsa “Vepra e plotë në prozën e shkurtër” i Ismail Kadaresë, “Mësimet e Diolës” i Diola Baftiut dhe “Veprat për Sanxhakun e Nishit” i Sabit Ukës, ishin tri librat tjera më të shitura. Nga autorët e përkthyer u veçuan librat: “Inteligjenca emocionale”, “Njëfarë z.Piekielny”, “Fiset shqiptare”, Historia e vajzës së humbur” dhe “Homo Deus”.
Ndryshe, Panairi i librit “Prishtina 2018” u hap më 5 qershor, për të vazhduar deri sot pasdite ku rreth orës 16 ka filluar edhe mbyllja e tendave, e në të cilin u prezantuan mbi 1 mijë e 400 tituj. Panairi i ardhshëm do të mbahet nga data 4 deri 19 qershor 2019, shkruan 21Media./ KultPlus.com