31 Janar, 2021 - 11:48 am
Veprat e Besim Xhelilit do të jenë më afër lexuesit gjerman, shkruan KultPlus.
Dy veprat e tij në gjuhën shqipe, të botuara në vitin 2019 janë përkthyer në gjuhën gjermane.
Poeti shqiptar nga Tetova, i cili jeton në Vjenë të Austrisë, sjell para lexuesve gjermanëfolës dy titujt e tij të fundit me poezi, vëllimin e tetë me radhë “Fragmente të një zemre të dalldisur…!” dhe i nënti “Vragë malli”.
Recensent i të dy vëllime është kritiku i mirënjohur shqiptar Prend Buzhala, për redaktimin u kujdesën Hasan Qyqalla dhe Ejup Ajdini, kurse kritkën letrare e ka bërë Migena Arllati.
Përkthimin në gjermanisht të këtyre dy lirikave të dashurisë e realizoi albanologu i njohur austriak Kurt Gostentschnigg, kurse pikturat e kopertinave janë vepër e piktores dhe artistes Saranda Kika-Bahtiri nga Mitrovica. Autori falënderon stafin punues në libra, të cilët gjithmonë i qëndrojnë pranë me mbështetjen e tyre.
Këto dy vëllime gjehen gjithandej në libraritë dhe bibliotekat, si dhe në platformat e shitjeve të librave në internet. Në linkun e mëposhtëm mund të gjehen librat direkt tek botuesi:
https://www.bod.de/buchshop/catalogsearch/result/?q=besim+xhelili
Më poshtë sjellim një cikël me lirika nga këto dy libra:
DY SY
Dy sytë e tu t’bukur, aq të përsosur
O sa janë të thellë dhe frymëzues
Por, një poet seç e kanë brengosur
Me atë shikim t’egër e pushtues…
SONATË
O këta sytë e tu një sonatë e përkryer
Brenda tyre një çerdhe e pavdekësisë,
E sikur rrugën me zili më kanë rrëmbyer
Disa valë të brishta brenda melodisë…
MELODI ME TINGUJ T’FIKUR
O melodi e qëndisur me tinguj t’fikur
Vjeshta sapo mbaroi e më s’u pamë,
Një lule n’mes vargjeve seç ka zbritur
Po pret t’pathënat që kurrë s’i thamë…
DIHATJE
Buzën pika t’verës po ta prekin
N’ato çaste hareje dhe kënaqësie
Timen ngrica akujsh seç e stepin
Nga dihatje t’lodhshme dashurie…
SI KAHERA
N’ballkon po qave sonte si kahera
Yjet po i pyete nëse jam gjallë e lotoj,
Do t’thonë se gjithmonë e gjithhera
Aty n’zemër t’kam e dot s’të lëshoj… / KultPlus.com