12 Shkurt, 2024 - 3:08 pm
Jeta Zymberi
Në KultPlus Caffe Gallery, një ngjarje e rëndësishme kulturore u shtrua sot përpara publikut të interesuar. Në këtë ambient të mbushur me frymë krijuese, PEN Qendra e Kosovës prezantoi aktivitetin e saj të gjashtë në kuadër të projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja”.
Synimi i këtij projekti është më shumë se thjesht të mbledhë një audiencë, është një përpjekje për të shtyrë përpara ndjeshmërinë letrare të brezave të rinj, duke i nxitur ata të kuptojnë rëndësinë dhe bukurinë e shkrimtarisë. PEN Qendra e Kosovës, me këtë iniciativë, dëshiron të sjellë në vëmendje rolin e librit, kulturën e leximit dhe të inkurajojë talentet e reja për të eksploruar dhe shprehur veten përmes poezisë, prozës, eseve, dhe më tepër, shkruan KultPlus.
Ngjarja e cila kishte mbledhur studentë, krijues e studiues u bë edhe më e këndshme me prezencën e gazetareve ukrainase që kanë gjetur strehim në Kosovë, Oksana Chykanch dhe Tetiana Kraselnykova. Këtë takim e hapi profesori Milazim Krasniqi në këtë rast në cilësinë e moderatorit, i cili edhe prezantoi temat e këtij takimi.
“Sot kemi dy autorë emblematikë, të veçantë në fushat e tyre. Avni Spahiun, një nga intelektualët dhe përkthyesit eminent i cili ka dërguar kumtesën e tij “Veçoritë e përkthimit letrar” pasi për shkak të disa problemeve shëndetësore e kishte të pamundur të jetë sot në mesin tonë, por kumtesën e tij do ta lexoj profesori Ibrahim Berisha, ndërsa për temën e dytë, “Si shkruhet poezia” do të flas profesori universitar dhe një ndër poetët më të mirë bashkëkohorë që e kemi, Sali Bashota”, tha Krasniqi.
Fillimisht fjalën e mori profesori Ibrahim Berisha i cili po e përcillte kumtesën “Veçoritë e përkthimit letrar” duke e ndriçuar kështu rrugën përballë sfidave dhe bukurive të përkthimit dhe duke na udhëzuar në botën e thellë të këtij arti të ndërlikuar.
“Procesi i përkthimit paraqet një komunikim artistik midis autorit, përkthyesit dhe lexuesit dhe fjalët e përdorura nga përkthyesi përbëjnë pjesën kryesore në procesin e komunikimit të ideve apo ndjenjave të autorit. Përkthyesi është ai që duhet të kuptojë, lexojë dhe interpretojë tekstin burimor i pari dhe ta përkthejë atë në një gjuhë dhe kulturë tjetër”, u shpreh Berisha, teksa theksoi se përkthimi nuk është thjesht përcjellje e kuptimit nga një gjuhë në tjetrën, por është gjithashtu një krijim.
Sipas, Spahiut, përkthyesi letrar duhet të zotërojë njohuri të mjaftueshme nga të dy gjuhët, atë bartëse dhe atë pranuese duke qenë në gjendje që të bart narracionin, stilin, disponimin, veçantitë krijuese dhe imagjinatën e autorit.
“Pozicioni i përkthimit në komunikimin ndërkulturor është thelbësor. Qëllimi i përkthimit është transmetimi i ideve dhe ngjarjeve nëpër kohë dhe hapësirë për të kuptuar diçka, për të realizuar, për të vërtetuar. Bota që është gjithnjë e më e ndërlidhur, përmes përkthimit përmbush një rol duke thyer barrierat gjuhësore. Nga pikëpamja profesionale, përkthyesit luajnë një rol si ekspertë të komunikimit ndërkulturor, ndërmjetës dhe urë lidhëse ndërmjet njerëzve.”
Një përkthim i mirë paraqet një sfidë të vërtetë krijuese që sjell kënaqësi si gjatë procesit ashtu dhe gjatë prezantimit të produktit final, dhe tutje, Berisha ndau me publikun diçka nga përvoja personale e Spahiut si përkthyes letrar i cili ishte shprehur se gjithmonë ka qenë i impresionuar nga dy prej intelektualëve të njohur shqiptarë, Noli dhe Konica, shkollarë të Harvardit, ndër të tjera edhe për shkak të përkthimeve të tyre të shkëlqyera letrare.
“Që të dy ishin edhe vetë krijues, poetë e publicistë të frymës europiane. Fan Noli i solli kulturës shqiptare disa nga kryeveprat botërore, ndër të tjera tragjeditë e shqipëruara të Shekspirit, kryeveprat e Servantesit, Bodlerin, Edgar Alan Poe-në, Khajamin, Ibsenin e të tjerë. Ai i bëri ata t’i flisnin lexuesit shqiptar në shqip. Konica ishte i një lloji tjetër intelektuali, më cinik, më skeptik dhe më i pakënaqur me gjendjen e emancipimit të shqiptarëve. Andaj, ai me më shumë përtesë përktheu disa nga veprat e shquara të autorëve botërorë, për shkak të skepticizmit të tij lidhur me aftësinë e shqiptarëve për të konsumuar e absorbuar veprat e mëdha botërore”, tha tutje Berisha teksa theksoi se interesimi i Avni Spahiut për përkthimin letrar erdhi spontanisht nga dëshira për t’ua sjellë edhe të tjerëve nga publiku shqiptar kënaqësinë që ka ndjerë vetë nga shijimi i veprave letrare nga kultura të huaja, por edhe për prezantimin e pjesëve të krijimtarisë sonë kombëtare tek publiku i huaj.
Në vazhdim, u zhvillua tema e dytë, “Si shkruhet poezia”, e drejtuar nga profesori universitar Sali Bashota. Fjala e tij u bë një udhërrëfyes për shkrimtarët e rinj, duke shpalosur teknikat dhe emocionet që përcjellin krijimin e një poezie të shkëlqyeshme.
“Poezinë time e frymëzojnë pajtueshmëria dhe papajtueshmëria e jetës me të gjithë përbërësit e saj. Poezia është pasioni dhe vetëdija krijuese më elitiste e letërsisë”, tha Bashota teksa shpalosi tutje se frymëzimi i tij buron nga shpirti e rikthehet në shkrim.
“Çdo poet synon ta ketë formulën e vet të ngjizjes dhe të harmonizimit të frymëzimeve, pra ta krijojë sistemin e vet të mendimit, i cili do ta karakterizonte individualitetin e tij krijues. Dua të them se poezia është ekzistenca e një bukurie të pashpjegueshme deri në fund, e cila synon ta përmbysë kohën e ankthit dhe të vuajtjes dhe ta fuqizojë kuptimin e saj të figurshëm dhe stilistik. Gjërat e kësaj bote mund të perceptohen përbrenda peizazhit të vet dhe përfytyrimi nga koha e tashme synon të mbizotërojë edhe në kohën e ardhme”, u shpreh Bashota.
Tutje profesori foli edhe për procesin e krijimit të një poezie të cilin e quajti një akt solemn.
Ndërtimi i ideve dhe konceptimi i imazheve, pra sistemimi i tyre në laboratorin e krijuesit është gjëja më misterioze. Çdo poezi ka filozofinë e vet të krijimit. Në mendjen time me ditë të tëra i rrotulloj idetë, për t’i sistemuar konceptet dhe imazhet në ballafaqim me procesin e frymëzimit. Për më tepër, procesi i krijimit të një poezie mbase zgjat me javë të tëra apo edhe me muaj. Është një sprovë e dilemave dhe e anktheve, e shtresuar përbrenda motivimeve të autorit: si do të funksionalizohet gjuha, ligjërimi, figura, stili apo komunikimi e përjetimi gjatë dhe pas procesit të krijimit të poezisë”, tha autori.
Një fenomen tjetër të cilin e potencoi profesori ishte dhe koha kur shkruan dhe stina që pëlqen. Sipas tij, koha e autorit është fenomeni më i veçantë në krijimtarinë e tij.
“Unë zgjohem në orët e hershme të mëngjesit. Çdo ditë lexoj, por nuk shkruaj çdo ditë. Pothuajse, gjithnjë shkruaj në mëngjes. Shumicën e poezive i kam shkruar në stinën e vjeshtës. Shiu dhe vjeshta janë shumë të pranishme në poezinë time. Gjithsesi, janë imazhe metaforike, të cilat e artikulojnë vizionin tim në poezi.”
Krejt në fund, profesori shpalosi edhe mësimet e tij nga veprat që i ka lexuar, në këtë formë duke nxitur dëshirën për lexim tek studentët e pranishëm.
“Në secilën vepër që e kam lexuar kam mësuar për dimensionin e jetës, të dashurisë, të vdekjes, të përjetësisë, por edhe të gëzimit, dhimbjes, lumturisë, fatit, etj. Secila vepër e ka vlerën e vet për lexuesin”, tha Bashota teksa krejt përfund përmendi edhe ndjesinë e vecantë që ka marr nga leximi i veprave të autorëve si: Homeri, Shekspiri, Dante, Prusti, Gëte, Kafka, Kaneti, Markezi, Eco, Borhesi, etj., pastaj veprat e Aristotelit, Platonit, Hegelit, Volterit, D’Akuinit, etj., si dhe veprat e shkrimtarëve shqiptarë: Naimi, De Rada, Fishta, Konica, Lasgushi, Kuteli, Mit’hat Frashëri, etj., si dhe të autorëve të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Sipas profesorit, leximi i veprave të mira, është gjëja më fatlume për një lexues. Madje, tha se veprat e tilla ia ndryshojnë jetën e njeriut.
Pas fjalës së profesorit Sali Bashota u hap një diskutim i lirë në mes të pranishmëve dhe panelit duke lënë kështu një shije të begatë për ata që e përjetuan.
PEN Qendra e Kosovës përmes këtij projekti bëri një hap të rëndësishëm drejt qëllimit të saj për të kultivuar dhe promovuar talentet letrarë në vendin tonë.
Ky projekt u mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com