4 Janar, 2020 - 11:30 am
Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim
Më shumë se të vendosim një kufi dallues mes këtyre tri veprimtarive përkthimore – të cilat jo medoemos kanë përse të gjenden, si të thuash, të “papërlyera” njëra me tjetrën – kam përshtypjen se është e udhës, për çdo sipërmarrje përkthimi, një qartësim paraprak që ka të bëjë me lëmin e një vepre të caktuar që mund të marrim në shqyrtim. Thënë shkurt, kemi përballë një tekst të karakterit shkencor apo të llojit letrar? Apo, çka e bën më të ndërlikuar dilemën, një vepër si një nga ato të historianit bashkëkohor italian Carlo Ginzburg, ku rreptësia hulumtuese nyjëzohet me një gjuhë të këndshme plot figuracion?, shkruan Exlibris.
Do të thosha, fillimisht, se njëfarë tradite kërkon që renditja e mësipërme të shkojë në një hap me atë përmasë fiction-i (trillimi) që një vepër e caktuar mund të ketë. Vështirë se shqipërimi do të ishte më i duhuri për një disertacion doktorate në të drejtën kanonike.
Njësoj, një monografi e karakterit shkencor, një antologji kontributesh në sferën e ekonomisë industriale apo gjeopolitikës rajonale, një traktat hijerëndë i biologjisë molekulare apo dhe një biografi e dokumentuar e ndonjë personaliteti të spikatur të periudhës politike (afërmendsh të nxehtë) të Luftës së Ftohtë, do të ishte fushëveprimi i përsosur për një përkthim të kthjellët, ku të ndrydhej çfarëdolloj tundimi shqipërues nga ana e përkthyesit.
Që do të thotë se vetë-depersonalizimi nga ana e këtij të fundit, në përcjelljen e një teksti të një natyre të tillë, duhet të mbretërojë në marrëdhënien mes origjinalit dhe përkthimit. Çka i kërkohet një përkthyesi, është një prurje e ngurtë (veç jo e gurtë) e tekstit origjinal në një gjuhë tjetër; ndërmarrje në të cilën ftohet të dalë në pah aftësia e tij prej interpretuesi, më shumë se – larg qoftë! – zotësia prej krijuesi, çka do të na vendoste brenda suazës së ushtrimit të mirëfilltë të interpretimit.
Krejt ndryshe ndodh në rastin e një vepre letrare, sidomos nëse duam përcjelljen e një krijimtarie poetike (le të mendojmë për një monument si “Eugjen Onjegini” pushkinian, apo një margaritar si “Sonata e hënës” e Ricosit). Këtu fillon të marrë trajtë gjithmonë e më domethënëse raporti dialektik mes përkthyesit dhe lexuesit të parë – që rastisin të jenë i njëjti subjekt. Dua të them se, në shumicën e rasteve, lexuesi i përditshëm, pra ai që merr në dorë një vepër në gjuhën e vet pa e njohur paraprakisht origjinalin (ose pa ditur ta lexojë këtë të fundit), është vetvetiu një lexues i dytë, i cili patjetër që “pëson” leximin e parë në renditje: atë që i ka dhënë veprës shqipëruesi. Do të ishte paksa retorike të ngrinim pyetje mbi praninë e këtij të fundit në atë çka është përcjellë pra.
Nëse Noli, exempli gratia, do të merrte përsipër të përcillte në shqip ndonjë reportazh mbi luftën civile në Spanjë, jam i bindur se nuk do të yshtej nga i njëjti tundim “shqipërues” si te “Don Kishoti” i Servantesit. Këtu ai jo vetëm tjetërson disa pjesë me qëllim për të afruar një lexues të caktuar shqiptar – të një epoke të caktuar – në një tekst spanjoll, por shkon deri atje sa ndërfut terma si “universitetet e Domosdovës, Librazhdit dhe Rrogozhinës”, të trilluara ex novo mbi një trill që tejkalon, deri dhe zë në besë, autorin origjinal.
Ekuilibri shpesh dinamik mes përkthyesit dhe lexuesit të parë, i stigmatizuar përmes kundërshtisë paradoksale traduttore/ traditore, është në të vërtetë çast kritik për t’u çmuar. Në këtë vazhdë, “tradhtia” është jo vetëm e lejueshme, por edhe e mirëpritur, nëse përmes kryerjes së saj i japim dum tundimit për ta parë marrëdhënien mes dy gjuhëve – origjinalen dhe shqipen, në këtë rast – si hapësirë problematizimi: mes të tjerash, në këtë mes mund të sfidohet, si dhe të ndreqet, paragjykimi i vjetër se gjuha shqipe nuk është mjaftueshëm e pasur për prurjen e veprave, fjala bie, të karakterit filozofik apo sociologjik (argumenti më i përsëritur në këtë vazhdë është se kjo gjuhë, për një sërë arsyesh kryesisht historike dhe politike, nuk ka terma të gatshëm për të përvetësuar elemente gjuhësore si, fjala bie, nocionet hegeliane, apo më keq, ato metafizike të skolastikës së ngrysur mesjetare). Pikërisht këtu, unë besoj, hyn nevoja e talentit personalizues të një shqipëruesi, ngase na ndihmon të kuptojmë se gjuha nuk është besëtytni, nuk është një standard i gozhduar përgjithmonë, por ideologji e prirur drejt lëvizjes zhvillimore, e si e tillë përherë në përçapje rikrijuese.
Të përkthesh nga gjuhë origjinale apo nga gjuhë e dytë
Nëse do të ndërmerrnim një krahasim, kuptohet se lloji i përkthimit të drejtpërdrejtë nga një gjuhë origjinale do të ishte shumë më i vyer se një kalërim përmes një a më shumë gjuhësh të tjera. Nëse vetë përkthimi është, në thelb, një akt ndërmjetësimi, mund të kuptohet se dyfishimi i aktit veçse i largon dy palët që janë ulur për të bashkëbiseduar. Së paku si distancë. Kjo vlen sidomos në rastet kur përfshihet përkthimi i një materiali fiction nga një letërsi tek tjetra.
Megjithëkëtë, një përkthim nuk është vetvetiu i mirë vetëm si pasojë e një kontakti të menjëhershëm mes origjinalit dhe gjuhës mikpritëse. Mund të jemi mjaftueshëm me fat që të kemi njohës të mirë të gjuhëve më të largëta me shqipen, por që nuk mund të klasifikohen automatikisht si përkthyer gjithaq të mirë. Siç mund të ndodhë edhe e kundërta; pra të kemi përkthyes shumë të mirë të cilët, edhe falë një pune të çmuar filologjike dhe kritike arrijnë të përcjellin në shqip, në mënyrë thuajse të përsosur, vepra dy gjuhë larg (shembuj të tillë ka plot, që nga përkthimi i Orestisë eskiliane prej Ismail Kadaresë deri te poezitë e Hikmetit nga ana e Mustafajt, të dy raste të sjella në shqip, besoj, përmes gjuhës frënge).
Aq më tepër që, nëse përkthimi nga gjuha origjinale do të trajtësohej me domosdoshmëri dogmatike, do të vështirësohej tejet kontakti mes lexuesit shqiptar dhe krijimtarisë në ato gjuhë e letërsi me të cilat, për rrethana nga më të larmishmet, kultura shqiptare nuk ka shtrirë ura bashkëpunimi kulturor (them, letërsia japoneze, ajo afrikane, apo ajo hebraike dhe apo jidish)./KultPlus.com