12 Shtator, 2020 - 11:16 pm
Përkthyesi shqiptar me banim në Suedi, Qerim Raqi, sjell në gjuhën shqipe veprën e plotë të fituesit të çmimit “Nobel” për letërsi në vitin 2011, Tomas Tranströmer-it.
Vepra që mban titullin “Enigma e madhe” përfshin poezinë dhe prozën e Tranströmer-it, gjatë viteve 1954-2004 (të gjitha përmbledhjet me poezi dhe libri në prozë “ Kujtimet më shohin”), si dhe një ese të shkruar nga poeti i njohur amerikan Robert Hass.
Hyrja e librit është shkruar nga shkrimtari, kritiku dhe anëtari i Akademisë Suedeze, Kjell Espmark.
Qerim Raqi i lindur në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliq) ka studiuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin filologjik në Prishtinë.
Në Halmstad të Suedisë ka studiuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi , me orientim të ngushtë Letërsi krahasuese. Ka botuar librin me poezi ”Gjak në mallin tim”, ”Era”.
Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shkruar:
Kam kënaqësinë të prezentoj përkthimin tim të shumëpritur, veprën e plotë të Tomas Tranströmer-it, me titull “ Enigma e madhe” , poezia dhe proza 1954-2004 , fituesit të çmimit Nobel për letërsi më 2011.
Këtu janë të gjitha përmbledhjet me poezi dhe libri në prozë “ Kujtimet më shohin”. Hyrjen e ka shkruar Kjell Espmark, shkrimtar, kritik dhe anëtar i Akademisë suedeze, kurse një ese e ka shkruar poeti i njohur amerikan Robert Hass.
Botoi “ Aleph” , Tiranë, 2020./diaspora shqiptare/ KultPlus.com