14 Tetor, 2023 - 12:01 pm
Gjeniu i letërsisë shqipe, Migjeni u përkujtua në 112-vjetorin e lindjes gjatë një aktiviteti të organizuar në Tiranë nga Qendra Kombëtare e Leximit dhe Librit.
Mes familjarësh, studiuesish dhe interpretimit të shkëlqyer të poezive të Migjenit nga aktorët Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Rajmonda Bulku dhe Kristaq Skrami, u nderua figura dhe vepra e shkrimtarit të madh.
Alda Bardhyli, drejtoresha e Qendrës kombëtare të leximit dhe Librit tha se “është bukur të përfytyrosh portretin e një djaloshi të brishtë, me flokët e krehur me kujdes, veshur me kostum, tepër elegant duke ecur mbrëmjeve rrugëve të Shkodrës, me një bllok të vogël me vargje në xhep”.
“Sikur të parandjente vdekjen, Migjeni nxitoi, si gjithë shkrimtarët që kanë parandjenja të tilla, të shkruante poezi që goditën e vijojnë të godasin kohën. Kjo është aftësia e artit të vërtet, i cili komunikon me çdo kohë, e ridimensionohet prej saj”, tha Bardhyli.
Gjithashtu gjatë aktivitetit u transmetua edhe një pjese e dokumentarit të realizuar shumë vite më parë nga Tefta Radi.
Migjeni lindi në Shkodër, më 13 tetor 1911, në një familje të varfër qytetare. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, në vitet 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë e tij letrare.
Poezia e Migjenit solli në letërsinë shqipe një problematikë të re, jetën e shtresave të varfra të shoqërisë shqiptare, temën e mjerimit e të pasojave të tij morale, përjetimin artistik të domosdoshmërisë së ndryshimit dhe vegimin e një bote tjetër, më të mirë e më të drejtë.
Migjeni u nda nga jeta në moshë të re, më 26 gusht të motit 1938, i sëmurë prej tuberkulozit./atsh/KultPlus.com