5 Janar, 2024 - 4:52 pm
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin, klerikun, publicistin Patër Anton Harapin (5 janar 1888- 20 shkurt 1946).
Patër Anton Harapi lindi më 5 janar 1888, në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Hungari e më pas filloi punë si meshtar në Grudë. Në vitin 1910 jepte mësim në Kolegjin e Fretërve në Shkodër. Në vitet 1918-1919 shërbeu si famulltar në Malësinë e Madhe.
Gjatë viteve 1922-1924 ishte drejtues e bashkëthemelues i grupit atdhetar “Ora e Maleve”. Punoi si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum” dhe më 1924 u bë drejtor i këtij institucioni. Më pas, në vitet 1930-1936 drejtoi revistën “Hylli i Dritës”.
Gjatë kësaj periudhe shkroi rreth 70 artikuj në revista të ndryshme dhe botoi disa libra. Në 1940-ën u zgjodh anëtar i “Institutit të Studimeve Shqiptare”. Në vitin 1943 u emërua anëtar i “Këshillit të Lartë të Regjencës” deri në fund të vitit 1944. U arrestua më 5 qershor 1945 dhe u pushkatua pas një viti, më 20 shkurt 1946./atsh/KultPlus.com