7 Shkurt, 2025 - 11:59 am
Më 7 shkurt 1941 u nda nga jeta gjuhëtari, historiani dhe arsimtari i përkushtuar, Mati Logoreci.
Logoreci lindi më 10 shkurt 1867 në Shkodër. Mësimet e para i mori në vendlindje. Për katër vjet ndoqi Kolegjin Saverian të qytetit, duke përftuar kështu njohuri lidhur me ekonominë dhe tregtinë. Në moshë të hershme punoi si shegert në shoqërinë tregtare të familjes Parruca, të emigruar në Itali. Në vijim të kësaj detyre, u dërgua si llogaritar në Trieste, ku kreu njëkohësisht edhe studimet për pedagogji.
Pas kthimit në atdhe në vitin 1889, shfaqi vendosmëri në drejtim të zhvillimit të arsimit. Logoreci ndërmori nismën për hapjen e shkollës së parë shqipe në Prizren, ku në cilësinë e mësuesit edukoi brezat e rinj. Mati Logoreci dha një kontribut të madh në përparimin e mësimdhënies në Kosovë dhe në veri të vendit.
Në vitin 1908, Logoreci së bashku me dom Ndre Mjedën mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Agimi”. Pas shpalljes së pavarësisë, shërbeu si mësues në Tiranë, ndërsa në vitin 1916 u emërua si funksionar për arsimin në Shkodër, kohë që përkon edhe me anëtarësimin e tij në “Komisinë e Letrare Shqype”. Në 1920-n iu ngarkua përgjegjësia për të përfaqësuar Shkodrën në Kongresin e Lushnjës.
Me rastin e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, Logorecit iu dha titulli “Mësues i Popullit” si dhe është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të klasit V./ KultPlus.com