9 Mars, 2025 - 12:05 pm
Muzeu Kombëtar i Gjetheve përkujtoi sot intelektualin, politikanin, botuesin Terenc Toçi.
Toçi lindi në Strigari të Kalabrisë më 9 mars 1880 në një familje arbëreshe. Mësimet e para i mori në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Urbino. Gjatë kohës si student boton broshurën “Questione Albanese” (Cështja Shqiptare).
Gjatë viteve 1908-09 ndërmerr një udhëtim të gjatë nga Amerika e Jugut në atë të Veriut ku merr pjesë në takime me koloni të shqiptarëve e arbëreshëve dhe predikon Shqipërinë e lirë e të pavarur.
Në kryengritjen antiosmane të vitit 1911, i mbështetur nga i biri i Garibaldit, ai drejtoi Kuvendin e Fanit në Mirditë, por pa vazhduar më tej me sukses veprimtarinë atdhetare në krijimin e një qeverie autonome nga ajo osmane.
Më 1913 merr pjesë në Kongresin e Triestes dhe po atë vit nxjerr në qarkullim gazetën politike “Taraboshi” në Shkodër. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, autoritetet italiane e shtrëngojnë të kthehet në vendlindje dhe të izolohet për disa vite.
Toçi u kthye në Shqipëri në vitin 1920 dhe caktohet prefekt i Korçës. Pas një viti vendoset si konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Egjipt. Në zgjedhjet e vitit 1923 u zgjodh deputet i Shkodrës. Më 1925 emërohet kryetar i Gjykatës së Kastacionit dhe më 1927, sekretar i përgjithshëm i presidencës.
Me vendosjen e monarkisë shqiptare, ai jep dorëheqjen nga çdo post politik si rrjedhojë e bindjeve republikane që kishte. Vetëm në vitin 1937 ai do të rikthehej në politikë duke drejtuar Ministrinë e Financave.
Gjatë pushtimit italian ka kryesuar Këshillin e Epërm Korporativ Fashist në vitet 1940-42. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, arrestohet dhe dënohet me vdekje nga Gjyqi Special në prill të 1945./atsh/ KultPlus.com