22 Shtator, 2021 - 10:44 am
Si sot më 22 shtator 1953, ndërroi jetë juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj.Ivanaj u lind në Podgoricë.
Studimet i kreu në Itali nga ku kthehet në Shqipëri me dy doktorata të kryera, një në fushën e jurisprudencës dhe tjetrën në fushën e letërsisë.Kur kthehet në Shqipëri përfshihet në fushën arsimore dhe të publicistikës. Rreth vitit 1932 ai bëhet pjesë e politikës dhe jetës parlamentare, ku kryesisht merret me çështjet e arsimit.
Projektligji i 11 prillit 1933 do të quhej si reforma “Ivanaj” dhe do të sulmohej jo vetëm në shtypin e kohës por edhe në arenën ndërkombëtare ku do të bëhej subjekt gjykimi i gjykatës ndërkombëtare të Hagës, pasi reforma solli mbylljen e të gjitha shkollave fetare në vend.
Pushtimi italian do të sillte largimin e tij nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme dhe rikthimin e tij në 1945 pas garancisë së qeverisë së re se karshi tij nuk ka proces gjyqësor të hapur. Emri i tij si pjesë e listës intelektuale do të përfshihej shumë shpejt në listat e sigurimit të kohës nga ku “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947.
Ai u akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpuntor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit ai humbi jetën në burg.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri përkujtoi Mirash Ivanaj duke publikuar disa fotografi dhe dokumente të tij si kërkesa drejtuar Masonerisë italiane ku ndër të tjera ankohet për shkollat në veri që kanë rënë në dorë të Klerit, dorëheqja e Ivanaj si ministër Arsimi drejtuar kryeministrit, pas 30 gushtit të vitit 1935. / KultPlus.com