22 Shkurt, 2024 - 9:59 am
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në 91-vjetorin e ndarjes nga jeta, poetin, shkrimtarin, gazetarin, përkthyesin e atdhetarin Hilë Mosi (1885-1933).
Hilë Mosi lindi në Shkodër, në vitin 1885. Në 1904-1908 kreu një shkollë për mësues në Klagenfurt (Austri). Ishte pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit dhe anëtar veprimtar i Komitetit të Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912), luftoi me armë në dorë, ngriti shoqëri patriotike e klube, drejtoi disa organe si “Shqipëtari”, (Stamboll, 1909-1910), “Shqypnija e re” (Shkodër, 1913-1914), “Agimi” (Shkodër, 1919) etj., duke u dalluar me veprimtarinë propagandistike në të mirë të çështjes kombëtare e përparimit të vendit.
Gjatë kohës kur drejtonte dikasterin e arsimit në fund të viteve ‘20, Mosi u përpoq për laicizmin e shkollës, duke vijuar kështu luftën e tij të hershme kundër shkollave të çelura nga klerikët. Shkrimet dhe vjershat e tij të para u bënë të njohura që më 1910 me pseudonimet Zog Sokoli, Liriasi etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi ndër të cilat “Zani i atdheut” (1913), “Lotët e dashtunisë” (1915) etj.. Për nga fryma e përgjithshme, i qëndron afër F. Shirokës, me tone romantiko-elegjiake. Në lirikat i këndoi mallit për atdhe dhe grishi Shqiptarët të bashkohen në luftë kundër pushtuesit (“Jashtë”, “Kënga e shoqërisë”, “Vëllazëria”, “Mashkullori” etj.), Një pjesë e tyre u vunë në muzikë dhe u kënduan si himne dhe marshe luftarake. Lirika e dashurisë e Hilë Mosit përbëhet nga këngë dhe balada romantike, ku përbri gëzimit, lumturisë dhe optimizmit vërehet edhe përmallimi, dhembja dhe dëshpërimi. Vdiq në Tiranë në shkurt e vitit 1933 dhe u varros në Shkodër. / atsh / KultPlus.com