23 Tetor, 2023 - 8:31 pm
Bashkia e Lezhës organizoi sot për të tretin vit radhazi Konkursin letrar mbarëkombëtar “At Gjergj Fishta”, në nder të 152-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, personalitete të fushës së artit dhe letërsisë, akademikë dhe të ftuar të tjerë të linjës.
Konkursi kishte në konkurrim 44 vepra në tri gjini: prozë (roman), vëllim poetik si dhe vepër studimore.
Juria e përbërë nga Mark Simoni, Diana Çuli e prof. Alfred Çapaliku vlerësuan me çmime disa nga veprat letrare më të spikatura, ndër të cilat:
Me çmimin “At Gjergj Fishta” për romanin më të mirë u vlerësua shkrimtari Primo Shllaku, me romanin “Pesha e padurueshme e pafajësisë”.
Me çmimin “At Gjergj Fishta” për vëllimin poetik më të mirë u vlerësua poetja Vlora Ademi me librin “Katërdhetë e pak”.
Me çmimin At Gjergj Fishta për librin studimor më të mirë u vlerësua shkrimtari Gjon Marku me veprën “Gazullorët. Traditë në Rilindjen Evropiane”.
U vlerësuan me “Çmim karriere” për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur nga Kosova Sabri Hamiti, si dhe shkrimtari i njohur Agim Isaku.
U vlerësuan me “Çmim karriere” (post mortum) për kontributin e tyre në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe dy shkrimtarët lezhjanë Ndue Gaspri dhe Daniel Gazulli./atsh/KultPlus.com