8 Janar, 2024 - 10:58 am
Më 8 janar 1826, lindi Gavril Dara i Riu, poeti më i shquar arbëresh pas De Radës, i cili u bë pjesë e lëvizjes letrare të kohës, duke vijuar në gjurmët e të atit.
Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos, ku kreu edhe studimet e larta për drejtësi. Më 1858-ën, botoi gazetën letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”.
Dara ka lënë në dorëshkrim një ndër veprat më të arrira të letërsisë sonë, “Kënga e sprasme e Balës”, i vetmi botim në shqip i mbetur nga krijimtaria e tij.
Ndoqi lëvizjen kombëtare dhe i shërbeu tokës mëmë përmes penës, duke zgjedhur si tematikë qendrore të veprës së tij, të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, sikurse De Rada.
Dara u nda nga jeta, në Girgeti, më 15 nëntor të vitit 1895. Bashkëlidhur, fotokopje dorëshkrimesh nga Arkivi i Palermos, të nxjerra nga Ponqueville, Zef Skiroi etj, lidhur me origjinën e fisit shqiptar ” Lala “, të përmendur nga Gavril Dara në “Kënga e sprapsme e Balës”. / atsh / KultPlus.com