10 Nëntor, 2020 - 11:17 am
Suada Qorraj
Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u jetësua figura e shkrimtarit të shquar, Rifat Kukaj, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të letrave shqipe, të ftuar në panel ishin, miku i tij i letrave Ibrahim Kadriu dhe studiuesja Dije Demiri Frangu nën udhëheqjen e Binak Kelmendit, të cilët me rrëfimet e fjalët e tyre shpalosën figurën e përjetshme të një shkrimtari të madh si Rifat Kukaj, shkruan KultPlus.
“Me 11 shtator të vitit 2005, në rërën e bregdetit të Ulqinit nga sulmi në zemër mbeti i vdekur Rifat Kukaj, duke pasur afër ‘Pshurranin e gjyshit’, nipin e tij të dashur të cilit ia kushtoi një libër të tërë”, filloi kështu fjalimin e tij Ibrahim Kadriu.
Ibrahim Kadriu ka shtuar se Kukaj ngrinte lartë nivelin e manifestimit me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme. Sipas tij ishte pikërisht sharmi i tij i veçantë që bënte të pranishmit të kërkonin më tepër nga ai.
“Rifat Kukaj ishte ai që ia ngrinte nivelin manifestimit me paraqitjen e tij të jashtëzakonshme me recitime, humor e aktrim. Sharmi i tij ishte i veçantë, i kapshëm për të pranishmit të cilët me duartrokitje në vazhdimësi kërkonin që sa më shumë të qëndronte përpara tyre”, tha Kadriu i cili tutje shprehu keqardhje që shumë nga paraqitjet e Rifat Kukaj nuk janë xhiruar me kamerë, sepse sipas tij shkrimtari ishte një humorist i lindur, që kishte dhënë shumë spektakle origjinale.
“Rifat Kukaj ishte një humorist i lindur i cili arrinte që rastet ti shoqëronte me mahitë shumë origjinale. Kur kihen parasysh ato prezantime të tij, që lirisht mund të thuhet spektakle shumë origjinale, të vjen keq që nuk janë xhiruar për të mbetur vlera të pa kapërcyera”, shtoi Kadriu.
Ndërkaq, nata e mbrëmshme e kthej pas në kohë studiuesen Demiri Frangu dhe e dërgoi pikërisht aty ku ajo kishte marrë hapat e saj të parë dhe kishte botuar librin e parë me poezi “Buzëqeshja s’është larg”, redaktor i së cilës ishte Rifat Kukaj. Dije Demiri ka shtuar se shkrimtari Rifat Kukaj posedonte një kreativitet të atillë që u shmangej rimave konvencionale dhe temave të shterura. Sipas saj ai nuk e ngarkonte poezinë me figura personifikimi.
Tutje Demiri ka thënë se “Rifati u jepte poezive deklamacion dhe bënte lojë kur i recitonte”.
Për Demirin, Rifat Kukaj mbante në vete intuitën e lindur prej krijuesi. Ajo ka shtuar se historia e letërsisë për fëmijë, por edhe antologjia e poezisë nuk mund të shkruhen e të bëhen një, nëse mungon Rifat Kukaj të cilën e cilësoi si një nga mësuesit tanë të letërsisë, që kishte lindur në një shoqëri analfabete.
“Rifati është ndër mësuesit tanë të letërsisë, sepse në një shoqëri analfabete, siç ishte Kosova pas Luftës së Dytë Botërore, ishte vështirë të lindnin krijues”, ka pohuar Demiri.
PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe dy mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Mensur Raifi dhe Mirko Gashi. Projekti i PEN Qendrës së Kosovës me titullin “Ora e shkrimtarit”, mbahet nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com