7 Prill, 2018 - 11:52 am
Përkujtojmë sot intelektualin, fratin françeskan, teologun, shkrimtarin, filozofin At Zef Pllumi.
At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në Shëngjin të Lezhë . Studioi në disa fusha si në teologji, letërsi, filozofi dhe përvetësoi mjaft mirë gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht dhe greqishte e vjetër.
Më 14.12.1946 u arrestua dhe dënohet me tre vjet burg,në moshën 22 vjeç. Nga viti 1949-1951 merret me numizmatikë në Muzeun e Shkodrës.Më vonë do të shërbej si meshtar i Dukagjinit për rreth 12 vjet. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme si në Spaç, Reps, Ballsh, Skrofotinë të Vlorës, Zejmen-Shën Koll, Shën Vasil dhe Tiranë.
Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet të kontribuojë në lëmin e kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.
Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën “Hylli i Dritës”.
Ai shkruan dhe boton triologjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”,“Erazmo Balneo”, “Saga e Fëmijnisë”,“Frati i pashallarëve Bushatlli”.
Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë ishte dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi përgjatë viteve të komunizmit, si edhe përpjekja për gjetjen e eshtrave të At Gjergj Fishtës.
Në vitin 2006, u dekorua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
Po në atë vit mori çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue” të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.
Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në, Romë, Itali dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.
Shënim: Data e lindjes i mbeti 7 prill ngaqë pat një rivendosje prej gjykatës civile mbasi doli për herë të parë nga burgu dhe nuk morën parasysh as datën e lindjes që pasqyrohej në regjistra shkollor, e as atë të shënuar në burg (që ishte tjetër). Ka dokumente ku figuron datëlindja në muajin gusht.