29 Maj, 2024 - 7:00 pm
Edicioni i IV i Festivalit të Letërsisë “ZaNa”, i mbajtur për katër ditë nga 22 deri më 25 maj 2024 në Mitrovicë, nën tematikën “Me art kurojmë”, solli një sërë ngjarjesh letrare dhe kulturore gjithëpërfshirëse për dashamirësit e letërsisë dhe artit.
Ky festival bashkoi komunitetet përmes artit, duke përfshirë aktivitete të ndryshme si netë poetike, punëtori kreative për fëmijë e të rinj, orë letrare, ekspozita multimediale dhe muzikë.
Në hapjen e festivalit, Shoqata e të Verbërve të Mitrovicës dhe grupi i shkrimit kreativ “Za” lexuan poezi, ndërsa Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit premtoi mbështetje të vazhdueshme për këtë festival.
Gjithashtu u organizua ekspozita e fëmijëve që realizuan punimet e tyre në dy anët e qytetit. Diskutimet me autoret austriake Barbara Marković dhe Friederike Gösweiner në Qendrën Kulturore Akvarijus në veri të qytetit, pasuruan më tej festivalin. Nata kryesore përfshiu lexim të poezive, muzikë dhe përkthime në gjuhën e shenjave, e moderuar nga Arbër Selmanaj.
Dita e fundit e festivalit u mbyll me një orë letrare nga poetet lokale dhe një koncert e ekspozitë multimediale, duke theksuar përfshirjen dhe mbështetjen nga Ambasada e Austrisë dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (Unmik).
ZaNa vazhdon të jetë një platformë e fuqishme për promovimin e letërsisë në Mitrovicë, duke ofruar një hapësirë gjithëpërfshirëse për artistët dhe komunitetet e margjinalizuara, dhe duke konfirmuar rolin e saj të rëndësishëm në pasurimin kulturor të qytetit./KultPlus.com