13 Maj, 2019 - 2:20 pm
Festivalit Ndërkombëtar i Letërsisë “Polip”, mbrëmë përmbylli suksesshëm edicioni e 9-të në menzën “Ramiz Sadiku” ku u lexuan poezi e tregime në gjuhë të ndryshme, shkruan KultPlus.
Në këtë mbrëmje lexuan Jasna Dimitrijevic nga Serbia, Mariklena Nico nga Shqipëria, Eleni Suela Douxi e cila lexoi në gjuhën shqipe dhe greke, Gerhard Meister nga Zvicra e shumë të tjerë.
Drejtori i qendrës “Multimedia” dhe organizatori i këtij festivali Jeton Neziraj, tha që gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve dhe se e veçanta e këtij festivali ishte edhe bashkimi i festivalit “Polip” me festivalin “GranFest” .
“Gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve edhe publiku ka qenë sivjet në numër shumë të madh e realisht nuk kemi pritur që të ketë numër kaq të madh dhe më vjen mirë për këtë. E veçanta e këtij festivali ishte edhe bashkimi i dy festivaleve, i kemi dhënë jetë një festivali të ri në kuadër të festivalit “Polip”, pra edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik “GranFest” tha Neziraj për KultPlus.
E bashkimi i këtyre dy festivaleve sipas tij ka funksionuar jashtëzakonisht mirë. Po ashtu Neziraj mbeti i habitur edhe me interesimin e madh të publikut për të marr pjesë në panelet që janë organizuar në kuadër të këtij festivali.
“Pjesa e paneleve ka shkuar shumë mirë po ashtu edhe interesimi i publikut ka qenë shumë i madh, kjo na habiti se më herët interesimi për panele nuk ka qenë i madh, kësaj radhe kanë ardhur shumë dhe sallat kanë qenë të mbushura”, u shpreh Neziraj për KultPlus.
Pas leximeve, të pranishmit u argëtuan me muzikë live nga grupi “Arshikët e Gjakovës”.
Kujtojmë që gjatë këtij festivali kanë marrë pjesë rreth 40 shkrimtarë e artistë nga rreth 20 shtete të ndryshme të botës. /Gzim Mujaj / KultPlus.com