19 Gusht, 2019 - 9:00 pm
Mos iu nënshtro dhunës së asgjëje! Dija është gjithmonë fakultative, lë vend dhe hapësira për të parë e vepruar ndryshe.
Dhuna e këtushme është çështje trashëgimie. Ti do ta ndjesh në gjakun tënd nevojën për të dhunuar ose për t’u dhunuar. Mos u përgjigj! Mos i beso instikteve shkatërrimtare: ato çojnë gjithmonë për nga vdekja besimin, shpresën, dashurinë dhe vetë jetën. Janë frikë për t’u përballur. Për të ndryshuar. Për të qenë. Frikë për të ndenjur në këmbë si Ti, kur gjithçka e aty-këtushme të thotë të dorëzohesh, të gjunjëzohesh. As dëshirës tënde, mos iu gjunjëzo! Dëshira, ndryshe nga ç’do dëgjosh të thuhet, është gjithmonë më pak se ti vetë dhe se jeta jote.
Ji e pastër! Pastërtia nuk është morali që do dëgjosh përditë, deri në fund të jetës tënde. Moralistët, kiji frikë ata! Ki frikë edhe nga ata njerëz që nuk rreshtohen në asnjë llogore mendimi. Të jesh njeri do të thotë t’i përkasësh patjetër një besimi, çfarëdo zgjedhsh ti për këtë.
Pastërtia është ndershmëria me veten, edhe kur ke faj. Mos e duaj fajin tënd, vetëm kështu nuk do e përsëritësh atë. Cfarëdo jete do zgjedhësh të bësh, mbaj mend: të jesh e ndershme me veten dhe të jesh njerëzore. Dëgjoji të tjerët. Jepu të drejtën për të menduar si dinë e duan. Mos u jep të drejtën të mendojnë për ty. Mos e fal lirinë tënde. Ajo je ti vetë. Është njësoj si të falësh aparatin tënd të frymëmarrjes. Paskëtaj, do të duhet të jetosh me tubat e perceptimeve të të tjerëve në mendje që s’do të të lënë më kurrë të ngrihesh në këmbë.
Ji e fortë dhe bujare. Kontrolloje nepsin tënd dhe babëzinë tënde. Përpiqu të mos ngopesh kurrë me gjëra të çmuara ( dije, dashuri, sinqeritet, përkushtim, vëmendje). Stoli dhe tesha, komoditet dhe flashkësi do të kesh gjithmonë rrotull. Mos bjer pre e tyre. Duket sikur të mbulojnë, kur në të vërtetë të lënë të zhveshur.
Vishe veten tënde me krenari sepse ti vlen. Ti meriton të jesh, të kesh dhe të zgjedhësh.
Zgjidh të kesh afër njerëz të ashpër. Të ashprit në dallim nga dashakeqët kanë një gojë të hidhur, por që të bën mirë. Mos e refuzo ndihmën e të tjerëve. E vogël apo e madhe, ajo gjithmonë vlen nëse ti e çmon sa duhet. Kurrë më të madhe ose më të vogël se c’ t’u dha.
Ji e drejtë dhe ji mirënjohëse. Mos i ik fatit tënd, por as mos iu nënshtro atij. / Eneida Mjeshtri, shkëputur nga “Letër sime bije; Për Noelin”/alblandmedia