‘Persefonia’, promovohet libri i autores Fitnete Ramaj- Mujaj si homazh për fuqinë e gruas dhe dëshirën e paplotësuar për shkollim

28 Shtator, 2024 - 4:31 pm

Vjollca Duraku

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot është promovuar libri me poezi “Persofonia” i autores Fitnete Rama- Mujaj. Libri i sjellë me 41 poezi vjen si homazh për fuqinë e gruas dhe dëshirën e paplotësuar për shkollim.

“Persofonia” i cili është promovuar në mesin e shumë të pranishmëve vjen si dedikim zemre për dy gra të jashtëzakonshme që kanë formësuar jetën e autores Fitnete Ramaj Mujaj, nënës dhe vjehrrës së saj, ëndërra e të cilave për shkollim ka mbetur si peng i kohës.

“Persefonia” është një figurë metaforike e cila simbolizon forcën e përjetshme të gruas. Përmes këtij libri autorja fton lexuesin që të ndiejë përpjekjen e gruas shqiptare dhe dhimbjen e ëndrrave të papërmbushura, që si shkak i gjendjeve politike e historike e ka lënë atë në një vend të pamerituar në shoqëri.

Ndonëse në vargje paraqiten vuajtjet, mes rreshatve  kuptohet edhe fuqia e shpirti i palëkundur i gruas shqiptare, e cila me gjithë sfidat e saj ka ditur dhe ka arritur të triumfoj.

Ngjarja u hap nga gazetarja Altiana Zogaj, e cila i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje, duke i kaluar fjalën poetes Marigona Zekaj, e cila tha se autorja me këtë libër mbi të gjitha paraqet një mesazh kurajoje për brezat e rinjë.

“Si një “Persefonë” moderne, ajo ringjall shpresën në zemrat e atyre që pavarësisht vështirësive, zgjedhin të luftojnë dhe të ndryshojnë botën përmes guximit dhe vendosmërisë së tyre. Kjo vepër është një thirrje e fuqishme për solidaritetin me grave, për të mbështetur njëra tjetrën drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe më të drejtë”, ka thënë poetja Zekaj.

Në këtë takim letrar emocionues pjesë e panelit ishte edhe profesoresha Pajtesa Gashi, e cila tha se fillimisht ishte titulli i librit ai që e kishte ngacmuar thellë mbi atë se çfarë mund të ketë në përmbajtje libri.

“Poezia e Fitnetes është një poezi qytetare, tërë preokupime e shqetësime për jetën dhe kjo shprehet në shumicën e poezive. Fitnetja realizon vetveten, si poete, në mënyrë origjinale, gjë që e bën poezinë e saj më interesante” ka thënë panelistja Gashi.

Ajo më tej ka thënë se poezia e autores Ramaj- Mujaj në themel është popullore, për të drejtat dhe idealet demokratike të cilat ajo i mbron me shpirt, por edhe në komunikimin që e vendos mes saj dhe lexuesit.

“Poezia na zbulon shpirtin e sinqertë dhe të pastër të autores krijuese që gjithmonë përpiqet për arritjen e majave më të larta të qenies njerëzore, si krijuese që lufton për të jetuar. Nëse bëjmë përshkrimin e rrugëtimit të saj për një gjysmë shekulli, portreti i gruas shqiptare ka kaluar nëpër disa etapa historike dhe kjo na bën të kuptojmë poezinë e saj sot, pa e ekzagjeruar anën pozitive dhe negative”, ka thënë më tej Gashi.

Ndërsa, panelisti tjetër Dren Brahimaj, ka thënë se poezitë e autores Ramaj- Mujaj shtrihen në dekada edhe më të hershme, se sa vetë lindja e poetes.

“Autorja ka guximin intelektual dhe vetëdijshëm, jep pafund mesazhe motivuese, duke mos kthyer kokën asnjëherë pas, ajo guximshëm kritikon dukuritë negative që rrethojnë botën e saj. Prandaj, edhe kemi pasur nevojë t’i kemi në dorë këto poezi dhe bashkë me to të reflektojmë dhe të jemi pjesë e agjendës për një shumëllojshmëri ngjyrash mendimesh. Të jesh pjesë e botës fshat ka më shumë përgjegjësi sesa t’i takosh fshatit botë”, ka thënë profesori Brahimaj.

Kurse vetë autorja Fitnete Ramaj- Mujaj përmes një fjalimi emocional ka përshkruar sfidat e saj dhe të dy grave që për të kishin qenë shkak dhe model, që e kishin shpjerë atë deri te promovimi i këtij libri.

“”Persofonia” është figura metaforike që kam dalluar gjatë leximeve të letërsisë angleze gjatë studimeve të mija. Në poezitë e Eliot-it dhe Alexander Pope-s, ajo përshkruhet si një figurë mitolgjike e lidhur me lindjen, jetën dhe vdekjen. Por, më e rëndësishmja , persefonia simbolizon gruan e fortë e cila i jep begati familjes dhe shoqërisë”, ka thënë autorja.

Me emrin “Persefoni” ajo i ka quajtur të gjitha gratë pjesëmarrëse në këtë takim si dhe të gjitha ato që kanë qenë mbështetëse dhe frymëzuese për arritjet e saj jetësore.

Krejt në fund të ngjarjes, autorja u kujdes që për të gjithë pjesëmarrësit të dhuronte nga një libër me dedikime të saj të zemrës./ KultPlus.com

Të ngjajshme