2 Prill, 2019 - 5:24 pm
Në Tivar më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër del se ky numër mund të jetë shumë më i madh, shkruan KultPlus.
Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleat e(amerikane-angleze-ruse)përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Tito i shfrytëzoi këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi. Kjo tragjedi ka qenë në fokus të shumë shkrimtarëve dhe studiuesve.
Ndër ta ishte edhe kleriku, shkrimtari dhe atdhetari i madh shqiptar At’ Zef Pllumi. Këtë gjendje, ai e përshkruan në veprën e tij të njohur “Rrno vetëm për me tregue” ku shpalosë tmerrin që kishte parë atë kohë tek popullsia shqiptare e Kosovës, në këtë vepër ai e përshkruan edhe fluksin e madh të popullatës që kishte vërshuar në Shqipëri, ndërsa kishte shtruar pyetje se nga vinin gjithë ai popull.
Prej tyre vetëm njëri i ishte përgjigjur, e gjendjen e tij Pllumi e përshkruan se të molisur e në prag të vdekjes ndërsa u ishte drejtuar atyre me kërkesën për një copë bukë. Me lutjen që niste me fjalën “Për iza të Zotit”, ai po kërkonte një copë bukë.
“Ndërkaq njani prej tyne pat guxim para vdekjes dhe na foli: “Për iza të Zotit a keni nji copë bukë!” A keni nji copë bukë?!… O sa tmerr! As na nuk kishim nji copë bukë: racioni për secilin ishte 300 gram. Edhe na ishim të unshem. Gjithë popullsia ishte unshëm. Shka të bajshim tashti? “Për iza të Zotit ma jepni nji copë bukë! Për iza të Zotit na jepni nji copë bukë
Prej të gjithve filloi të ndijohej vetëm kjo fjalë që kalonte, kalonte… Kalonte në humnerë… Ato ushtofshin ndër veshë tonë njësoj si ato krismat e nji çekani që rreh gozhdat e arkivolit në bregun e vorrit.
– Prej kah vini ju?
– Prej Kosove.
– Tash nji javë dit që ecim pa pushue, pa bukë!… Kemi kalue gjithë ato male… male.
– A ishi të Xhaferr Devës?- i pyetëm.
– Jo,jo. Na jena e zeza e vedit” shkruan ai.
Po ashtu në këtë pjesë të librit At Zef Plumbi tutje shkruan se pas disa ditësh e kuptuan se partizanët i kishin vrarë gjithë rininë kosovare.
“Mbas disa ditësh në Shkodër u hap fjala vesh në vesh se dikund afër Ulqinit partizanët kishin vra të gjithë rininë kosovare. O Zot po t’lutem trego: çfarë mëkati ka bâ ky popull që meritoi nji dënim kaq të randë”, përshkruan At Zef Pllumi , shkruan KultPlus.
At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi komunist i asaj kohe. Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit fetare , ai u përpoq që t’i vejë arna kulturës dhe edukimit shqiptar që ishte lënë anash atë kohë.
Kjo pjesë e veprës është shkëputur nga Albin Mehmeti. / KultPlus.com