11 Shtator, 2024 - 7:31 pm
Pas përvojës së gjatë me gazetarinë e kulturës, me theks të veçantë atë të muzikologjisë shqiptare dhe të huaj, kompozitori Sami Piraj ka mbledhur disa prej atyre shkrimeve të veta botuar ndër vite dhe i ka botuar në librin “Jeta muzikore në Kosovë 1990 – 1999, periudha e deinstitucionalizimit”, të cilin libër Biblioteka “Hivzi Sulejmani” e Prishtinës e ka paraqitur para publikut.
Përveç këtij libri, ditë më parë është publikuar edhe vepra tjetër e Pirajt, “Imazhe muzikore”.
Përurimi i këtyre dy librave mblodhi shumë miq dhe dashamirë të tij në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, të cilët përcollën një video të punuar për këtë ngjarje me disa nga punimet e publicistit Piraj.
Drejtoresha e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Naime Beqiraj, e cilësoi Pirajn kronikan dhe zë kritik i cili për rreth 40 vjet, përveç si kompozitor, është shquar në qenësinë kulturore shqiptare me shkrimet analitike në fushat e të gjitha zhanreve të muzikës. Samiu u zhvillua si publicist në Rilindjen e viteve ’80, asokohe kur mediumi i vetëm ditor i Kosovës pasurohej çdo ditë me vlerësime kritike e shkrime të përzgjedhura të pjesëtarëve të saj, emra të shquar të letërsisë dhe kulturës shqipe si: Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Mehmet Kraja, Binak Kelmendi, Ramadan Musliu, Ibrahim Berisha, Xhemail Mustafa, Abdullah Konushevci, Gani Mehmetaj, Jusuf Buxhovi etj.
Për veprat folën edhe autoritete muzikore, duke i cilësuar kontribute të çmueshme në fushën informimit të kësaj periudhe dhe literaturës së gjinisë së këngës përcjellë me piano.
Periudha e viteve 1990-1999 cilësohet periudhë e errët në të gjitha sferat e jetës për shqiptarët në Kosovë. Pas aplikimit të masave të dhunshme në institucionet kulturore, arsimore, informative dhe përgjithësisht në të gjitha fushat e jetës te ne, u krijuan rrethana dhe kushte të vështira për shqiptarët. Shuarja e institucioneve dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga vendet e punës, rezultoi me vështirësi të shumta dhe të mëdha në jetën e përgjithshme. Informimi u vështirësua shumë pas mbylljes së Radiotelevizionit të Prishtinës dhe gazetës “Rilindja”. Kjo ishte temë e trajtimit të panelistëve: Ahmet Bella, muzikolog, me banim në Malmo të Suedisë, Elife Podvorica Jashari, profesoreshë e solokëndimit, Kushtrim Jakupi, etnomuzikolog dhe Visar Munishi, etnomuzikolog, të cilët i referoheshin shkrimeve të botuara në gazetën e atëhershme “Bujku”.
Trajtimi i deinstitucionalizimit të jetës muzikore, që rrodhi nga shkrimet e botuara në gazetën “Bujku” të autorit Sami Piraj, gazetar i rubrikës së kulturës në të përditshmen “Rilindja”, u cilësua si kontribut i rëndësishëm për informimin e asaj periudhe dhe dokumentimin e ngjarjeve në librin “Jeta muzikore 1990-1999.”. Kurse libri tjetër “Imazhe muzikore” paraqet, po ashtu, një kontribut në sferën e pjesëve të kompozuara në periudhat e ndryshme kohore e që gjithsesi e pasurojnë literaturën muzikore të formave kamertale.