25 Qershor, 2021 - 2:11 pm
Në kuadër të aktiviteteve të tij kulturore, PEN-i i Kosovës organizon promovimin e librit të historianit kosovar Muhamed Mufaku “Figura shqiptare në Lindjen e mesme: shek.XVI-XX”, i cili doli këto ditë në Shkup, Prishtinë e Tiranë në botim të shtëpisë botuese Logos-A.
Ky libër, i cili vjen si frytë i punës shumë vjeçare (1989-2018) e autori si profesor i Lindjes së mesme në disa universitete jordaneze, i dedikohet “Veteranit të gazetarisë shqiptare për Lindjen e mesme” Nehat Islami. Edhe pse libri kap një hapësirë të madhe kohore e gjeografike (prej Turqisë deri në Jemen), autori më shumë u përqendrua në shek.XX, mu atëherë kur “Lindja e mesme” mori pamjen e tashme me shumë shtete që ishin pjesë të Perandorisë osmane. Duke hetuar interesim më të madh në mesin e shqiptarëve për Lindjen e mesme prej shtatorit 2020, autori thekson në parathënie se libri ashtu si është mund të ndihmojë lexuesin shqiptar të kuptojë më mirë zhvillimet në Lindjen e mesme në shek.XX, pasi që kemi disa figura shqiptare që kanë pasur rolin e vet në ato zhvillime.
Në promovim të këtij libri, i cili mbahet të mërkurën 30 qershor në orën 14:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, merr pjesë edhe shkrimtari dhe ish ministri i jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafa. / KultPlus.com