Përurohet një libër manual në fushën e mendimit për mendimin kritik letrar shqiptar

7 Qershor, 2019 - 9:30 pm

Në ambientet e Institutit Albanologjik sot u promovua botimi më i ri nga fusha e kritikës letrare shqiptare.  Autori, tashmë emër i njohur për letrat shqipe, studiuesi prof. dr. Arben Hoxha, këshilltar shkencor në Degën e Letërisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, për lexuesit, studentët dhe studiuesit shqiptarë solli studimin monografik “Mendimi kritik letrar shqiptar: konceptet dhe modelet epistemologjike”. Ky libër i botuar nga Instituti Albanologjik dhe është rezultat i punës hulumtuese shkencore disa vjeçare te autorit. I konceptuar në pesë pjesë voluminoze, strukturën e zhvillimit epistemologjik të mendimit kritik letrar shqiptar ky studim e vështron nga perspektiva e tërësisë së procesit të lëvizjes dhe ndryshimeve në kohë, të pjesëve që e përbëjnë e të subjekteve që e udhëheqin atë.                                                                         

Për librin folën prof. dr. Kristaq Jorgo nga Universiteti i Tiranës, prof.dr. Hysen Matoshi dhe prof.dr. Sali Bytyqi nga Instituti Albanologjik në Prishtinë. Profesor Jorgo ndër të tjera tha: “Në rastin e e veprës që po promovojmë sot mund të themi se puna e profesor Arben Hoxhës është shumë më pak punë e vijimit dhe shumë më tepër dhe kryesisht punë e themelimit. Kemi të bëjmë me një punë në fushën e mendimit për mendimin kritik letrar shqiptar. Është një libër manual në të cilin studiuesi shqiptar i letërsisë bën objekt të gjykimit të vet produktin e vet të deritashëm, dhe akoma më tej e bën objekt objektin e mendimit të vet, kriteret, parimet e mendimit të vet, rezultatet e mendimit të vet, në mënyrën dhe në trajtën më radikale të mundshme”.                          

            Prof. dr. Hysen Matoshi u ndal në aspektin e tipologjizimit në rrafshin metodologjik që studiuesi Arben Hoxha i ka bërë mendimit kritik letrar shqiptar. Ndërsa studiuesi prof.dr. Sali Bytyqi bëri një paraqitje të përgjithshme të aspektit të jashtëm të strukturës së veprës si dhe të vlerës së saj për shkencën letrare shqiptare sot dhe nesër.                                                                 

Akademik Rexhep Qosja i cili është edhe recensenti i librit, në kopertinë librin e vlerëson me këto fjalë: “Në librin “Mendimi kritik letrar shqiptar: konceptet dhe modelet epistemologjike” studiuesi Arben Hoxha trajton një temë të gjerë dhe të përbërë, sepse prek në fusha të ndryshme të dijes dhe në fusha të ndryshme të mendimit të njeriut: në fushën e filozofisë, të teorisë së njohjes, të teorive letrare, të estetikës, të politikologjisë, të kulturologjisë, të metodologjisë e të etikës. Në librin “Mendimi kritik letrar shqiptar: konceptet dhe modelet epistemologjike” autori i saj trajton një temë të patrajtuar në shkencën tonë letrare: temën e përcaktimit dhe vlerësimit të fuqive njohëse të mendimit kritik letrar shqiptar. Këtë temë ai e trajton duke u mbështetur në tri shtylla problemore: a) çfarë është synuar të njihet në mendimin kritik letrar shqiptar?; b) me cilat mjete është arritur ajo njohje?; dhe c) cila është rëndësia e asaj njohjeje? Vlera të veçanta të kësaj vepre janë: gjuha e pasur, aftësia e gjykimit abstrakt, prirja e mbarështimit, e sistemimit të dëshiruar të lëndës së trajtuar, prirja e ndërtimit të qëndrueshëm të pjesëve dhe e ndërtimit të qëndrueshëm, kompozicional, të tërësisë, kultura e tij e gjerë diturore, metodologjike, filozofike e dëshmuar prej faqeve të para deri në fund të librit.”       

Në fund të përurimit edhe vetë autori i përshëndeti të pranishmit me disa fjalë ku ndër të tjera tha: “Ky libër më ka mësuar se burrërimi në njohje përcaktohet prej asaj se sa je i afte të mbetesh fëmijë. Të hysh si fëmijë në botën e mendimit do të thotë të hysh në zonën e rritjes tënde.Puna është veprimtaria përmes së cilës ti rritesh dhe mëson për zgjerimin e kufijve të ekzistencës. Nuk mund të krijojë, t’i rrisë, t’i zgjerojë kufijtë e hapësirës së ekzistencës sonë ai të cilin puna nuk e ka arritur ta rrisë e zhvilloje vetë atë. Që të frymëzosh duhesh të jesh vetë i frymëzuar. Që të pasionosh të tjerët duhet të jesh vetë i pasionuar. Pasioni nuk është tipar, por pasqyrë e karakterit. Pasioni e përcakton fuqinë vepruese të karakterit tonë. Kufijtë e dijes tonë nuk mund të shkojnë përtej kufijve të fuqisë së karakterit tonë. Shpresoj që pasioni për dijen, tashmë i objektivuar në këtë libër, do të jetë i aftë t’u përgjigjet dhe të nxisë pasione intelektuale te lexuesi e studiuesi i letërsisë”.  /KultPlus.com


Të ngjajshme