20 Prill, 2023 - 8:58 am
Jusuf Buxhovi
Opusi letrar i njërit ndër shkrimtarët tanë më të njohur për fëmijë, Ymer Elshanit, u ndërpre dhunshëm, në prillin e vitit 1999, kur bashkë me një pjesë të familjes u masakrua nga paramilitarët serbë. E bija, Teuta, prej kohësh është përkujdesur që vepra letrare e të etë, në disa vëllime me vjersha, tregime dhe romane, të prezantohet si një tërësi. Së fundit, kemi botimin e një përzgjedhje prej katër veprash: romaneve “Aventurat mbi trotinetin e vjetër” dhe “Ndodhitë e Hundëkarotës” , tregimeve të përzgjedhura për fëmijë, “Planeti i mirësisë” si dhe vëllimit me poezi “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”, të përzgjedhura nga kritiku letrar Anton Nikë Berisha.
Katër veprat e përzgjedhura nga krijimtaria letrare, nxjerrin në pah vlerat e veçanata letrare të Ymer Elshanit në prozë dhe poezi, të cilat pasqyrohen në këto dy romane të botuara për herë të parë në vitet e shtatëdhjeta, me të cilat asokohe Elshani tërhoqi vëmendjen. Kjo vlen veçmas për romanin “Ndodhitë e Hundëkarrotës” (1971), prozë kjo, që më të drejtë, nga kritika letrare u vlerësua vepër që solli një frymë të re në prozën tonë për fëmijë. Por, njësoj u prit edhe roman tjetër “Avanturat në trotinetin e vjetër” (1975), për të cilën mund të thuhet se radhitët ndër rimanët më të mira të prozës sonë për fëmijë.
Në këtë përzgjedhje të veprave të Ymer Elshanit është përfshirë edhe vëllimi me poezi “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”, nën përkujdesjen e kritikut letrar Anton Nikë Berisha. Poezitë përcillen edhe me pareathënie të Berishës rreth opusit të gjithëmbarshëm të Ymer Elshanit për fëmijë, që përfshinë disa vepra. Për Berishën “poezia për fëmijë e Ymer Elshanit mbruhet nga një art i opasur që i jep asaj përmasën e gjithëkohëisi dhe se çështjet që shqiptohen nëpërmjet tekstit poetik janë të lidhura ngushtë me botën e tyre të fëmijëve, me gëzimet dhe me shqetësimet; ato janë veçanti të jetës së tyre të sotme, po do të jenë të tilla ose të ngjashme edhe në të ardhmen”. / KultPlus.com